“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

55.Nuk refuzohet ai që kërkon diçka në emër të Allahut

Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 156-157
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

1 – Ibn Umeri -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kujtdo që ju kërkon në emër të Allahut, jepni! Këdo që ju kërkon mbrojtje në emër të Allahut, mbrojeni! Kujtdo që iu fton, përgjigjuni! Kush ju bën një të mirë, shpërblejeni, e nëse nuk keni me çfarë ta shpërbleni, lutuni për të derisa të mendoni se e keni shpërblyer.”

Ebu Daudi (1672), Nesai (2567) me një zinxhir të saktë transmetimi, Ahmedi (5365), Bukhariu në ”el-Edeb el-Mufred (216)” dhe Tabarani në ”el-Mu’xhem el-Kebir (13465)”. Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunnen Ebi Daud (1468)”.

Shpjegimi:

Autori e përmendi këtë kapitull sepse ai tregon nderimin dhe lavdërimin ndaj Allahut, kur i jep dikujt që të kërkon në emër të Allahut. Hadithi i Ibn Umerit është një shembull i fjalëve të pakta me kuptime të mëdha të profetit ﷺ.

1 – Ibn Umeri -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kujtdo që ju kërkon në emër të Allahut, jepni! Këdo që ju kërkon mbrojtje në emër të Allahut, mbrojeni! Kujtdo që iu fton, përgjigjuni! Kush ju bën një të mirë, shpërblejeni, e nëse nuk keni me çfarë ta shpërbleni, lutuni për të derisa të mendoni se e keni shpërblyer.”

Profeti ﷺ ka thënë:

”Kujtdo që ju kërkon në emër të Allahut, jepni!”

Kjo bëhet për të madhëruar Allahun. Megjithatë, janë transmetuar disa hadithe që urrejnë që të kërkohet në emër të Allahut sepse kjo i vë njerëzit në vështirësi. Megjithatë, është e detyrueshme për t’i dhënë atij që kërkon në emër të Allahut të drejtën e tij sikurse është zekati apo nga buxheti i shtetit. Përveç këtyre është mirë që t’i jepet atij. Megjithatë, nuk duhet kërkuar në emër të Allahut për shkak të haditheve që e urrejnë këtë veprim.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Këdo që ju kërkon mbrojtje në emër të Allahut, mbrojeni!”

Është e ligjësuar për ta mbrojtur personin i cili kërkon mbrojtjen në emër të Allahut. Kur sollën Amrah bint el-Xhuni si nuse për të dërguarin e Allahut ﷺ dhe kur iu afrua asaj, ajo tha:

”Kërkojë mbrojtjen e Allahut ndaj teje.”

Ai ﷺ i tha:

”Ke kërkuar mbrojtjen e Atij që është i Fuqishëm. Kthehu tek familja jote.”

Transmeton Bukhari (5254).

Sikurse u tha është e ligjësuar për ta mbrojtur personin që kërkon mbrojtje në emër të Allahut përderisa ai nuk kërkon që të lirohet nga një obligim sikurse të kërkojë në emër të Allahut që të mos ketë nevojë të falet, të mos e japë zekatin, të mos paguaj borxhin ose gjobën, në këto raste nuk lejohet që të mbrohet.

Dhe në qoftë se ai kërkon në emër të Allahut që të mos ketë nevojë që të punojë si gjyqtarë, udhëheqës apo punë të tjera të rënda ndërsa ka njerëz meritor për këto punë atëherë është e ligjësuar që të kursehet ai. Është transmetuar se kur Uthmani e urdhëroi Ibn Umerin -radijAllahu anhuma- për të punuar si gjyqtar, ai i kërkoi në emër të Allahut që t’i shpëtojë kësaj pozite, Uthmani e kurseu atë. Nëse kjo është transmetuar në mënyrë autentike atëherë kjo vlen kur ka njerëz të tjerë të cilët janë meritorë, të cilët mund të zënë vendin e tij. Në kohën e Uthmanit ka pasur shumë njerëz meritor për këtë.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Kujtdo që iu fton, përgjigjuni!”

Përgjigja e ftesës sjell dobi, ndërton ura, miqësi dhe afërsi. Prandaj është e ligjësuar për t’iu përgjigjur ftesës pavarësisht nëse është ftesë për dasme apo diçka tjetër. Megjithatë, ftesa më e rëndësishme është ajo e dasmës.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Ai që nuk i përgjigjet ftesës e ka kundërshtuar Allahun dhe të dërguarin e Tij.”

Transmeton Bukhari (5177) dhe Muslimi (1432).

Përgjigja e ftesës është obligative përveçse në dy raste:

1 – Kur i ftuari ka ndonjë pengesë si sëmundja, largësia dhe vështirësitë.

2 – Në qoftë se ka pengesa në ftesë sikurse janë mëkatet, muzika, kënga dhe alkooli.

Nëse ftesa nuk përmban ndonjë ndalesë atëherë është obligim ose të paktën shumë e rekomanduar që t’i përgjigjesh asaj. Megjithatë, është obligim që t’i përgjigjesh thirrjes vetëm nëse e merr ftesën personalisht.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Kush ju bën një të mirë, shpërblejeni, e nëse nuk keni me çfarë ta shpërbleni, lutuni për të derisa të mendoni se e keni shpërblyer.”

Të bësh shpërblesh për një shërbim aq sa ke mundësi i përket karaktereve të bukura dhe besimit të plotë. Në qoftë se mund ta kompensosh me pasuri e bën këtë. Përndryshe e kompenson me fjalë të bukura dhe lutje.

Nuk lejohet të lutësh cilësitë e Allahut, sikurse të thuash:

”O fytyra e Allahut, o dituria e Allahut”.

Megjithatë, lejohet t’i lutemi Allahut përmes emrave dhe cilësive të Tij sikurse me emrin “Mëshirues”. Nëpërmjet cilësive të Allahut i afrohemi Allahut por nuk i lutemi atyre cilësive. Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh përcjell konsensusin e dijetarëve mbi këtë se nëpërmjet cilësive afrohemi tek Allahu, kur themi:

”Të lutem Ty përmes faljes dhe mëshirës Tënde dhe kërkojë mbrojtje me anë të kënaqësisë Tënde kundër zemërimit Tënd.”

Shpërndaje: