Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

3.Fjalë të arta rreth mençurisë dhe të mençurve

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti 
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ebu Hatim ka thënë:

Është prej mençurisë që ta duash moralin e mirë dhe të urresh të këqijat.
Me mençuri arrihet lumturia, largohet monotonia e vetmisë dhe zhduket varfëria. Nuk ka asnjë pasuri më të vlefshme sesa mençuria dhe nuk plotësohet feja pa mençuri.

“Është pyetur Ibnul-Mubarak për gjënë më të mirë që i është dhënë njeriut.

Ai tha: “Mençuria e thellë.”

Pastaj i thanë: “Nëse nuk e ka këtë?”

Ai tha: “Sjellja e mirë.”

Pastaj i thanë: “Nëse nuk ka këtë?”

Ai tha: “Ta ketë një vëlla i cili e udhëzon në rrugë të drejtë.”

Pastaj i thanë: “Nëse nuk e ka këtë?”Ai tha: “Heshtja e gjatë.”

Pastaj i thanë: “Nëse nuk e ka as këtë?”Ai tha: “Vdekja e shpejtë.”

Mençuria është dy llojesh: E natyrshme dhe e fituar. Mençuria e natyrshme është si toka, e ajo e fituar është si uji. Me mençurinë e natyrshme njeriu nuk mund të arrijë deri tek zgjedhja dhe veprimi i duhur nëse nuk posedon edhe mençurinë e fituar ngase kjo e fundit e drejton dhe e përgatit të natyrshmen nga mos të rënit në mëkate. Mençuria e natyrshme tek njeriu është sikurse degët e një peme, kurse mençuria e fituar është ushqimi i frutave të saj.

I mençuri është i detyruar ta ushqejë mençurinë e tij me urtësi (dije) më shumë sesa që e ushqen trupin e tij me ushqim. Ushqimi i trupit është të ngrënit, kurse ushqimi i mençurisë është urtësia. Ashtu siç trupi vdes pa ngrënë e pa pirë, po ashtu edhe mençuria vdes nëse nuk ushqehet me dije.

Të udhëtosh nëpër vende të ndryshme dhe të përfitosh nga njerëzit, kjo bën që njeriu të fitojë dije dhe mençuri edhe nëse paratë do të harxhohen gjatë udhëtimit.

Mençuria është ilaçi i zemrës, është bartëse e atyre që janë të përkushtuar në arritjen e saj, është gjëja përmes së cilës fitohet ahireti, është kurorë e besimtarit në këtë botë dhe armë në fatkeqësi. Kurse atij që i mungon mençuria, ai nuk do të arrijë lavdin, dhe pasuria e tij nuk do t’ia ngritë statusin shoqërorë. Nuk është i mençur ai që jepet pas kënaqësive të kësaj bote përpara ahiretit. Ashtu siç injoranca është sëmundja më e rëndë, ashtu edhe mungesa e mençurisë është varfëria më e rëndë.

Mençuria dhe teket janë dy të kundërta. Prandaj është obligim që ta zgjerosh dijen dhe përmes saj të ruhesh nga teket dhe epshet. Në qoftë se nuk e dallon njërën nga tjetra atëherë duhet të zgjedhësh atë që është më së largëti nga teket dhe epshet, ngase sa më larg që qëndron nga kjo, ti do të përmirësosh brendinë tënde. Mençuria me dije të shëndoshë e përmirëson njeriun.

I mençuri nuk duhet të bie në depresion ngase kjo nuk i sjell asnjë dobi. Depresioni pakëson mençurin, kurse i mençuri nuk duhet të pikëllohet. Pikëllimi nuk e largon fatkeqësinë, kurse brengat e vazhdueshme pakësojnë mençurinë.

Me mençuri forcohet zemra, me dituri ëndrrat bëhen realitet. Shtylla e lumturisë është mendja e shëndoshë, kurse mençuria del në pah atëherë kur njeriu duhet të bëjë zgjidhjen.

Shpërndaje: