Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

6.Besimi i saktë lidhur me librat e Allahut

Shejkh Abdus-Selam bin Berxhas

Burimi: el-Mu’takad es-Sahih

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Besimi në librat

Kurse sa i përket besimit në librat e shpallura, Allahu (te ala) zbriti libra me çdo të dërguar, Ai (te ala) ka thënë:

”Ne i dërguam të dërguarit Tanë me argumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata libra dhe drejtësinë me qëllim që njerëzimi të përmbajë drejtësinë.” 57:25

Ai (te ala) gjithashtu ka thënë:

Njerëzit ishin në një fe të vetme (në fenë e natyrshme Islame) e kur u përçanë Allahu dërgoi tek ata profetë, përgëzues dhe tërheqjevërejtës, dhe atyre (profetëve) iu zbriti librin me të vërtetën, që të jetë gjykues ndërmjet njerëzve për atë që u kundërshtuan ndërmjet veti. Në atë libër kundërshtuan vetëm ithtarët e librit, të shtyrë nga urrejtja ndaj njëri-tjetrit. Mirëpo Allahu me vullnetin (dhe mëshirën e tij) ata që besuan (umetin e Muhamedit) i udhëzoi në të vërtetën e asaj për çka ishin kundërshtuar ithtarët e librit më parë. Allahu udhëzon në rrugë të drejtë atë që dëshiron.” 2:213

Ne besojmë në këto libra, e dimë se ato janë nga Allahu dhe i nënshtrohemi fjalëve të Tij (te ala):

”Ju (besimtarë) thuani: ”Ne i besuam Allahut, besuam atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë fise), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre profetëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm Atij i jemi bindur.” 2:136

”O ju që besuat, besoni vazhdimisht Allahut, të dërguarit të Tij, librit që gradualisht ia shpalli të dërguarit të Tij dhe librit që e pat zbritur më parë. Kush nuk i beson Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dëguarve të Tij dhe botës tjetër, ai ka humbur tepër larg.” 4:136

”Thuaj: ”Unë besojë në librat që Allahu ia ka shpallur të dërguarve të Tij.” 42:15

”Elif, Lam, Mim. Ky është Libri mbi të cilin nuk ka asnjë dyshim, udhëheqje për El-Muttekunët (që janë njerëz të përkushtuar dhe besimtarë të drejtë). Të cilët besojnë në ghaib (të fshehtën e të panjohurën), kryejnë edhe faljen dhe shpenzojnë nga gjithçka me të cilat Ne i kemi furnizuar. Dhe ata të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër.” 2:1-4

Ne besojmë se këto libra janë fjalë e Allahut (azze ue xhel) dhe të askujt tjetër. Allahu (te ala) ka folur me to në të vërtetë ashtu sikurse ka dëshiruar Ai.

Një mënyrë është: ajo që dëgjohet prapa një perdeje pa ndërmjetësues. Për shembull, Allahu i foli Musait ﷺ me fjalë në të vërtetë pa ndonjë ndërmjetës. Ai (te ala) ka thënë:

”E kur Musai erdhi në kohën që ia caktuam dhe i foli Zoti i vet.” 7:143

”Ai (Allahu) tha: ”O Musa, Unë të kam zgjedhur ty mbi njerëzit me shpalljen Time dhe me të folurit Tim. Merre atë që ta dhash dhe bëhu mirënjohës.” 7:144

Fjalë të tjera të Allahut (te ala) janë ato që ua tregon të dërguarve engjëj që t’i përcjellin tek të dërguarit prej njerëzve. Ai (te ala) ka thënë:

”Nuk ka asnjë njeri që t’i ketë folur Allahu ndryshe vetëm se me anë të frymëzimit ose pas ndonjë perdeje, ose t’i dërgojë të dërguar (engjëll), e ai t’i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i Larti, më i Urti.” 42:51

Besimi në librat e shenjta përfshinë besimin në të gjitha Sheriatet që ato përfshijnë dhe se ishte e detyrueshme për të gjitha umetet të cilave ato u janë shpallur që t’u nënshtrohen atyre dhe të gjykojnë sipas tyre. Këto libra konfirmojnë njëri-tjetrin dhe nuk e përgënjeshtrojnë. Të gjitha librat e para u shfuqizuan njëri pas tjetrit, si për shembull, disa dispozita të caktuara të Teuratit u shfuqizuan me Inxhilin. Ai (te ala) tha në lidhje me Isain ﷺ:

”Dhe (kam ardhë) që t’ju vërtetoj Teuratin që e keni para duarsh, t’ju lejoj disa gjëra që u ishin ndaluar juve.” 3:50

Sikurse që Kurani shfuqizoi librat paraprake qiellore. Ai (te ala) ka thënë:

”Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kuranin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre.” 5:48

”Po ai (Kurani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për botën (e njerëzve e të xhinëve).” 58:52

Besimi në librat e Allahut duhet të jetë i përgjithshëm në atë që është përmendur në përgjithësi, dhe në mënyrë specifike në atë që është përmendur në mënyrë specifike. Disa emra të librave Allahu (te ala) i ka përmendur në mënyrë specifike. Librin të cilin Allahu ia shpalli Musait quhet ”Teurat”, Libri i Isait quhet ”Inxhil”, Daudit iu shpallë ”Zeburi” dhe Muhammedit iu shpall ”Kurani”. Përveç kësaj, Allahu (te ala) përmendi fletushkat e Ibrahimit dhe të Musait – (selamet dhe salavatet qofshin me të gjithë ata). Këto libra, ne i besojmë sipas këtij përshkrimi të detajuar.

Allahu ka përmendur edhe shumë libra të tjerë në terma të përgjithshme pa përmendur asgjë rreth tyre. Në këtë mënyrë, ne besojmë në përgjithësi në këto libra. Ai (te ala) ka thënë:

”Thuaj: ”Unë kam besuar në librat që i shpalli Allahu.” 42:15

Ky Kurani fisnik që Allahu ia shpalli profetit tonë Muhammed ﷺ, është libri i fundit qiellor dhe kështu nuk trashëgohet nga asnjë tjetër. Ky anulon të gjithë librat e mëparshme dhe vlen për të gjithë njerëzit dhe xhinët. Ai (te ala) ka thënë:

”Po ai (Kurani) nuk është tjetër vetëm se këshillë për botën (e njerëzve e të xhinëve).” 68:52

Ai përfshinë çdo gjë që njeriu ka nevojë në fenë dhe jetën e tij. Ai (te ala) ka thënë:

”Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.” 5:3

Kurani është një mrekulli dhe askush nuk mund të vijë me një që i ngjason atij. Ai (te ala) ka thënë:

”Thuaj: ”Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin.” 17:88

Ai (te ala) gjithashtu ka thënë:

”Atij (kuranit) nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” 41:42

Kurani është i ruajtur nga çdo shtim dhe mangësim. Ai (te ala) ka thënë:

”Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe sigurisht Ne do ta ruajmë atë.” 15:9

Shpërndaje: