Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

69. Rruga drejt kënaqësisë ndaj Allahut

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Si brezat e mëparshëm ashtu edhe ato të mëvonshëm kanë folur gjerësisht në lidhje me kënaqësinë, e kanë detajuar çështjen dhe i kanë kushtuar rëndësi të madhe asaj. Kjo dëshmon pozitën e saj të lartë. Amr bin Eslem më tha se e kishte dëgjuar Ebu Muavijah el-Esuedin duke thënë në lidhje me fjalët e Allahut (Te ala):

مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً

 “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.”1

“Do të thotë lumturi dhe kënaqësi.”

Malik bin Enesi ka thënë:

“Më kanë thënë se Ebu Derda shkoi në shtëpi tek një njeri që ishte në shtratin e vdekjes dhe e bënte hamd Allahun. Ebud Derda i tha: “Mirë po vepron. Allahu (Te ala) do që caktimet e Tij të pranohen me kënaqësi.”

Ibn Ebi Dunja transmeton me zinxhirin e tij të transmetimit nga Ibn Aun i cili ka thënë:

“Ji i kënaqur me caktimin e Allahut, pavarësisht nëse ai përbëhet nga vështirësitë apo lehtësitë. Kjo të bën ty që të shqetësohesh më pak dhe të shpie në atë që e kërkon nga jeta tjetër. Ti duhet ta dish se robi nuk e arrin realitetin e kënaqësisë derisa ai të jetë i kënaqur me varfërinë dhe fatkeqësitë sikurse është i kënaqur me pasurinë dhe mirëqenien. Si mund ta lutësh Allahun që të caktoj gjë për ty dhe pastaj të zemërohesh kur ti e sheh se si caktimi i Tij bie në kundërshtim me epshin tënd? Ndoshta është shkatërrimi yt në atë që epshet tua duan. Si mund të lutësh Allahun të që të caktoj për ty që pastaj kur të shohësh se si caktimi i Tij është në përputhje me epshin tënd kënaqesh? Kjo tregon dijen tënde të cektë në lidhje me gajbin. Si mund të lutesh për caktimin e Tij nëse ti je në këtë mënyrë? Ti nuk ke qenë i drejtë ndaj vetes tuaj dhe nuk ke qenë i kënaqur.”

Hafs bin Humejd ka thënë:

“Unë isha tek Abdullah bin el-Mubarak në Kufe kur vdiq gruaja e tij. E pyeta se çfarë do të thotë kënaqësia?. Ai u përgjigj: “Kënaqësia është që të mos dëshirosh një gjendje tjetër.” Pastaj erdhi Ebu Bekr bin Ajash për ta ngushëlluar. Unë nuk e njihja atë. Abdullahu tha: “Pyete atë çka kemi biseduar.” Unë e bëra këtë dhe ai u përgjigj: “Ai që flet vetëm në një mënyrë që sugjeron kënaqësinë është i kënaqur.” Unë i tregova el-Fudhejl ​​bin Ijadit në lidhje me këtë dhe ai më tha: “Kështu janë elita.” Ed-Dejlemij i tha el-Fudhejl ​​bin Ijadit: “Kush është i kënaqur ndaj Allahut?” Ai tha: “Ai që nuk dëshiron një gjendje tjetër ndryshe nga ajo në të cilën ai tashmë është.”

Sajar ka thënë:

“E kam vizituar Ebul-Alijen kur ishte në shtratin e vdekjes. Ai tha: “Unë e dua më së shumti atë që Allahu e do më së shumti.”

Sufjan eth-Theuri ka thënë:

“Umer bin Abdil-Aziz i tha të birit: “Si po ndihesh?” Ai tha: “Unë po e ndiej vdekjen.” Ai tha: “Unë kam më tepër dëshirë që ti të jesh në peshoren time se sa unë të jem në peshoren tënde.” I biri i tha: “Babai im i dashur! Unë dua më tepër që dëshira jote të përmbushet se sa e imja.”

Imam Ahmedi ka transmetuar në librin e tij “ez-Zuhd nga Ali bin Ebi Talibi i cili ka thënë kur Ebu Bekr es-Siddik (radijAllahu anhume) kishte vdekur:

“Ne jemi të kënaqur me caktimin e Allahut dhe ne i nënshtrohemi urdhrit të Tij. Ne i përkasim Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.”


1 16:97

Shpërndaje: