Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

6 Shenja të Çastit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: https://m.youtube.com/watch?v=9P1R7RiGAtA
Përktheu: www.perlatmuslimane.com

Studenti: Autori – Allahu e mëshiroftë! -, ka thënë: Kapitulli në lidhje me shenjat e Çastit.

Shejkh Feuzan: (أمارات) D.m.th. shenjat e Çastit.

Studenti: Transmeton Bukhari nga ‘Auf bin Malik – RadijAllahu anhu -, i cili tha: Gjatë betejës së Tebukut, shkova tek i dërguari i Allahut ﷺ, i cili po qëndronte në një tendë prej lëkure.

Shejkh Feuzan: (أَدَمٍ) prej lëkure, d.m.th. prej lëkure.

Studenti: I dërguari i Allahut ﷺ tha:

“Numëro 6 shenja të Çastit.

Shejkh Feuzan: D.m.th. 6 ngjarje që do të ndodhin para Çastit.

Studenti: Vdekja ime.

Shejkh Feuzan: Kjo është e para, vdekja e të dërguarit të Allahut ﷺ.

Studenti: Pastaj pushtimi i Bejtul Makdis-it.

Shejkh Feuzan: Pastaj pushtimi i Bejtul Makdis-it. Dhe kjo ka ndodhur në kohën e Umerit – RadijAllahu anhu -.

Studenti: Pastaj një sëmundje epidemike (murtaja) që pllakos mbi ju dhe përhapet midis jush ashtu sikurse përhapet te bagëtitë.

Shejkh Feuzani: Kjo i referohet murtajës, – Allahu na ruajt. Për shkak të kësaj sëmundje, shumë njerëz do të vdesin.

Studenti: Pastaj shtimi i pasurisë.

Shejkh Feuzan: Pastaj shtimi i pasurisë. Shtimi i pasurisë është një fitne nga shenjat e Çastit. Shtimi i pasurisë në duart e njerëzve është nga shenjat e Çastit.

Studenti: Aq sa, dhe nëse i jepen dikujt 100 dinarë, ai nuk është i kënaqur.

Shejkh Feuzan: Një sasi e vogël nuk i mjafton atij. Ai kërkon më shumë dhe nuk është i kënaqur.

Studenti: Pastaj një fitne e cila do të hyjë në çdo shtëpi të arabëve.

Shejkh Feuzan: Kjo është problem. Fitne e madhe do të hyjë në çdo shtëpi. Ajo që mendoj – dhe Allahu e di më së miri -, është fitneja e mediave sociale, internetit, nëpërmjet të cilave e keqja përhapet gjithandej. Kjo fitne hyn në çdo shtëpi, nuk shkon ti tek ajo, por ajo vjen te ti. Ti je në krevat dhe afër teje ke këtë idhull që vjen te ti pa asnjë lloj përpjekje nga ana jote, duke sjellë të keqen dhe shkatërrimin te ti. Kjo është fitne.

Studenti: Pastaj një marrëveshje armëpushimi që do të ndodhë midis jush dhe fisit Beni el-Asfar.

Shejkh Feuzan: Marrëveshje armëpushimi që do të ndodhë midis jush dhe romakëve. Beni el-Asfar, d.m.th. romakët. Do të ketë marrëveshje midis muslimanëve dhe romakëve që do të ndalojë luftën ndërmjet tyre.

Studenti: Ata (romakët), do të shkelin marrëveshjen dhe do të tradhtojnë.

Shejkh Feuzan: Do të shkelin marrëveshjen midis jush (muslimanëve) dhe atyre.

Studenti: Do t’ju sulmojnë nën 8 flamuj dhe në secilin prej tyre do të ketë 12 mijë ushtarë.”

Shejkh Feuzan: Do të shkelin marrëveshjen dhe do të sulmojnë muslimanët. Tradhëtia dhe pabesia është në natyrën e kufarëve, ndryshe nga natyra e muslimanëve, tek të cilët ekziston siguria dhe zbatimi i marrëveshjeve.


Shikoje videon këtu: https://www.youtube.com/watch?v=kMP057WUzqo

Shpërndaje: