Edukata e mirë
Kjo do të thotë që gruaja t’i edukoj mirë fëmijët e saj. Ngase fëmijët e saj janë e ardhmja e burrave dhe e grave të umetit. Kur njeriu të dalë në këtë jetë përfitimet e para i kanë nga nëna e vet, prandaj kur nëna ka moral dhe edukatë të mirë, ka sjellje të mira, e edukon fëmijën ashtu siç duhet dhe ia mëson atë çka duhet t’i mësohet, padyshim se ajo do të ketë ndikim shumë të madh në përmirësimin e umetit në gjeneratat e ardhshme.
Prandaj është e obligueshme që gruaja e cila ka fëmijë, që të kujdeset denjësisht për fëmijët e saj, t’i edukoj ata ashtu siç është e detyrueshme dhe të kërkoj ndihmën e dikujt prej familjarëve nëse nuk mund ta bëj këtë e vetme. Të kërkoj ndihmën e burrit të saj apo dikujt tjetër nëse fëmijët nuk e kanë babanë prezent apo u ka vdekur babai. Pra le të kërkoj ndihmën e vëllezërve, xhaxhallarëve të fëmijëve, nipërve apo kujtdo qoftë prej të afërmve.
Femra nuk duhet të bie preh e ndryshimeve të kohës. Nuk duhet të thotë se njerëzit janë bërë të tillë dhe unë nuk mund të ndryshoj asgjë. Ngase sikurse të gjenim të gjithë ne arsye të tilla, të dorëzoheshim ndaj ndryshimeve të kohës, atëherë kurrë nuk do të ishim përmirësuar sepse përmirësimi duhet të jetë përmes rrugëve të duhura. Dhe është e patjetërsueshme që ajo që është rregulluar mirë të shndërrohet në diçka që është edhe më e mirë dhe edhe më në rregull, dhe të mos anashkalohet sepse dorëzimi përpara ndryshimeve (lajthitjeve) të kohës, nuk bën pjesë në sheriatin Islam. Për këtë arsye kur u dërgua Muhammedi ﷺ profet për umetin të cilët adhuronin idhuj, të cilët nuk i mbanin lidhjet farefisnore, bënin padrejtësi, bënin zullum, ai kurrë nuk iu dorëzua atyre në këto lajthitje. Jo vetëm kaq por Allahu (azze ue xhel) nuk ia lejoi një gjë të tillë, kur i tha atij:
فَاصْدَعْ بِمَا تُؤْمَرُ وَأَعْرِضْ عَنِ الْمُشْرِكِينَ
“Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar dhe largohu nga idhujtarët.” 15:94
Në këtë ajet shohim se si Allahu (azze ue xhel) e urdhëron të dërguarin e tij ﷺ që ta paraqes të vërtetën haptazi, të largohet njëherë e përgjithmonë nga idhujtaët dhe ta heq nga mendja armiqësinë e tyre ndaj tij derisa të vijë momenti i duhur. Në realitet kjo ndodhi. Dhe lirisht mund të themi se prej urtësisë është që të ndodh ndryshimi por jo me shpejtësinë që mbetet vetëm dëshirë individuale sepse shoqëria e kësaj kohe janë larg të vërtetës dhe përmirësimit në të cilin duhet të jenë. Në gjendjen e tillë është e detyrueshme që njeriu t’i jap përparësi gjërave që janë më të rëndësishme ndaj gjërave që janë në kategori më të ulët. Pra, duhet që njeriu të filloj përmirësimin nga gjërat e rëndësishme e pastaj të kaloj në gjërat që janë të rëndësishme sipas radhës dalëngadalë derisa të arrihet ajo që duhet të arrihet.