Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

54.I mençuri dhe ndihma ndaj muslimanëve

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – I dërguari i Allahut ka thënë:

”Kush ia lehtëson vëllait të tij një vështirësi, Allahu do t’ia lehtësojë atij një vështirësi në ditën e gjykimit.”

 Transmeton Muslimi.

2 – Të gjithë muslimanët e kanë obligim që t’ua duan muslimanëve të mirën dhe t’ua largojnë brengat dhe vështirësitë e tyre. Kush ia largon një muslimanit një vështirësi në këtë jetë, Allahu ia largon atij një vështirësi në ditën e gjykimit.

3 – Vëllezërit e vërtetë dihen në kohë të vështira. Të gjithë njerëzit janë miq kur janë në gjendje të mirë. Vëllezërit më të këqij janë ata që ia kthejnë shpinën vëllezërve të tyre kur gjendja është më e vështira dhe vendi më i keq është vendi që ka mungesë së tokës pjellore dhe mungesë të sigurisë.

4 – Hasan el-Basri ka thënë:

”Preferoj më tepër që të plotësojë nevojat e vëllait tim sesa të bëjë i’tikaf dy muaj.”

5 – Personi i cili e di shpërblimin nuk duhet të dështojë në të ndihmuarit të tjerët me pozitën e tij ose me pasurin e tij nëse është e mundur. Duhet ta bëjë këtë para vdekjes. Me vdekjen pushojnë të gjitha veprat e mira dhe atëherë njeriu vajton çdo të mirë që ka humbur.

6 – Nevojtari nuk duhet të dërdëllit për ndihmë. Dërdëllitja në fakt mund të shkaktojë që të mos jepet ndihmë fare. Atij që i jepet, duhet të falënderoj dhe atij që nuk i jepet, duhet të jetë i kënaqur me kaderin. Atyre që u kërkon ndihmë duhet tu kërkojë vetëm në shtëpitë e tyre. Kjo nuk duhet bërë në turma, në xhami apo në publik.

7 – Umer bin Khatabi ka thënë:

”Mos kërkoni prej njerëzve kur ata janë në tubime dhe në xhami në mënyrë që të mos i bezdisni. Kërkojuni atyre kur janë në shtëpi. Atij që i jepet, i jepet, dhe atij që nuk i jepet, nuk i jepet.”

8 – Fjalët e Umerit -radijAllahu anhu- kanë të bëjnë me personin bujar. Nëse personit bujar i kërkohet kur është me të tjerët dhe nuk ka, ai turpërohet. Nëse të qortuarit i kërkohet në prani të njerëzve, në një tubim ose në xhami, ka shans të madhe që të japë sepse i qortuari nuk jep nga besimi apo dinjiteti por jep vetëm për të marrë reputacion të mirë.

9 – E rekomandoj të mençurin që të ha lëkurë dhe të thithë shkëmbinj dhe të durojë sesa të lyp nga i qortuari. Që i qortuari të japë është vepër e shëmtuar dhe që ai të mos japë është vdekje.

10 – Të mençurit nuk i lejohet t’i kërkojë ndihmë armikut, budallasë, mëkatarit, gënjeshtarit apo atij që është në kërkim të interesave të tij. Nuk lejohet që të kërkosh dy gjëra në të njëjtën kohë. Nuk lejohet të shprehësh nevojën e madhe që ke. Për personin fisnik mjafton që të dijë për nevojën e atij që i kërkon pa i dërdëllitur.

Shpërndaje: