Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Burimi: Fadl-ul-Islam, fq. 19-22
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu (te ala) ka thënë:
هُوَ سَمَّاكُمُ الْمُسْلِمينَ مِن قَبْلُ وَفِي هَذَا
”Është Ai (Allahu) që ju ka emëruar ju muslimanë edhe më parë (në librat e shenjta), edhe në këtë (Kuran).” 1
El-Harith el-Esh’ari (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
”Ju urdhëroj pesë gjëra me të cilat Allahu më ka urdhëruar mua; dëgjimin, bindjen, luftën, emigrimin dhe xhematin. Ai që e braktis xhematin sa një pëllëmbë ka hequr besën e Islamit nga qafa derisa të kthehet. Ai që lutet sikurse në kohën e injorancës dhe thërret në gjëra dhe thirrje të injorancës është prej banorëve të xhehenemit.” Një njeri tha: ”O i dërguari i Allahut! Edhe në qoftë se falet dhe agjëron?” Ai u përgjigj: ”Edhe nëse falet dhe agjëron. O robër të Allahut! Prandaj thirrni me thirrjen e Allahut i Cili ju ka quajtur ”musliman” dhe ”besimtarë”.” 2
Transmetuar nga Ahmedi dhe Tirmidhi i cili tha:
”Hadithi është i mirë dhe autentik.”
Është transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
”Ai që e braktis xhematin sa një pëllëmbë dhe vdes, vdes me vdekje së kohës së injorancës.”
Profeti ﷺ ka thënë:
”A po thërrisni me thirrje të injorancës ndërsa unë jam në mesin tuaj?”
Ebul-Abbasi ka thënë:
”Të gjithë emrat që devijojnë nga Islami dhe Kurani qofshin ato të asocijuar me pemën familjare, vendet, racat, sektet, i përkasin tipareve të xhahilijetit. Kur një njeri nga Muhaxhirët u grind me një burrë nga Ensarët dhe secili i thirri popullit të tij, profeti ﷺ tha:
”A po thërrisni me thirrje të injorancës ndërsa unë jam në mesin tuaj?”
Ai u zemërua shumë për shkak të këtij veprimi.” 3
1 Haxh 22:78.
2 Ahmedi (4/130), Tirmidhi (2863), Ibn Hibani (14/125), Ibn Khuzejmeh (3/195) dhe të tjerët.
3 es-Sijeseh esh-Shar’ijeh (1/82).