Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

6.Gratë më të mira

Shejkh Abdurr-Rrezak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abbad
Sifetuz-Zeuxhetus-Salihah
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Prej cilësive të gruas së devotshme është ajo që transmetohet në Sunenin e Bejhakiut (7/82) nga Ebu Udhejneh, i cili tregon se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Gratë më të mira janë ato që lindin shumë fëmijë, që janë të dashura, mbështetëse dhe të bindura nëse e kanë frikë Allahun. Gratë më të këqija janë ato të zhveshurat mendjemëdha dhe ato janë hipokrite. Nuk do të hyjnë në xhenet prej tyre përveç si shembulli i korbit ea’sam (që i ka krahët dhe këmbët e bardha).”

Hadithi është i saktë sipas imam Albanit në “es-Sahihah (1849)”.

Shikoni këto cilësi të gruas së devotshme:

“…që janë të dashura…”

Dashuria është cilësi fisnike dhe tipar i lavdëruar i gruas së devotshme, bashkëshorte e begat siç është ajo. Do të thotë se ajo dashuron dhe jep dashuri. Më meritorët në këtë gjë janë bashkëshortët. Gruaja duhet ta bëjë burrin e saj që ai ta dojë atë, të ngjall emocionet e tij, të krijojë simpatinë dhe tërheqjen me fjalë dhe biseda të bukura. Gjithashtu ajo duhet ta bëjë burrin që ta dojë atë duke u sjellë mirë me të dhe duke u zbukuruar për të. Të dashura duhet të jenë me anë të të folurit, qëndrimit, dukjes, veprave, moralit dhe karakterit që kanë.

“…ato që lindin shumë fëmijë…”

Fjala është për atë që lind shumë fëmijë, kjo është një cilësi e lavdërueshme tek gruaja, gruaja e tillë është nga gratë më të mira. Nëse ajo nuk mund të ketë fëmijë për shkak të ndonjë sëmundjeje apo të ndonjë problemi tjetër nuk do të thotë se ajo nuk përfshihet nga ky hadith. Allahu nuk do ta gjykojë në lidhje me këtë dhe kjo gjë nuk e dëmton aspak, prandaj kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e devotshme. Ndërsa nëse ajo është frytdhënëse dhe parandalon shtatzëninë dhe nuk dëshiron që të ketë më shumë pasardhës, në këtë rast ajo dëmton veten e saj.

Profeti ka thënë:

“Martohuni me gra të dashura dhe që lindin shumë fëmijë. Unë do të garoj me ju ndaj popujve të tjerë në ditën e gjykimit.” 

Transmeton Ahmedi (12613) nga Enesi -radijAllahu anhu-. Hadithi është i saktë sipas imam Albanit në “Iruaul-Galil (1784)”.

Prandaj gruaja duhet të luftojë që t’i marrë shkaqet e duhura për të pasur fëmijë, t’i edukojë dhe të kujdeset për ta ashtu siç duhet. Prandaj ajo duhet të shpresojë në shpërblimin e Allahut ngase me veprimet e tilla ajo bën që shoqëria të ketë fëmijë të mirë, e të nesërmen do të jenë thirrës të drejtë dhe përmirësues të shoqërisë. Kjo gjë qysh në fillim të martesës duhet të gjejë vend tek ajo, duke thënë me vete:

 “Shpresoj që Allahu të më nderoj duke më dhënë fëmijë të cilët në të ardhmen do të jenë imamë udhëzues, dijetarë të muslimanëve ose thirrës në të mirë!” 

Prandaj asaj i shkruhet shpërblim i madh duke mos lënë anash edhe shumëfishimin e shpërblimit kur ajo kujdeset dhe i edukon ata ashtu siç duhet.

“…mbështetëse …”

Do të thotë se ajo nuk duhet të jetë e vrazhdë dhe e ashpër, duhet të dëgjojë e të bindet, nuk duhet të jetë arrogante dhe kryelartë ndaj burrit, nuk duhet ta nënçmojë atë e as nuk duhet të jetë e pabindur dhe sfiduese.

“… dhe të bindura …”

Do të thotë se ajo i jep kurajo burrit të saj dhe e përkrah atë, e ndihmon në mirësi, në bindje ndaj Allahut dhe në çdo gjë që sjell lumturinë dhe suksesin ndërmjet tyre.

“…nëse ato e kanë frikë Allahun.”

Do të thotë se këto cilësi janë të dobishme vetëm kur gruaja ka frikë Allahun -xhele ue ala-. Nëse ajo lind shumë fëmijë, është e dashur, mbështetëse dhe e bindur për shkak të qëllimeve të kësaj bote dhe jo nga frika ndaj Allahut, ajo nuk përfiton nga këto cilësi. Këto cilësi sjellin dobi vetëm nëse i bën këto për ta arritur kënaqësinë e Allahut -xhele ue ala- dhe të jetësosh frikën ndaj Tij.

“Gratë më të këqija janë ato të zhveshurat…”

Do të thotë se tërheq vëmendjen me zbukurimin e saj dhe del nga shtëpia e stolisur, e rregulluar, duke i shfaqur bukuritë e saj, e parfumuar dhe zbukuruar. Në këtë mënyrë, shejtani mund t’i shkojë pas dhe nëpërmjet saj ta shkatërrojë shoqërinë. Gruaja e cila tërheq vëmendjen, e cila del jashtë shtëpisë në këtë mënyrë, vërtetë ajo është nga ushtaret e Iblisit dhe është ndihmësja e tij në shkatërrim, motivi i shejtanit është që nëpërmjet saj të përhap sprova dhe veprime amorale në mesin e besimtarëve.

“…mendjemëdha…”

Do të thotë arrogante ngase mendjemadhësia është prej arrogancës. Ekziston një lidhje mes tërheqjes së vëmendjes dhe mendjemadhësisë sepse gruaja e cila del nga shtëpia dhe ecën rrugëve e dyqaneve në një formë që tërheq vëmendjen tek njerëzit me zbukurimin e saj, parfumimin dhe rregullimin e saj, e tilla nuk mund të jetë njëkohësisht modeste dhe e përulur para Allahut -te ala-, përkundrazi, ajo në këtë rast është kryelartë, famëdashëse dhe mendjemadhe, ajo është e dhënë pas vetes, formës dhe pamjes së saj. Pra ekziston një lidhje mes tërheqjes së vëmendjes së të tjerëve dhe mendjemadhësisë, në të njëjtën mënyrë siç ekziston një lidhje mes të qenurit e turpshme dhe modeste.

Gruaja modeste është përplot me turp. Pra zemra e saj gjithnjë ndjen turpin. Gruaja e cila tërheq vëmendjen, ajo veçse ka larguar petkun e turpit dhe në vend të tij ka veshur atë të mendjemadhësisë, të vetë dashurisë, të kotës dhe të arrogancës. Kjo e dëmton atë, martesën dhe tërë jetën e saj. Prandaj është e përshkruar si gruaja më e keqe. 

Profeti tha: 

“…Gratë më të këqija janë ato të zhveshurat mendjemëdha dhe ato janë hipokrite. Nuk do të hyjnë në xhenet prej tyre përveç si shembulli i korbit ea’sam (që i ka krahët dhe këmbët e bardha).”

Kur sheh një korb me pika të bardha në krahë dhe në këmbë në mesin e korbave të zi? Është jashtëzakonisht e rrallë ta gjesh një korb të tillë, zakonisht sheh vetëm korba të zi. 

Fjalët e profetit :

“…Nuk do të hyjnë në xhenet prej tyre përveç si shembulli i korbit ea’sam (që i ka krahët dhe këmbët e bardha).

Do të thotë se vetëm disa nga këto gra do të hyjnë në xhenet sepse ky lloj korbi është jashtëzakonisht i rrallë.

Ky hadith është i ngjashëm me fjalët e profetit ﷺ:

“O ju gra! Jepni sadaka dhe kërkoni falje shumë ngase me të vërtetë kam parë se ju përbëni shumicën e banorëve të zjarrit.” 

Transmeton Bukhari (304) nga Ebu Seid el-Khudri -radijAllahu anhu- dhe Muslimi (79) nga Ibn Umeri -radijAllahu anhuma-.

Përse shumica e banorëve të xhehenemit ishin gra? Kur sheh në sunnet në lidhje me cilësitë me të cilat janë përshkruar banorët e xhehenemit, vëren se shumë gra i injorojnë dhe nuk ia vënë mendjen këtyre cilësive, është sikurse ajo nuk kujton se një ditë do të dalë para Allahut dhe do të japë llogari për veprimet e saj. Ajo mund ta dijë çështjen në fjalë dhe rrezikun që përmban por asaj i intereson vetëm epshi dhe dëshira e saj.

Ka shumë hadithe nga profeti ﷺ që flasin për cilësitë e këqija që mund t’i ketë gruaja. Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- ka thënë:

“Profeti ﷺ i mallkoi gratë që ua zgjasin flokët të tjerave dhe kërkojnë t’u zgjaten atyre flokët dhe gratë që u bëjnë tatuazhe të tjerave dhe kërkojnë t’u bëhet atyre tatuazh.” 

Transmeton Bukhari (5947) dhe Muslimi (2124).

Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- ka thënë:

“I dërguari i Allahut ﷺ i ka mallkuar burrat të cilët u ngjasojnë grave dhe gratë që u ngjasojnë burrave.” 

Transmeton Bukhari (5885).

Dhe:

“Profeti ﷺ i ka mallkuar gratë e burrëruara.”1

Transmeton Bukhari (5886).

Këto janë vetëm disa prej haditheve që mallkojnë gratë për shkak të disa cilësive të veçanta, megjithatë ju shihni se sa shumë gra i kanë dëgjuar këto hadithe që mallkojnë dhe përmendin përjashtimin nga mëshira e Allahu, ato që i posedojnë këto cilësi dhe megjithëkëtë nuk brengosen fare, nuk brengosen se një ditë do të qëndrojnë përpara Allahut -subhanehu ue te ala- dhe do të pyeten për veprimet e tyre, veprojnë sikurse nuk do të vijë një ditë kur ato do t’i shtrijnë në varr e t’u hedhet dhe mbi trup, dhe nuk do të përjetojnë trishtime në to. Ajo i injoron të gjitha këto, kjo nuk është asgjë për të cilën ajo mendon, ajo kujdeset vetëm sesi të stoliset dhe të zbukurohet edhe nëse është e pabindur ndaj Allahut, nuk e përfill urdhrin e Tij dhe ekspozon veten ndaj hidhërimit dhe zemërimit të Tij. Siç u theksua, ka cilësi të këqija të cilat sunneti ia ka shpjeguar grave në mënyrë që gruaja e devotshme të ruhet. I vetmi qëllim që gruaja të ketë dije rreth këtyre cilësive është shmangia e tyre.

Poeti ka thënë:

E mësova për të keqen për tu shmangur prej asaj, e jo për ta vepruar atë

E kush nuk e dallon të mirën nga e keqja, bie në të


1 Ibn Abbasi -radija Allahu anhuma- tregon se profeti ﷺ ka mallkuar burrat e feminizuar dhe gratë e burrëruara dhe ka thënë: “Dëboni ata të gjithë nga shtëpitë tuaja. Profeti ﷺ dëboi filanin e filanen, edhe Umeri dëboi filanin e filanen.” Transmeton Bukhari (5885).

Shpërndaje: