Një tjetër cilësi që duhet ta ketë gruaja e devotshme është që ajo të largohet nga shejtani i mallkuar, misioni i shejtanit në këtë jetë është shkatërrimi, ai shkatërron fenë, moralin, marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, bashkëjetesën, vëllazërinë dhe gjithçka tjetër që përmban mirësi, çdo ditë dërgon dërgues dhe ushtarë për të përmbushur detyrat me të cilat i ngarkon, medito mbi hadithin që e transmeton Muslimi (2813) në Sahihun e tij nga Xhabir bin Abdilah -radijAllahu anhuma-, se profeti ﷺ ka thënë:
“Me të vërtetë, Iblisi vendos fronin e tij mbi ujë (det), pastaj dërgon ushtrinë e tij (në misione të ndryshme). Më afër tij në pozitë është ai që bënë sprovën më të madhe. I vjen një shejtan dhe i thotë: “Kam bërë këtë dhe atë.” Iblisi i thotë: “Nuk ke bërë asgjë.” Pastaj i vjen një shejtan tjetër dhe i thotë: “Nuk e braktisa atë derisa bëra që të ndahet prej gruas së tij.” Iblisi e afron atë pranë vetes dhe i thotë: “Sa i mirë je!”
Prandaj ai dërgon ushtarët dhe emisarët e tij për të bërë shkatërrime, ai që bëhet më i afërti i Iblisit është ai që shkakton problemet më të mëdha mes njerëzve.
El-A’mesh ka thënë se shejtani e përqafon dhe e afron ushtarin, i cili shkakton që gruaja dhe burri të ndahen.
Gruaja e drejtë duhet ta ketë parasysh dhe ta kuptojë këtë fakt, të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe burri, që të dy duhet ta kuptojnë se ekziston një armik i tyre i fshehur, ai të sheh ty por t’i nuk mund ta shohësh atë, ai ecën brenda teje sikurse gjaku në venat tuaja, ai pështyn dhe pëshpërit, bën komplote dhe planifikon, ai i bën të gjitha këto ndërsa ti nuk e sheh atë, ai e bind zemrën tënde dhe zemrën e saj, ai vjen me dyshime që shpien në urrejtje, ai ka shumë mënyra me të cilat vepron.
Prandaj sunneti ka ardhur me rregulla që e mbrojnë njeriun nga shejtani kur njeriu hynë në shtëpinë e tij, kur bën marrëdhënie intime, kur ushqehet, kur zemërohet, dhe në gjitha çështjet e tjera në të cilat njerëzit janë në nevojë për t’u mbrojtur nga shejtani, në mënyrë që ai të mos ketë hyrje dhe ndikim në familjet tuaja, në shtëpitë dhe pasardhësit tuaj, prandaj, çdonjëri duhet të mbrojë veten e tij me lutje të ndryshme, me lexim të Kuranit fisnik, nëpërmjet lutjeve të transmetuara në sunnet, duke i shoqëruar këto me bindje të plotë në Allahun dhe me adhurim të duhur kushtuar Atij.
Prandaj gruaja e mirë duhet të qëndrojë larg nga komplotet e shejtanit, dyshimet dhe planet që ai kurdis në shpirtrat e njerëzve përmes së cilave shkatërrohen marrëdhëniet bashkëshortore dhe prishet jeta brenda familjes. Sa familje dhe shtëpi kanë pësuar ndarje mes vete për shkak se i janë bindur shejtanit dhe kanë pasuar dyshimet nga ai? Nëse secili prej bashkëshortëve do të kërkonte mbrojtjen e Allahut kundër shejtanit të mallkuar dhe t’i shmangej komploteve dhe pëshpëritjeve të tij, nuk do të kishin ndodhur problemet e lartpërmendura. Sa shtëpi janë shpartalluar për shkak se i janë bindur shejtanit? Pastaj ky shejtan shkon tek Iblisi për t’u afruar tek ai, duke i rrëfyer sesi ai i ka ndarë dy bashkëshortët.
Është një gjë e dobishme që duhet ta kesh parasysh: “Ky armik i fshehur që të sheh ty dhe të cilin ti nuk mund ta shohësh, ka eksperiencë të madhe. Kur flitet sot rreth disa punonjësve të korporatave dhe për eksperiencën e tyre, bëhet fjalë për më së shumti pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vite eksperiencë, ndërsa eksperienca e shejtanit për t’i devijuar njerëzit, për t’i tërhequr nga rruga e Allahut dhe për të përhapur armiqësi ndërmjet tyre është mijëra vjeçare, sa shumë njerëz kanë vdekur dhe janë varrosur pasi të kenë qenë të burgosurit e shejtanit dhe pasi të kenë rënë në shkatërrimin dhe devijimin e tij? Prandaj familjet muslimane duhet të mbrohen dhe të qëndrojnë larg nga shejtani i mallkuar.”