Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

54.Ekspetida te pusi Ma’uneh

Imam Ismail Ibn Kethir Ed-Dimeshkij (v. 774)
El-Fusul fi Sirat-ir-Rasul, fq. 65-66
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Në muajin Sefer, i dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një ekspeditë drejt pusit Ma’une. Para kësaj, Ebu Bera Amir bin Malik kishte ardhur në Medinë dhe ishte takuar me të dërguarin ﷺ, i cili shfrytëzoi rastin për ta ftuar atë në Islam por Ebu Bera as nuk e pranoi Islamin, e as nuk u distancua nga Islami.

Ai tha:  “O i dërguar i Allahut, sikur t’i dërgoje shokët e tu te banorët e Nexhdit për t’i ftuar në fenë tënde, ndoshta do t’u përgjigjeshin.” 

I dërguari ﷺ tha: “Kam frikë se banorët e Nexhdit do t’u bëjnë keq.” 

Ebu Bera u përgjigj: “Unë do t’i mbroj ata.”

Transmeton El-Bejhaki në Dela’il-un-Nubueh (3/339).

Sipas Ibn Is’hakut, i dërguari ﷺ dërgoi 40 sahabë por në transmetimet e Bukharit dhe Muslimit përmendet se ishin 79, dhe kjo është e saktë. Udhëheqës i tyre ishte El-Mundhir bin Amr nga fisi Benu Sa’ade. Ky grup përbëhej nga sahabët më të devotshëm, dijshëm dhe më të dalluar.

Ata u ndalën tek pusi Ma’uneh, që shtrihej midis tokave përkatëse të Benu Amir dhe Benu Sulejm. Pastaj, ata ia dërguan letrën e të dërguarit të Allahut ﷺ përmes Haram bin Milhan, vëllai i Umm Sulejmit, tek armiku i Allahut, Amir bin Tufejl. Madje as pa e shikuar letrën, ai urdhëroi që Harami të vritet dhe një burrë e theri atë me një shtizë. Kur Harami pa gjakun e tij duke rrjedh me vrull, ai bërtiti:

“Betohem në Zotin e Qabes! Unë kam fituar!”

Pastaj armiku i Allahut, Amir bin Tufejl, urdhëroi që të sulmoheshin edhe të tjerët. Por njerëzit të cilët kishin lidhur një marrëveshje besnikërie me Ebu Beran, refuzuan t’i binden urdhrit të tij. Si pasojë ai iu drejtua fisit Benu Sulejm me të njëjtin urdhër dhe ata e zbatuan urdhrin Fisi Benu Sulejm pranoi ta sulmonte grupin e sahabëve sepse kishin aleancë me fiset Ri’l dhe Dhekuan. Sahabët e të dërguarit të Allahut ﷺ u rrethuan dhe luftuan trimërisht, por idhujtarët i vranë të gjithë – me përjashtim të Ka’b bin Zejdit nga fisi Benu Nexhar, i cili megjithëse u plagos rëndë dhe u la mes të vrarëve dhe mbijetoi. Ai jetoi deri në betejën e Hendekut, ku edhe ra dëshmor.

Amr bin Umejeh Edh-Dhamri dhe El-Mundhir bin Muhamed bin Ukbeh, të cilët në atë kohë kullosnin bagëtinë e muslimanëve, panë zogj që fluturonin mbi fushën e betejës. El-Mundhiri shkoi për të hetuar dhe sapo pa idhujtarët i sulmoi derisa u vra bashkë me disa shokë të tij. Amr bin Umejeh u kap rob. Kur u bë e ditur se ai ishte nga fisi Mudhar, udhëheqësi i fisit Amir e liroi në nder të nënës së tij e cila kishte bërë betim të lirojë një skllav.

Gjatë kthimit për në Medinë, Amr bin Umejeh u ndal për të pushuar në një vend të quajtur Karkarah, ku kishte një hendek me hije. Pas pak, aty erdhën dy burra nga fisi Benu Kilab dhe u shtrinë të flinin pranë tij. Kur ata ranë në gjumë, Amri i vrau të dy, si hakmarrje për shokët e tij të vrarë.

Mirëpo, ai nuk e dinte se këta dy burra kishin lidhur marrëveshje paqeje me të dërguarin e Allahut ﷺ. Kur arriti në Medinë dhe i tregoi profetit ﷺ për ngjarjen, i dërguari i Allahut ﷺ tha:

“Ti ke vrarë dy burra, dhe unë do të paguaj gjakun e tyre.”

Është transmetuar në mënyrë autentike se kjo ishte arsyeja për ekspeditën kundër fisit Benu En-Nedhir.

Shpërndaje: