Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – Profeti ﷺ ka thënë:
”Secili prej jush është bari dhe përgjegjës për kopenë e tij. Prijësi i popullit është bari dhe përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari dhe përgjegjës për familjen e tij. Gruaja është bareshë dhe përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe për fëmijët e tyre.” Transmeton Bukhari (7138) dhe Muslimi (1829).
2 – Sunneti nëpërmjet të zgjedhurit ﷺ ka thënë qartë se çdo bari është përgjegjës për kopenë e tij. Kështu që secili bari e ka obligim që të kujdeset për të mirën e kopesë së tij. Barinjtë e njerëzve janë dijetarët. Bariu i mbretërve është mendja. Bariu i të devotshmëve është frika ndaj Allahut. Bariu i studentit është mësuesi i tij. Bariu i fëmijës është babai i tij. Roja e gruas është burri i saj. Roja e robit është pronari i tij. Siç u tha secili bari është përgjegjës për kopenë e tij.
3 – Përgjegjësinë më të madhe mbi kopenë e kanë mbretërit. Ata janë përgjegjës për popujt. Ata janë barinjtë më të lartë për shkak se urdhëresat e tyre zbatohen aq shpesh. Nëse ata nuk kujdesen për kohën e tyre dhe lënë pas dore qytetarët e tyre, ata shkatërrohen dhe i shkatërrojnë të tjerët. Një botë e tërë mund të shkatërrohet për shkak të një mbreti të keq. Fuqia e mbretit mbetet për derisa ndihmësit e tij i binden atij. Ndihmësit nuk do t’i binden atij pa një ministër. Kjo nuk do të ndodhë përderisa ministri nuk është i dashur dhe dashamirës. Ministri nuk do të jetë i tillë për derisa nuk është i përmbajtur dhe i kuptueshëm. Këta njerëz nuk mund të mbahen nën kontroll pa para. Paratë vijnë vetëm nëse qytetarët janë të mirë. Qytetarët bëhen të mirë vetëm nëse qeverisen me drejtësi. Pushteti mbetet vetëm nëse është i drejtë dhe zhduket vetëm nëse është i padrejtë.
4 – Mbreti e ka obligim që të kujdeset për punëtorët e tij në mënyrë që të jetë i vetëdijshëm për mirësinë e të mirit dhe të keqen e të keqit. Kur mbreti nuk e di se çfarë bëjnë punëtorët e tij, ai nuk mund të jetë i drejtë.
5 – Pushtetari nuk duhet të jetë shumë i kënaqur dhe i lumtur me qytetarët e tij, e as tepër pak. Shumë nga këto tipare shkaktojnë marrëzi. Pak nga këto tipare sjellin mendjemadhësi dhe arrogancë. Mbreti nuk duhet të zemërohet sepse fuqia e tij shtrihet përtej nevojave të tij. Mbreti nuk duhet të gënjejë sepse askush nuk mund ta detyrojë atë me asgjë. Mbreti nuk duhet të jetë koprrac sepse nuk ka asnjë justifikim nëse posedon pronë dhe pozitë. Mbreti nuk duhet të jetë urrejtës sepse duhet të jetë më fisnik sesa të ndëshkon. Pushtetari më i mirë nuk është arrogant.
6 – Pushtetari është si zjarri. Nëse zjarri është shumë i vogël është i padobishëm. Nëse është shumë i madh e keqja e tij tejkalon kufirin. Pushtetari më i mirë është ai që të kujton shiun që sjell dobi në rrethinën e tij dhe jo zjarrin që djeg rrethinën e tij.
7 – Pushtetari i drejtë është më i mirë se shiu. Pushtetari i padrejtë është më i mirë se një sprovë e gjatë. Njerëzit janë në nevojë më të madhe për një pushtetarë të drejtë sesa për një kohë pjellore.
8 – El-Ahnaf bin Kajs ka thënë:
”Marrëdhënia e pushtetarit ndaj qytetarëve është sikurse lidhja e shpirtit me trupin pa të cilin nuk mundet të jetoj dhe marrëdhënia e kokës me pjesët e trupit pa të cilën ato nuk funksionojnë.”
9 – Së pari dhe më kryesorja është se pushtetari është detyruar që ta ketë frikë Allahun dhe të përmirësojë marrëdhëniet e tij të fshehta me Krijuesin e tij. Pastaj duhet të mendojnë për përgjegjësinë që Allahu i ka dhënë mbi vëllezërit e tij dhe me të cilën Ai e ka ngritë atë mbi ta. Ai duhet ta dijë se është përgjegjës për të gjitha çështjet e tyre të vogla dhe të mëdha. Pastaj duhet ta dijë se do të jetë përgjegjës për të gjitha çështjet e tyre të pakta apo të shumta. Pastaj duhet të emërojë një ministër të drejtë, të urtë, të dëlirë dhe dashamirës. Duhet të ketë punëtorë të devotshëm, të drejtë dhe të ndjeshëm. Duhet të ketë ndihmëtarë që i ndihmojnë fshehurazi dhe shërbyes të njohur.
10 – Pushtetari duhet të kërkojë nga punëtorët e tij që të jenë të devotshëm dhe që t’i binden Allahut. Pasuritë lejohen të merren vetëm nga burimet e ligjshme dhe pastaj duhet t’i shpërndahen atyre që e meritojnë. Pushtetari duhet ta ketë nën kujdes arkën kështu që as edhe një kokërr e ndaluar me anë të detyrimit, padrejtësisë, plaçkitjes, grabitjes apo ryshfetit të mos hyjë në të. Pushtetari është përgjegjës për gjënë më të vogël në të. Ai do të jetë përgjegjës për çdo kokërr në të. Pastaj nuk duhet ta shpenzojnë këtë pasuri në diçka tjetër përveç asaj që Allahu urdhëron në kapitullin El-Enfal.
Allahu -te ala- ka thënë:
وَاعْلَمُواْ أَنَّمَا غَنِمْتُم مِّن شَيْءٍ فَأَنَّ لِلّهِ خُمُسَهُ وَلِلرَّسُولِ وَلِذِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينِ وَابْنِ السَّبِيلِ إِن كُنتُمْ آمَنتُمْ بِاللّهِ وَمَا أَنزَلْنَا عَلَى عَبْدِنَا يَوْمَ الْفُرْقَانِ يَوْمَ الْتَقَى الْجَمْعَانِ وَاللّهُ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ
”Ta dini se çfarëdo që të fitoni si plaçkë lufte, një e pesta i takon Allahut, të dërguarit dhe farefisit të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarit (që ka ngelur në rrugë), nëse besoni në Allahun dhe në atë që ia kemi shpallur robit Tonë në ditën e fitores (luftën e Bedrit), atë ditë kur u ndeshën dy ushtritë. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” El-Enfal, 8:41