Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

82.Bërja sexhde në tokë dhe në hastër

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 130-131

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Ai shpesh bënte sexhde në tokë1.

Kur ndodhte që sahabët e tij faleshin me të në vapë të madhe dhe si pasojë e kësaj nuk ishin në gjendje të vendosin fytyrën në tokë, ata tërhiqnin rrobat e tyre mbi të cilat bënin sexhde2.

Profeti ka thënë:

”Tërë toka më është bërë mua dhe umetit vend adhurimi dhe e pastër. Prandaj, kudo që dikujt i vjen koha për t’u falur, le të falet dhe pastrohet aty. Ata para meje e konsideronin këtë çështje të madhe dhe faleshin vetëm në kishat dhe sinagogat e tyre.”3

Ndodhte që ai bënte sexhde në baltë dhe ujë. Kjo i ndodhi në mëngjes, me 21 Ramazan. Kishte rënë shi atë natë dhe çatia e xhamisë (që ishte nga gjethet e palmës) ishte vërshuar nga uji. Si rezultat i kësaj, profeti bëri sexhde në ujë dhe baltë. Ebu Seidi tha:

”Pashë se si i dërguari i Allahut ﷺ kishte gjurmë të ujit dhe baltës në ballin dhe hundën e tij.”4

Profeti u fal edhe në një khumreh5,6.

Profeti falej ndonjëherë herë në një qilim i bërë nga fijet e kashtës (hastër).7

Ndodhte gjithashtu që ai falej mbi rrobën e tij të cilën e vendoste para tij.8


1 Sepse xhamia e tij nuk ishte e mbuluar me qilima kashte dhe gjëra të tjera siç dëshmohet nga shumë hadithe, duke përfshirë mes tjerash hadithin e ardhshëm nga Ebu Seidi.

2 Muslimi dhe Ebu Auaneh.

3 Ahmedi, Es-Serraxh dhe Bejhaki me një zinxhir të saktë të transmetimit.

4 Bukhari dhe Muslimi.

5 Khumreh është copë hasre prej fijeve të palmës, ose të ndonjë materiali, është aq e madhe vetëm sa për të vendosur fytyrën në të gjatë sexhdes. Khumreh nuk është më e madhe se kaq. Shih: “En- Nihajeh”.

6 Bukhariu dhe Muslimi.

7 Muslimi dhe Ebu Auaneh.

8 Bukhariu dhe Muslimi. Hadithi dëshmon se është e lejuar qe të ulesh në rrobat tuaja. Kjo në vetvete dëshmon se është e ndaluar për t’u ulur në mëndafsh. Është konfirmuar nga Bukhari, Muslimi dhe të tjerët se profeti ka ndaluar rrobat e mëndafshit. Madje edhe është transmetuar  në mënyrë të prerë se është e ndaluar për t’u ulur në mëndafsh. Prandaj, mos u mashtro nga disa dijetarë udhëheqës që e lejojnë këtë.

Shpërndaje: