“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

6.Besimi në gjashtë shtyllat e besimit

Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Burimi: Të mësuarit Teuhidin fëmijëve, fq. 18-21

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Besimi ka 6 shtylla. Ato janë që të besosh në:

1 – Allahun.

2 – Engjëjt e Tij.

3 – Librat e Tij.

4 – Të dërguarit e Tij.

5 – Ditën e ringjalljes.

6 – El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij.

Dëshmia për këtë është hadithi i vërtetë i transmetuar nga Umer bin el-Khatabi (radijAllahu anhu):

”Një ditë, kur ne ishim ulur me të dërguarin e Allahut, një njeri erdhi tek ne me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zinjë. Tek ai nuk dukeshin shenjat e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njihte atë. Ai u ul pranë profetit ﷺ dhe i mbështeti gjunjët e tij me gjunjët e profetit dhe i vendosi duart e tij mbi kofshët e tij.

Ai tha: ”O Muhammed, më informo mua rreth Islamit!”

I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjëroshë Ramazanin dhe të bësh haxhin në shtëpinë e shenjtë nëse ke mundësi.”

Ai tha: ”Ke thënë të vërtetën.”

Ne u befasuam sepse ai e pyeste atë dhe pastaj ia konfirmonte se ai e kishte thënë të vërtetën.

Pastaj tha: ”Më informo rreth imanit!”

I dërguari i Allahut ﷺ tha:

”Imani është të besosh në:

1 – Allahun.

2 – Engjëjt e Tij.

3 – Librat e Tij.

4 – Të dërguarit e Tij.

5 – Ditën e ringjalljes. 

6 – El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij.”

Ai tha: ”Ke thënë të vërtetën.” Më informo rreth Ihsanit!”

I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Ta adhurosh Allahun sikurse po e sheh Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, vërtet Ai të sheh ty.”

Ai tha: ”Më njofto rreth çastit.”

I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”I pyeturi nuk di më shumë se pyetësi.”

Ai tha: ”Më lajmëro për shenjat e tij!”

I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Robëresha do të lind zonjën e saj, dhe do ti shihni barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur dhe të varfër se si do të garojnë në ndërtimin e ndërtesave të larta.” Pastaj ai shkoi dhe unë mbeta ulur për një kohë të gjatë.

Pastaj i dërguari i Allahut ﷺ tha: ”O Umer, a e di se kush qe pyetësi?”

Unë u përgjigja: ”Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.”

I dërguari i Allahut ﷺ tha: ”Ai ishte Xhibrili që erdhi tek ju për t’jua mësuar fenë tuaj.” Muslimi (8)

Shpërndaje: