Kur Allahu -te ala- dëshiroi t’i mëshirojë dhe t’i nderojë robërit e Tij duke ua dërguar profetin ﷺ. Allahu e bëri atë të kërkonte vetminë dhe meditimin. Profeti ﷺ kishte zakon të bënte ibadet në shpellën Hira, duke kaluar kohë në adhurim dhe reflektim. Ky ishte një zakon i ibadetit që praktikohej asokohe, dhe këtë e përmendi Ebu Talibi në poemën e tij të njohur, të quajtur El-Lamijjeh.
E vërteta e befasoi atë ndërsa ishte në shpellën Hira. Ishte muaji i Ramazanit dhe ai ishte dyzet vjeç.
Ai u befasua nga engjëlli që i tha: “Lexo.”
Ai ﷺ u përgjigj: “Nuk di të lexoj.”
Engjëlli e shtrëngoi aq fortë sa që nuk mund të mbahej më. Pastaj e lëshoi dhe i tha: “Lexo.”
Ai ﷺ u përgjigj: “Nuk di të lexoj.”
Kjo ndodhi tre herë, pastaj engjëlli i tha:
”Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i Madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” El-Alak, 96:1-5
Transmeton Bukhari (3).
I dërguari i Allahut ﷺ u kthye në shtëpi duke u dridhur. Ai i tregoi Khatixhes se çfarë kishte ndodhur dhe tha:
“Kisha frikë për mendjen time.”
Ajo e qetësoi duke thënë:
“Assesi! Betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty sepse ti i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, u jep nevojtarëve, i nderon dhe i ushqen mysafirët, dhe i del në ndihmë atij që e ka goditur fatkeqësia.”
Ajo përmendi disa nga cilësitë e tij të shkëlqyera për të treguar besimin e saj tek ai, për ta qetësuar dhe për ta mbështetur me të vërtetën. Për këtë arsye ajo ishte personi i parë që e besoi atë. Allahu qoftë i kënaqur me të dhe e nderoftë atë!
Më pas kaloi koha që Allahu deshi të kalonte, pa i zbritur shpallje të dërguarit të Allahut ﷺ. Shpallja u ndërpre, pas së cilës ai dëshironte të hidhej nga majat e maleve. Ajo që e bëri të ndihej kështu ishte dëshira dhe kënaqësia që ndjente nga ajo që përjetonte prej shpalljes së Allahut. Disa thonë se pauza e shpalljes zgjati dy vite ose edhe më gjatë. Pas kësaj periudhe engjëlli iu shfaq atij ﷺ përsëri duke qëndruar ulur në një karrige mes qiellit dhe tokës. Ai e qetësoi të dërguarin e Allahut ﷺ dhe e konfirmoi se ai me të vërtetë ishte i dërguari i Allahut. Kur i dërguari i Allahut ﷺ e pa engjëllin, u trondit dhe shkoi te Khatixhja, duke i tha: “Më mbulo, më mbështjell!”
Atëherë Allahu i shpalli atij:
”O ti i mbështjellë! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje, petkat e tua pastroji!” El-Mudethir, 1-4
Periudha e parë lidhej vetëm me shpalljen dhe përgatitjen e profetit ﷺ për detyrën e tij hyjnore. Më pas Allahu -subhanehu ue te ala- e urdhëroi me ajetin:
”Çohu dhe paralajmëro!”
Periudha e parë lidhej vetëm me profetësinë dhe pranimin e shpalljeve. Pastaj Allahu e urdhëroi në këtë ajet që të paralajmëronte popullin e tij dhe t’i thërriste ata në fenë e Allahut. Profeti ﷺ e mori këtë detyrë me seriozitet të madh dhe iu bind Allahut në mënyrën më të përkryer. Ai thërriti të moshuar dhe të rinj, të lirë dhe skllevër, burra dhe gra, të zinj dhe të kuq. Nga çdo fis, robërit e Allahut iu përgjigjën thirrjes së tij. I pari që pranoi Islamin ishte Ebu Bekri -radijAllahu anhu-, i njohur gjithashtu si Abdullah bin Uthman Et-Tejmi. Ai i dha mbështetje të fuqishme fesë së Allahut, duke përdorur dijen, urtësinë dhe përkushtimin e tij për të thirrur të tjerët në Islam krah për krah me profetin ﷺ. Përmes thirrjes së tij disa nga sahabët më të mëdhenj si Uthman bin Afani, Talhah dhe S’ad bin Ebi Uekasi -radijAllahu anhum- e pranuan Islamin. Aliu -radijAllahu anhu- e pranoi Islamin në një moshë shumë të re. Disa mendojnë se ishte tetë vjeç, të tjerë thonë se ishte më i moshuar, ndërsa disa thonë se ai e pranoi Islamin para Ebu Bekrit. Megjithatë, ky mendim është kundërshtuar nga disa dijetarë. Konvertimi i Aliut ndryshonte nga ai i Ebu Bekrit pasi që Aliu jetonte me të dërguarin e Allahut ﷺ. Profeti ﷺ e kishte marrë Aliun nga xhaxhai i tij për ta ndihmuar atë gjatë një periudhe të vështirë. Po ashtu ndër të parët që pranuan Islamin ishin Hatixhja -radijAllahu anha- dhe Zejd ibn El-Haritheh.
Prifti Uarakah bin Neufel gjithashtu pranoi Islamin. Ai e konfirmoi shpalljen që iu dha të dërguarit të Allahut ﷺ dhe shprehu dëshirën që të ishte i ri në moshë për ta mbështetur atë. Kjo ndodhi në fillimet e shpalljes.
Në një hadith thuhet se i dërguari i Allahut ﷺ e pa atë në ëndërr dhe se Uarakah ishte në një gjendje të mirë.”
Transmeton Tirmidhi (2288). Hadithi është i dobët sipas Albanit.
Një hadith tjetër thotë:
“Unë e pashë priftin me rroba të bardha.”
Bukhari dhe Muslimi transmetojnë se Khatixheh e çoi të dërguarin e Allahut ﷺ tek Uarakah bin Neufel. Profeti ﷺ i tregoi atij se çfarë i kishte ndodhur me Xhibrilin -alejhis selam-. Atëherë Uarakah bin Neufel tha: “Ai është Namusi (engjëlli) që iu dërgua Musait, birit të Imranit.”
Ata, zemrat e të cilëve Allahu i kishte ndriçuar me dritën e Islamit, e pranuan fenë e Tij duke parë qartësinë dhe drejtësinë e saj. Kjo shkaktoi zemërimin dhe urrejtjen e paganëve mendjelehtë të Mekës, të cilët filluan t’i keqtrajtonin dhe t’i torturonin ata që kishin hyrë në Islam. Allahu e mbrojti të dërguarin e Tij ﷺ përmes xhaxhait të tij, Ebu Talibit, një njeri fisnik dhe me ndikim të madh në mesin e njerëzve të tij. Ata nuk guxonin t’i bënin asnjë të keqe Muhamedit ﷺ, pasi e dinin dashurinë e madhe dhe përkushtimin që Ebu Talibi kishte për të. Me urtësinë e Tij, Allahu bëri që Ebu Talibi të vdiste në fenë e popullit të tij sepse kjo ishte pjesë e urtësisë së Tij. Ndërkohë i dërguari i Allahut ﷺ vazhdoi të thërriste në Islam, ditë e natë, haptazi dhe fshehurazi, pa u ndalur asnjëherë. Ai nuk u trembej mosmiratimit të njerëzve dhe për hir të Allahut, asgjë nuk e largonte nga misioni i tij.
Hadithi i plotë është: Aishah -radijAllahu anha- rrëfeu: “Fillimisht, të dërguarit të Allahut ﷺ shpallja i vinte në formë të ëndrrave të mira në gjumë. Nuk ndodhte që të shihte ndonjë ëndërr e pastaj të mos i realizohej sikurse drita e agimit. Pas kësaj iu bë e dashur vetmia. Vetmohej në shpellën Hira ku bënte adhurim me net të tëra derisa përmallej për familjen e vet dhe rikthehej tek ata. Furnizohej me ushqimet e nevojshme dhe shkonte e vetmohej prapë. Pastaj kthehej te Khadixhja dhe furnizohej për net të tjera vetmie. Kështu vazhdoi derisa i erdhi e vërteta ndërsa ishte në shpellën Hira. Aty i vajti meleku dhe i tha: “Lexo!”
Ai ﷺ i ktheu: “Nuk di të lexoj.”
Profeti ﷺ rrëfen: “Më kapi dhe më shtrëngoi aq fort saqë nuk mund të duroja më, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!”
I thashë: “Nuk di të lexoj.”
Sërish më kapi dhe më shtrëngoi aq fort, saqë nuk mund të duroja më, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!”
I thashë: “Nuk di të lexoj.”
Më kapi për herë të tretë dhe më shtrëngoi, pasi më lëshoi, tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i Madh.” El-Alak, 96:1-3
Duke i rrahur zemra pareshtur, i dërguari i Allahut ﷺ me këto ajete u kthye te Khadixhja bint Hu’uejlid dhe i tha: “Më mbulo, më mbështjell!”
Ajo e mbuloi derisa iu largua frika. Pastaj, ai i tregoi Khadixhes për ndodhin dhe i tha: “U frikësova për veten time!”
Khadixheh i tha: “Assesi! Betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty sepse ti i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, u jep nevojtarëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që e ka goditur fatkeqësia.”
Pas kësaj, Khadixhah e shoqëroi për te Uarakah ibn Neufel ibn Esed ibn Abdul-Uzza, djali i axhës së Khadixhes, i cili ishte bërë i krishterë në periudhën paraIslame dhe njihte mirë shkrimin e gjuhës hebreje. Ai mund të shkruante pjesë të Inxhilit në gjuhën hebreje, aq sa ia kishte mundësuar Allahu. Ishte i shtyrë në moshë dhe i verbër.
Khadixheh i tha: “O djali i axhës tim, dëgjoje nipin tënd.”
Urakah i tha profetit ﷺ: “Fol, o nip, çfarë ke parë?
I dërguari i Allahut ﷺ i tregoi çfarë kishte parë.
Uarakah i tha: “Atë që ke parë është Namusi (Xhibrili) që Allahu e kishte dërguar më parë te Musai ﷺ. Ah, sikur të isha i ri e të isha gjallë kur populli yt të të dëbojë!”
I dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Vërtet do të më dëbojnë?!”
Uarakah i tha: “Po, nuk ka ndodhur që dikush të jetë paraqitur me atë që ke ardhur ti e të mos e kenë armiqësuar njerëzit, e nëse e arrij këtë ditë, do të të ndihmoj sa të kem fuqi.”
Mirëpo nuk kaloi shumë kohë e Uarakah vdiq, kurse shpallja u ndal për një kohë.
Transmeton Bukhari (3).
Hadithi i plotë: Xhabir ibn Abdullah Ensari -rrëfeu: “Teksa profeti ﷺ po tregonte rreth periudhës së ndërprerjes së shpalljes, tha:
“Ndërsa ecja, dëgjova një zë nga qielli. Kur ngrita shikimin, pashë të njëjtin melek që më pati ardhur në shpellën Hira, ulur në një karrige ndërmjet qiellit dhe tokës. Më kaploi frika nga kjo pamje, andaj sërish u ktheva tek Khatixhja, e thashë: “Më mbuloni!, Më mbuloni!” Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli: “O ti i mbështjellë! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje, petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!” El-Mudethir, 74:1-5
Që atëherë, shpallja vazhdoi të zbriste pa u ndërprerë.
Transmeton Bukhari (4).