Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

59.Besimi në urën (siratin) mbi xhehenem

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh El-Akidah El-Uasitijeh, fq. 90-92

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Ura e siratit vendoset mbi xhehenem dhe skaji tjetër i saj përfundon në xhenet. Njerëzit do të kalojnë mbi të sipas veprave të tyre. Disa e bëjnë këtë në një moment (sa hap e mbyll sytë), të tjerë si një vetëtimë, disa si era, disa si kuaj të shpejtë, të tjerë si devetë. Disa do të vrapojnë mbi të, të tjerë do të ecin mbi të, disa do të zvarriten mbi të dhe disa do të kapen dhe do të hidhen në xhehenem. Ura në të vërtetë ka grepa që kapin njerëzit sipas veprave të tyre. Ai që e kalon rrugën hyn në xhenet.

Pas kësaj ata do të qëndrojnë në kantara midis xhenetit dhe xhehenemit për të kryer shpagimin ndaj njëri-tjetrit. Pasi të pastrohen atyre u lejohet të hyjnë në xhenet.

Shpjegimi

Ura (sirati) është ngritur mbi xhehenem. Ai që bie prej saj bie në xhehenem.

Allahu (te ala) ka thënë:

وَإِن مِّنكُمْ إِلَّا وَارِدُهَا كَانَ عَلَى رَبِّكَ حَتْمًا مَّقْضِيًّا ثُمَّ نُنَجِّي الَّذِينَ اتَّقَوا وَّنَذَرُ الظَّالِمِينَ فِيهَا جِثِيًّا

“Nuk ka asnjë prej jush që të mos kalojë mbi të (mbi xhehenem). Kjo është dispozitë e caktuar nga Zoti yt. Pastaj, Ne do t’i shpëtojmë ata që e patën frikë Allahun dhe qenë të përkushtuar e të bindur ndaj Tij dhe do t’i lëmë dhalimunët (keqbërësit, politeistët) atje (në xhehenem) të poshtëruar në gjunjë.” 1

Besimtarët do të vijnë aty e do të shpëtojnë. Kafiri nuk do të vijë fare. Ata as nuk do ta shkelin atë; ata dërgohen drejt në xhehenem. Njerëzit do ta kalojnë atë sipas veprave të tyre. Disa e bëjnë këtë në një moment (sa hap e mbyll sytë), të tjerë si një vetëtimë, disa si era, disa si kuaj të shpejtë, të tjerë si devetë. Disa do të vrapojnë mbi të, të tjerë do të ecin mbi të, disa do të zvarriten mbi të dhe disa do të kapen dhe do të hidhen në xhehenem. Ura në të vërtetë ka grepa që kapin njerëzit sipas veprimeve të tyre.

Vetëm besimtari i vërtetë do të shpëtojë. Gjithë të tjerët do të hyjnë në zjarr. Disa do të lëndohen por do të shpëtojnë në fund. Të tjerë do të rrëzohen në të. Secili ndëshkohet sipas mëkateve të tij. Pastaj Allahu i nxjerr ata nga zjarri dhe i futë ata në xhenet. Kufarët mbeten në xhehenem. Ata muslimanë që futen në xhehenem do të ndëshkohen aty për një kohë të caktuar dhe sipas mëkateve të tyre. Pastaj Allahu ua lejon ndërmjetësimin atyre. Njëri prej tyre është profeti ynë Muhammed ﷺ i cili posedon ndërmjetësimin më të madh. Allahu do ta lejoj atë ﷺ të ndërmjetësojë për mëkatarët që të dalin nga xhehenemi. Ai ﷺ do të ndërmjetësojë katër herë, secilin herë numri i mëkatarëve që do të dalin vendoset prej Allahut. Mbeten në xhehenem njerëzit e këtij umeti për të cilët nuk do të ketë ndërmjetësim. Atëherë, Allahu (subhanehu ue te ala) i nxjerr ata me mirësinë dhe mëshirën e Tij dhe i futë në xhenet. Kur ata të kenë braktisur xhehenemin ata zhyten në lumin e jetës në mënyrë që ata fillojnë të mbijnë sikurse një farë. Pasi të ketë përfunduar formimi i tyre, Ai i lejon ata të hyjnë në xhenet2.


1 Merjem 19:71-72.

2 Bukhari (6560) dhe Muslimi (184).

Shpërndaje: