“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

7.Fatkeqësitë duhet të trajtohen me durim dhe namaz

Imam Muhammed bin Muhammed el-Hanbeli el-Menbaxhi 

Burimi: Teslijetu Ehlil-Mesaib, fq. 16-17
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Tjetër gjë e cila ngushëllon të goditurin me fatkeqësi, është që ta kërkojnë ndihmën e  Allahut, të mbështeten në Të, të ngushëllohen me atë që Allahu ka porositur, të kërkojnë ndihmë prej Tij me anë të durimit dhe namazit, ta dijë se Allahu është me të durueshmit dhe ta lusë Allahun që tua japë atë çfarë Ai u ka premtuar.

Ibn Ebi Dunja transmeton me zinxhirin e tij të transmetimit se Ibrahim bin Davudi ka treguar se disa njerëz të urtë kanë thënë: “Allahu ka robër të cilët i presin fatkeqësitë me kënaqësi. Këta njerëz nuk kanë asgjë të kësaj bote në zemrat e tyre.”

Uehb bin Munebih ka thënë: “Kam lexuar në Zeburin e Davudit alejhis-selam: “Allahu Te’ala ka thënë: “O Davud! A e di se kush më së shpejti e kalon urën e Siratit? Ata që janë të kënaqur me gjykimit Tim dhe kanë gjuhët e tyre gjithmonë të lagura duke më përmendur mua.”

Besimtar i suksesshëm është ai i cili e pranon një fatkeqësi, e di se ajo është prej Allahut dhe jo prej krijesave të Tij dhe bën gjithçka për ta fshehur atë. Abdul-Aziz bin Ebi Davud Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Tri gjëra janë prej thesareve të Xhenetit: fshehja e fatkeqësisë, fshehja e sëmundjes dhe fshehja sadakasë të cilën e jep.”

Disa prej Selefëve kanë thënë: “Mendja e njerëzve sprovohet me tri gjëra: me pasuri, fatkeqësi dhe pushtet.”

Abdullah bin Muhamed el-Heraui Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Prej xhevahireve të devotshmërisë është që ta fshehësh fatkeqësinë në atë formë sikurse të mos jesh goditur asnjëherë nga ajo.”

Aun bin Abdil-lah Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Mirësia e cila nuk bartë asnjë të keqe është që të falënderosh atëherë kur je në mirësi dhe të kesh durim kur goditesh nga fatkeqësitë.”

Shpërndaje: