Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

64. Durimi në mirëqenie

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Alameh Ibnul Kajimi ka thënë:

“Çdo gjë që i ndodh robit në këtë jetë është ose e këndshme apo e pakëndshme. Në të dy rastet ai ka nevojë të jetë i durueshëm.

Lidhur me gjërat e këndshme sikurse shëndeti, shpëtimi, pozita, pasuria dhe kënaqësitë e lejuara, ai ka nevojë për durimin më të madh për shkak të arsyeve të mëposhtme:

1 – Që ai të mos mbështet në gjërat e përmendura dhe të lejoj veten të mashtrohet pas tyre. Gjërat e përmendura nuk duhet ta bëjnë atë mendjemadh, të keq apo të gëzohet me gëzim të qortuar, që nuk e do Allahu.

2 – Në mënyrë që ai të mos shpenzohet pas gjërave të përmendura në mënyrë që ajo të ketë një efekt të kundërt. Ai që e tepron me ushqim, pije dhe marrëdhëniet seksuale do t’i kthehet e kundërta, në mënyrë që bëhet e ndaluar për të që të hajë, të pijë dhe të ketë marrëdhënie.

3 – Të bëjë durim për të kryer detyrat ndaj Allahut dhe të mos i lë pas dore ato në mënyrë që ato të mira t’i largohen.

4 – Në mënyrë që ai të mos i shpenzojë ato të përmendurat në haram. Ai nuk duhet t’ia lejoj shpirtit çdo gjë që ai dëshiron, sepse ai e shpie në haram. Nëse ai ruhet prej harameve, atë shpirti e shpie së paku në gjëra që janë mekruh. Janë vetëm siddikinët që durojnë në mirëqenie. Disa prej Selefëve kanë thënë:

“Si besimtari edhe jobesimtari durojnë me fatkeqësitë. Kurse në mirëqenie duron vetëm siddiku.”

Lidhur me llojin e dytë të durimit, që është durimi me ibadet, robi ka nevojë për këtë këtë. Sepse shpirti për nga natyra ndien irritim në shumë lloje të ibadetit. Përjashtimi i vetëm është personin të cilin Allahu e shpie në sukses. Kjo vihet qartë gjatë namazit, kur dihet që njeriu është krijuar dembel dhe preferon rehatinë dhe pushimin. E njëjta gjë vlenë edhe për zekatin, pasi që njeriu është krijuar koprrac. Kur vjen puna për të agjëruar, njeriu ka natyrë që dëshiron të ha dhe të pi. Ai nuk dëshiron të jetë e uritur. Dhe kështu me radhë.

Pra robi është gjithmonë në nevojë për durim, dhe Allahu e di më mirë. Nga ky këndvështrim Abdur-Rrahman bin Auf (radijAllahu anhu) tha:

“Ne u sprovuam me vështirësi por duruam, kurse u sprovuam me mirëqenie por nuk duruam.”

Është e vështirë që të kesh durim në kohë mirëqenieje, pasi që është e mundur për të vepruar atë për të cilën shpirti përmallohet. I urituri e ka më lehtë që të durojë kur nuk ka ushqim se kur ka ushqim. Është më e lehtë për të duruar me gratë kur ato mungojnë se sa kur janë të pranishme. Personi jashtëzakonisht i etur duron më lehtë kur nuk ka ujë se sa kur ka ujë.

Shpërndaje: