Shejkh Abdus-Selam bin Berxhas
Burimi: el-Mu’takad es-Sahih
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Besimi në të dërguarit
Besimin në të dërguarit e Allahut arrihet duke besuar me bindje të prerë se Allahu u ka dërguar të gjitha umeteve të dërguar, të cilët i urdhëruan ata që të adhurojnë vetëm Allahun dhe të mohojnë çdo gjë tjetër që adhurohet karshi Tij.
Duhet besuar gjithashtu se ata të gjithë ishin të sinqertë, të besueshëm, bamirës, të urtë, fisnikë, të devotshëm, besnikë, të udhëzuar dhe udhëzues; dhe se të gjithë ata e kanë kumtuar mesazhin e Allahut dhe kanë plotësuar misjonin deri në fund.
Allahu e mori Ibrahimin ﷺ si mik (khalil) të ngushtë dhe të njëjtën gjë Ai e bëri me Muhammedin ﷺ. Allahu i foli Musait ﷺ me një fjalë të vërtetë dhe Ai e ngriti Isain ﷺ në një vend të lartë. Isai ﷺ është rob i dhe i dërguar i Allahut, fjalë të cilën Ai e fryu në Merjemen dhe një shpirt nga Ai.
Allahu i bëri disa të jenë më të mirë se të tjerët dhe ua ngriti gradat e disave mbi të tjerët. Muhammedi ﷺ është zotëria i njerëzimit në ditën e gjykimit pa mburrje.
Thirrja e të gjithë të dërguarëve ishte në pajtueshmëri rreth bazave të fesë, pra të veçuarit e Allahut (te ala) në krijim, në adhurim dhe në emrat dhe cilësitë e Tij. Ai (te ala) ka thënë:
”Feja e pranueshme tek Allahu është Islami.” 3:19
”Dhe kushdo që kërkon ndonjë fe tjetër përveç Islamit, ajo kurrë nuk do t’i pranohet atij dhe në botën e pastajme ai do të jetë prej të humburve.” 3:85
Ai (te ala) tha për Nuhun ﷺ:
”Unë jam i urdhëruar të jem njëri prej atyre që i nënshtrohen (Allahut).” 10:72
Pos kësaj Ai (te ala) tha për Musain ﷺ:
”Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni muslimanë.” 10:84
Në lidhje me Sulejmanin ﷺ, duke i treguar fjalët e Belkisës, Allahu thotë:
”Ajo tha: ”Zoti im, unë i kam bërë padrejtësi vetes e tani, bashkë me Sulejmanin i dorzohem Allahut – Zotit të botëve.” 27:44
Ai (te ala) ka thënë:
”Ai u përcaktoi juve për fe atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain.” I porositëm të praktikojnë fenë e drejtë e kurrë të mos përçahen. Për idhujtarët është e rëndë kjo në çka ju i thirrni ata. Allahu veçon për besim të drejtë atë që do dhe e udhëzon në të atë që kthehet me pendim tek Ai.” 42:13
Ishin 313 të dërguar dhe 124,000 profetë. Kjo është transmetuar në të vërtetë nga i dërguari i Allahut ﷺ nga hadithet e Ebu Umames dhe Ebu Dherrit. –Shih ”Silsilah el-Ahadith es-Sahihah” (6/358/2668) nga alameh Muhammed Nasir-ud-Din el-Albani.
Dallimi në mes të një të dërguari dhe profeti është se profeti merr shpallje nga Allahu. Nëse ai më pas edhe dërgohet tek ata që e kundërshtojnë urdhërin e Allahut, ai konsiderohet i dërguar. Ndërsa ai që vepron sipas sheriatit të një të dërguari para tij dhe nuk është dërguar për t’a kumtuar shpalljen nga Allahu, ai konsiderohet të jetë profet dhe jo i dërguar.
Muxhahidi (rahimehullah) ka thënë:
”Profet është ai të cilit i flitet dhe i zbritet shpallje pa u dërguar tek një [popull].”
Bazuar në këtë, çdo i dërguar është profet, por jo anasjelltas.
Allahu (te ala) na ka treguar emrat e disa prej tyre. Shembuj të tyre janë Ademi, Nuhi, Idrisi, Hudi, Salihu, Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi, Jusufi, Luti, Shuajbi, Junusi, Musai, Haruni, Iljasi, Zekerija, Jahja, el-Jasa’i, Dhul-Kifli, Davudi, Sulejmani, Ejubi, përmenden nipërit e Ja’kubit (el-Esbat), Isai dhe Muhammedi– (selamet dhe salavatet e Allahut qofshin me të gjithë ata).
Ai na ka treguar në lidhje me tregimet e tyre në të cilat ka mësime të mjaftueshme dhe këshilla:
”Dhe dërguam të dërguar më parë për të cilët të rrëfyem dhe të dërguar të tjerë për të cilët nuk të rrëfyem, e Musait i foli Allahu drejtpërdrejt.” 4:164
Në këtë mënyrë ne besojmë në ta në mënyrë të detajuar, kur ata përmenden në mënyrë të detajuar, dhe në mënyrë të përgjithshme kur përmenden në përgjithësi.
Ne besojmë se të gjithë të dërguarit janë njerëz të krijuar që nuk posedojnë ndonjë cilësi hyjnore. Ai (te ala) ka thënë:
“Thuaj: ”Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se i Adhuruari juaj është një. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” 18:110
Të dërguarit e tyre ju thanë: ”Ne nuk jemi tjetër vetëm se njerëz sikurse edhe ju, por Allahu i jep dhuratë kujt të dojë nga robërit e vet. Neve nuk na takon t’ju sjellim ndonjë argument, vetëm me dëshirën e Allahut, pra besimtarët le t’i mbështeten vetëm Allahut.” 14:11
”Ne para teje dërguam të dërguar të tjerë por edhe ata ishin të dërguar që kanë ngrënë ushqim, që kanë ecur e shëtitur nëpër tregje. Ne bëmë njërin prej jush sprovë për tjetrin se a do të jeni të durueshëm. E Zoti yt është Ai që sheh çdo gjë.” 25:20
Thuaj: ”Unë nuk u them juve se i kam në kompetencë depot e Allahut (e t’ju sjell mrekulli), as nuk pretendoj se i di fshehtësitë, as nuk u them se unë jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet mua”. Thuaj: ”A barazohet i verberi me ate qe sheh? A s’po mendoni?” 6:50
Thuaj: ”Unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e keqe. Unë nuk jam tjetër vetëm se paralajmërues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.” 7:188
Ne besojmë se ata janë robër të Allahut të cilët Ai i ka nderuar me shpallje. Ai i përshkroi ata si robër në pozitat e tyre të larta duke i përmendur në kontekst të lavdërimit.
Ne besojmë se Allahu (te ala) e përfundoi shpalljen me shpalljen e Muhammedit ﷺ dhe se Ai e ka dërguar atë për të gjithë xhinët dhe njerëzit:
Thuaj (Muhammed): ”O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju.” 7:158
”E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” 21:107
”Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” 34:28
Allahu (te ala) na tregoi se ka marrë besën nga profetët se ata do të pasonin profetin tonë Muhammedin ﷺ në qoftë se do të jetonin në kohën e tij. Ky është argument i qartë se shpallja e tij ﷺ është shpallja e fundit dhe se ajo shfuqizon të gjitha shpalljet paraprake. Ai (te ala) ka thënë:
”Përkujtoni (o ithtarë të librit) kur Allahu mori zotimin e profetëve: Nga ajo se juve ju dhashë libër e urtësi, ju patjetër do ta besoni dhe ndihmoni profetin që vjen pas juve, e që vërteton atë që ju keni pranë vetes. Allahu tha: ”A pranuat, a e morët sipër obligimin Tim”? Ata thanë: ”Ne e pranuam”! Allahu tha: ”Dëshmoni pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju”! E kush shkel këtë (zotim) pas kësaj, ata janë jashtë respektit ndaj Allahut.” 3:81-82
Të dërguarit (salAllahu alejhim ue selem) erdhën me myzhde për mesazhin e Muhammedit ﷺ. Ai (te ala) ka thënë:
”Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: ”O beni Israilë, unë jam i dërguar i Allahut te ju, jam vërtetues i Teuratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: ”Kjo është magji e hapët.” 61:6
”Dhe cakto për ne jetë të mirë në dunja dhe në botën tjetër se vërtet jemi kthyer kah Ti. Allahu tha: ”Dënimi im është ai me të cilin e godas cilin dua, e mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë. Mëshirën do ta caktoj për ata të cilët u ruhen mëkateve, e japin zekatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona. Që pranojnë të dërguarin (Muhammedin), profetin arab, (që nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata në Teurat dhe në Inxhil.” 7:156-157
Në ”Sahihun e Muslimit”, është transmetuar nga Ebu Hurejra
(radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit. Nuk ka as jehudi e as nasrani (të krishterë) nga ky umet që dëgjon për mua dhe vdes pa besuar në atë me të cilën unë isha dërguar, vetëm se ai do t’i përket banorëve të zjarrit.”
Ai që nuk beson se shpallja e Muhammedit ﷺ është për tërë njerëzimin, njëkohësisht mohon të gjitha shpalljet e dërguarëve të tjerë duke përfshirë të dërguarin të cilin ai pretendon se e beson dhe e pason. Ai (te ala) ka thënë:
”Populli i Nuhut nuk i besoi të dërguarit.” 26:105
Allahu tregoi se ata përgënjeshtruan të gjithë të dërguarit pavarësisht se Nuhu ﷺ ishte i dërguari i parë.
Ne besojmë se nuk ka profet pas Muhammedit ﷺ. Ai që pastaj pretendon se ekziston profet pas tij, ai ka bërë kufër. Allahu (te ala) ka thënë:
”Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë profetëve.” 33:50
Në ”Sahihun e Muslimit”, është transmetuar nga Ebu Hurejra
(radijAllahu anhu) se profeti ﷺ ka thënë:
”Unë jam dalluar nga të dërguarit e tjerë me gjashtë gjëra: më janë dhënë fjalë të cilat janë të pakta në numër por me kuptim të mëdha, unë jam mbështetur me frikë [hedhur në zemrat e armikut], më janë lejuar marrja e plaçkave të luftës, toka më është bërë vendfalje e pastër, jam dërguar tek gjithë krijesat (njerëzit dhe xhinët) dhe unë jam profeti i fundit.”
Ai që mohon një prej shpalljeve të profetëve dhe të dërguarve ka bërë kufër sipas konsensusit të muslimanëve. Ai (te ala) ka thënë:
”Sigurisht, ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij dhe që duan të bëjnë dallime mes besimit në Allahun dhe në të dërguarin e Tij duke thënë: “Ne besojmë disa prej tyre, por i mohojmë të tjerët” dhe që duan të bëjnë për vete një rrugë të ndërmjetme. Këta në të vërtetë janë kufarë dhe për mohuesit Ne kemi përgatitur ndëshkim poshtërues. Dhe atyre të cilët besojnë në Allahun dhe në të dërguarit e Tij dhe nuk bëjnë dallim mes asnjërit prej tyre (të dërguarve), Ne do t’u japim atyre shpërblimet e tyre dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.” 4:150-152