Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 165-167
Përktheu: Valdet Gashi
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Ibn Umeri -radijAllahu anhu- ka thënë:
”Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Ibn Umerit! Sikur ndonjëri prej tyre të posedojë sasi floriri sa mali i Uhudit dhe e shpenzon në rrugë të Allahut, Allahu nuk do ta pranonte atë prej tij derisa të besonte në kader.”
Pastaj u argumentua me fjalët e profetit ﷺ:
”Imani është të besosh në:
1 – Allahun.
2 – Engjëjt e Tij.
3 – Librat e Tij.
4 – Të dërguarit e Tij.
5 – Ditën e ringjalljes.
6 – El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij.”
Transmeton Muslimi (8).
2 – Ubadeh bin es-Samit i tha të birit:
“O biri im! Nuk ke për të shijuar ëmbëlsinë e besimit derisa ta dish se ajo që të ka ndodhur nuk mundej që mos të të ndodhte, kurse ajo që nuk të ka ndodhur nuk mundej që të të ndodhte. E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
“Gjëja e parë që Allahu krijoi ishte pena.
Allahu i tha: ”Shkruaj!”
Pena tha: “O Zot, çfarë të shkruaj?”
Ai i tha: ”Shkruaj përcaktimin e gjithçkaje deri në ditën e gjykimit!”
Biri im! E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
“Kush vdes duke besuar diçka tjetër ndryshe nga kjo, nuk më përket mua.”
Transmeton Ebu Daudi (4700). Autentik sipas Albanit në ”Dhilal-ul-Xhenneh (111)”.
Në një hadith tjetër thuhet:
“Gjëja e parë që Allahu krijoi ishte pena të cilës Allahu i tha: ”Shkruaj!”
Pena shkroi çdo gjë që do të ndodhë deri në ditën e gjykimit.”
Transmeton Ahmedi (22757) dhe Tirmidhi (2155). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (2017)”.
Ibn Uehbi ka thënë:
”I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Ai që nuk e beson kaderin, të mirën dhe të keqën e tij, Allahu do ta djeg në zjarr.”
Në ”el-Musned” dhe në librat e Sunneneve transmetohet se Ibn-ud-Dajlemi ka thënë:
”Hyra tek Kab-ul-Ahbar dhe i thashë: ”Po ndiej diçka thellë në zemër në lidhje me kaderin (më vijnë dyshime). Më trego diçka që Allahu ta largojë atë nga zemra ime.”
Ai tha: Sikur të posedoje sasi floriri sa mali i Uhudit dhe e shpenzon në rrugë të Allahut, Allahu nuk do ta pranonte atë prej teje derisa të beson në kader, derisa ta dish se ajo që të ka ndodhur nuk mundej që mos të të ndodhte, kurse ajo që nuk të ka ndodhur nuk mundej që të të ndodhte, në qoftë vdes duke besuar diçka tjetër ndryshe nga kjo do t’i përkasësh banorëve të zjarrit.” Unë shkova tek Abdullah bin Mesudi, Hudhejfe bin el-Jemani dhe Zejd bin Thabiti dhe të tretë më thanë gjëra të ngjashme nga profeti.”
Transmeton Ebu Daudi (4699), Ibn Maxheh (77), Ahmedi (21629) dhe Tabarani në ”el-Mu’xhem el-Kebir (4940)”. Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunnen Ibn Maxheh (62)”.
Hadithi është autentik dhe transmetohet nga Hakimi në ”Sahihun” e tij.
Shpjegimi:
Pasi që besimi në kader i përket bazave të besimit, autori e përmendi këtë kapitull. Besimi në kaderin sjell teuhidin dhe mohon kufrin. Kapitulli tregon për një kërcënim të rëndë dhe një paralajmërim për ata që e mohojnë dhe e përgënjeshtrojnë kaderin.
Muslimanët në kohën e profetit ﷺ besonin në kaderin dhe e pranonin se ai vjen prej Allahut. Nga fundi i epokës së sahabëve u shfaq një grup (kaderitë) që mohuan kaderin dhe thanë se Allahu nuk e di se çfarë do të ndodhë derisa ajo të ndodhë. Ata besonin se besimi në kaderin e kundërshton drejtësinë. Si mundet mëkatari dhe kafiri të dënohen në qoftë se çdo gjë është vendosur tashmë? Arsyetimi i tyre ishte për shkak të injorancës, devijimit dhe konfuzionit.
Ehl-ul-Hak (pasuesit e së vërtetës) në mesin e sahabëve të profetit ﷺ dhe Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati dhe tebiinët besonin në kaderin dhe e konfirmonin atë. Ata besonin se Allahu ka caktuar kaderin e çdo gjëje dhe se asgjë nuk ndodhë pa vullnetin e Tij. Allahu ka caktuar çdo gjë, Ai di në hollësi çdo gjë.
Imam esh-Shafi’i -rahimehullah- ka thënë:
”Debato me ta me dije. Nëse ata e pranojnë atë, ata janë mundur, dhe nëse ata e mohojnë atë, atëherë bëjnë kufër.”
Kjo do të thotë se ata duhet të pyeten nëse Allahu e di se çfarë do të ndodhë para se të ndodhë apo jo. Nëse ata e pranojnë këtë pra ky është kaderi. Nëse refuzojnë se Allahut -te ala- e di se çfarë do të ndodhë atëherë bëjnë kufër sepse në këtë mënyrë e kanë përshkruar Allahun me injorancë dhe devijim.
Allahu -te ala- ka thënë:
إِنَّ اللّهَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ
“Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” El-Enfal, 8:75
لِتَعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ وَأَنَّ اللَّهَ قَدْ أَحَاطَ بِكُلِّ شَيْءٍ عِلْمًا
“Që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.” Et-Talak, 65:12
Ai që ia atribuon injorancën Allahut dhe beson se Ai nuk i di gjërat atëherë ai ka shpifur mbi shpalljen e Tij dhe e ka nënçmuar Atë, prandaj ky person është kafir. Prandaj disa dijetarë nga Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati i konsideruan kaderitë të jenë kufarë sepse ata përgënjeshtruan kaderin e Allahut, e mohuan dijen e Tij, përgënjeshtruan të gjitha këto argumente dhe ia atribuuan injorancën Allahut. Është transmetuar në të vërtetë nga Umeri -radijAllahu anhu- se profeti ﷺ ka thënë:
”Imani është të besosh në:
1 – Allahun.
2 – Engjëjt e Tij.
3 – Librat e Tij.
4 – Të dërguarit e Tij.
5 – Ditën e ringjalljes.
6 – El-Kader (përcaktimin) në të mirën dhe të keqen e tij.”
Edhe Kurani e vërteton këtë.
Allahu -subhaneh- ka thënë:
مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ فِي الْأَرْضِ وَلَا فِي أَنفُسِكُمْ إِلَّا فِي كِتَابٍ مِّن قَبْلِ أَن نَّبْرَأَهَا إِنَّ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ
“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” El-Hadid, 57:22
Si rezultat i kësaj, Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- tha:
”Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Ibn Umerit! Sikur ndonjëri prej tyre të posedojë sasi floriri sa mali i Uhudit dhe e shpenzon në rrugë të Allahut, Allahu nuk do ta pranonte atë prej tij derisa të besonte në kader.”
Të njëjtën gjë e thanë Zejd bin Thabiti, Ubej bin Kabi, Abdullah bin Mesudi dhe të tjerët. Të njëjtën gjë e thotë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati. Prandaj, muslimani është i obliguar të besojë në kaderin.
Besimi në kaderin përfshin katër pika:
1 – Allahu di çdo gjë.
2 – Allahu ka shkruar çdo gjë.
3 – Allahu ka krijuar dhe vendosur çdo gjë.
4 – Ajo që Allahu dëshiron ndodh dhe ajo që Allahu nuk dëshiron nuk ndodh.
Ai që beson të gjitha këto pika e beson kaderin. Ai që përgënjeshtron ndonjë prej tyre, ai përgënjeshtron po aq nga kaderi.
2 – Ubadeh bin es-Samit i tha të birit:
“O biri im! Nuk ke për të shijuar ëmbëlsinë e besimit derisa ta dish se ajo që të ka ndodhur nuk mundej që mos të të ndodhte, kurse ajo që nuk të ka ndodhur nuk mundej që të të ndodhte. E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
“Gjëja e parë që Allahu krijoi ishte pena.
Allahu i tha: ”Shkruaj!”
Pena tha: “O Zot, çfarë të shkruaj?”
Ai i tha: ”Shkruaj përcaktimin e gjithçkaje deri në ditën e gjykimit!”
Biri im! E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
“Kush vdes duke besuar diçka tjetër ndryshe nga kjo, nuk më përket mua.”
Transmeton Ebu Daudi (4700). Autentik sipas Albanit në ”Dhilal-ul-Xhenah (111)”.
Kjo do të thotë se as nuk do ta shijosh ëmbëlsinë e besimit, harmoninë dhe ëmbëlsinë derisa ta dish se ajo që të ka ndodhur nuk mundej që mos të të ndodhte, kurse ajo që nuk të ka ndodhur nuk mundej që të të ndodhte. Ky është besimi në kaderin. Ai që beson në këtë mënyrë do të jetë me mendje të hapur dhe do të veproj sipas librit të Allahut. Një person i tillë do të bëjë atë që kërkohet dhe ai do ta bëjë atë me një zemër të qetë sepse e di se atij i ndodhë vetëm ajo që Allahu ka caktuar për të. Ky shpjegim i aspekteve të kaderit përfshinë tërë kaderin.
Të njëjtën gjë ia thënë sahabët, tebiinit Abdullah bin Fejruz ed-Dajamit. Kur ai i pyeti ata për kaderin ata thanë se asgjë nuk pranohet nga Allahu derisa ai ta beson kaderin. Përndryshe veprimet e tij janë shkatërruar. Kjo dëshmon se ata kishin për qëllim se personi bën kufër sepse Allahu ka thënë:
وَلَوْ أَشْرَكُواْ لَحَبِطَ عَنْهُم مَّا كَانُواْ يَعْمَلُونَ
“Por nëse ata i bëjnë ortak Allahut, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë.” En-Aam, 6:88
Vetëm veprimet dhe lëmosha e kafirit refuzohen për shkak të humbjes së besimit të tij. Ai që mohon kaderin mohon një nga shtyllat e besimit dhe prandaj ai i humbet të gjitha veprat e tij. Muslimi transmeton nga Abdullah bin Auf se profeti ﷺ ka thënë:
”Allahu shkroi përcaktimet e krijesave 50,000 vite para se të krijonte qiejt dhe tokën, ndërsa arshi i Tij ishte mbi ujë.”
Transmeton Muslimi (2653).
Çdo gjë tashmë është vendosur dhe përcaktuar në përputhje me dijen dhe librin e Allahut. Ai -subhanehu ue te ala- është Krijuesi i Cili kontrollon të gjitha gjërat sipas caktimit të Tij. Kjo është e vërteta dhe metodologjia e Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit. Ai që beson në këtë është në të drejtën dhe kushdo që devijon nga kjo devijon nga e vërteta.