Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

7 faktorë që e prishin agjërimin

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Mexhmu-ul-Fataua (19/200-202)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Çfarë e prish agjërimin?

Përgjigje: Shtatë faktorë e prishin agjërimin:

1 – Marrëdhëniet intime. Nëse njeriu kryen marrëdhënie intime gjatë ditës së Ramazanit, e ka obligim që ta agjërojë pjesën e mbetur të asaj dite, duhet ta kompensojë atë ditë, duhet të bëjë kefara duke liruar një rob, nëse nuk mundet ta bëjë këtë, duhet të agjërojë dy muaj rresht, nëse nuk mundet ta bëjë as këtë, duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Ose u jep ushqim të përgatitur ose u jep nga 1.5 kg grurë ose oriz, përveç kësaj është mirë që tu shtojë në ushqim mish ose diçka të ngjashme.

2 – Ejakulimi kur je i zgjuar, kjo mund të shkaktohet nga masturbimi, përkëdheljet, puthjet dhe përqafimet.

3 – Ngrënia dhe pirja pavarësisht nëse ato janë të dobishme apo të dëmshme, këtu përfshihet edhe pirja e duhanit.

4 – Shiringat ushqyes sepse ato kanë të njëjtin gjykim si të ngrënit dhe pirja. Shiringat joushqyes nuk e prishin agjërimin pavarësisht nëse injektohen në muskuj apo në vena, dhe nëse pacienti e ndien shijen e tyre në fyt.

5 – Menstruacionet dhe lehonia.

6 – Nxjerrja e gjakut përmes hixhamës dhe të ngjashme, duke përfshirë nxjerrjen e një sasie të madhe të gjakut që ndikon në trup sikurse ndikon hixhamja. Për sa i përket gjakderdhjes që shkaktohet vetë sikurse gjakderdhja nga hunda ose nxjerrja e dhëmbit, këto nuk e prishim agjërimin sepse këto nuk janë hixhame e as nuk ngjasojnë me të.

7 – Vjellja e qëllimshme. Nëse dikush vjell pa qëllim agjërimi i tij është akoma i vlefshëm.

Vini re se asnjë nga faktorët e përmendur nuk e prish agjërimin nëse ndodhin nga harresa, injoranca ose detyrimi. Nëse agjëruesi harron dhe fillon të hajë ose të pijë, agjërimi i tij nuk prishet. Nëse ha ose pi për shkak se mendon se ka perënduar dielli ose se nuk ka hyrë ende agimi, agjërimi i tij nuk prishet sepse ai është i paditur. Nëse gjatë agjërimit personi sheh një ëndërr e cila shkakton ejakulimin, agjërimi i tij nuk prishet sepse kjo ka ndodhur pa dëshirë.

Shpërndaje: