Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Mexhmu-ul-Fetaua (17/56-57)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Disa kirurgë plastikë u bëjnë grave operacione të ndryshme në trupin e tyre si p.sh., operacione plastike në fytyrë si tërheqje të lëkurës së fytyrës (face lifting), heqje të vetullave, zmadhim dhe zvogëlim të buzëve si dhe zmadhim dhe zvogëlim të gjoksit. A lejohet që gratë të bëjnë operacione të tilla nëse nuk ka domosdoshmëri për kryerjen e të tilla operacioneve? A janë të lejuara të tilla operacione? A konsiderohen të tilla operacione prej atyre punëve që ndryshojnë krijimin e Allahut? A lejohet të bëhet marketing (reklamë) për të tilla operacione? Shpresojmë një përgjigje nga ana juaj, Allahu ju dhëntë sukses.
Përgjigje: Zbukurimi nëpërmjet operacioneve plastike të lartpërmendura është i ndaluar pasi hyn në ndalesën e ndryshimit të krijimit të Allahut. Kjo na kujton heqjen e qimeve nga fytyra dhe vetullat, kryerjen e tatuazheve, si dhe zbukurimin e dhëmbëve duke krijuar hapësira midis tyre. Në të dy sahihët ka ardhur transmetimi prej Abdullah bin Mesudit (radijAllahu anhu) i cili ka thënë:
”Mallkimi i Allahut është mbi ato gra që bëjnë tatuazhe dhe mbi ato gra që kërkojnë t’u bëhen tatuazhe, mbi gratë që heqin qimet nga fytyrat dhe vetullat e tyre, si dhe mbi ato gra që zbukurojnë dhëmbët e tyre duke krijuar hapësira midis tyre.”
Pastaj Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) tha:
”Si të mos e mallkoj dikë që i dërguari i Allahut ﷺ e ka mallkuar?” 1
Mjekët duhet të jenë të kujdesshëm për të kryer të tilla operacione, të kenë frikë Allahun, Zotin e tyre si dhe të veprojnë në mënyrat e lejuara. Pak prej së lejuarës (prej hallallit) është më mirë sesa shumë prej haramit.
Dhe nuk lejohet që të bëhet marketing (reklamë) për të tilla operacione sepse një veprim i tillë konsiderohet bashkëpunim në mëkat dhe armiqësi dhe këtë gjë Allahu i Lartësuar e ka ndaluar. Është e ndaluar për gratë që t’u nënshtrohen operacioneve të tilla. Ato duhet t’i frikësohen Allahut për vetet e tyre, për vajzat e tyre si dhe për të gjitha gratë e tjera. Përveç kësaj, kujdestarëve të tyre, pra baballarëve të tyre, bashkëshortëve të tyre apo kujdestarëve të tjerë, nuk u lejohet që t’i lejojnë ato të kryejnë të tilla operacione.
Allahu (te ala) ka thënë:
“O ju që keni besuar, ruajeni veten tuaj dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” 2
E lus Allahun që ta përmirësojë gjendjen e muslimanëve dhe t’i ruajë ata nga të tëra ato shkaqe që shkaktojnë zemërimin dhe ndëshkimin e Tij. Ai sigurisht është Bujar i Madh.
1 Bukhari (5943) dhe Muslimi (2125).
2 66:6.