Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

6.Vazhdim i argumeneve nga Ungjilli se Isai ﷺ është rob

Alameh Muhammed Takijj-ud-Din el-Hilali el-Maghribi
Burimi: El-Barahin el-Inxhilijeh ala enne Isa dakhil fil-Ubudijeh ue la hadha lehu fil-Uluhijeh, fq. 19-20
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com

”3. Dhe kjo është jeta e përjetshme, që të njohin ty, të vetmin Zot të vërtetë, dhe mesihun që ti ke dërguar.”1

”28. Atëherë një nga shkruesit që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: ”Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?”

29. Dhe Jezusi u përgjigj: ”Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot”,

30. Dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!.”2

”32. Atëherë skribi i tha: ”Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s`ka asnjë tjetër përveç tij.

33. Dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet.”

34. Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: ”Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë”. Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.”3

Mesiu ﷺ dëshmoi se nuk ka të adhuruar tjetër me të vërtetë përveç Allahut, të vetmit Zotë të vërtetë dhe se ai që e adhuron vetëm Atë është afër robërisë ndaj Tij. Kjo do të thotë se ai që e adhuron dikë tjetër ose e ndanë Atë në të tretat është larg nga robëria nda Tij. Një person i tillë është armik i Allahut.

32. Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.”4

Diçka e ngjashme thuhet tek Ungjilli i Mateut. Kjo është pikërisht ajo që thuhet në Kuran, domethënë se askush tjetër pos Allahut nuk ka dije rreth kijametit. Kështu konfirmohet natyra njerëzore e Isait ndërsa hyjnija e tij dhe miti i trinisë bëhet i pamundur dhe asgjësohet.

”16. Jezusi i tha: ”Mari!”. Ajo u kthye dhe i tha: ”Rabbouni!”, që do të thotë: Mësues (në gjuhën hebreje).

17. Jezusi i tha: ”Mos më prek, sepse ende nuk jam ngjitur te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.”5

Këtu Isai ﷺ dëshmon se Allahu është Zoti i tij dhe Zoti i tyre. Nuk ka dallim mes tij dhe atyre, duke pasur parasysh se ata janë robër njerëz. Ai që thotë se Mesiu është zot e ka përgënjështruar Mesinë dhe gjithë profetët e tjerë.


1 Gjoni 17:3
2 Marku 12:28-30
3 Marku 12:32-34
4 Marku 13:32
5 Gjoni 20:16-17

Shpërndaje: