Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – I mençuri është i obliguar ta dijë se mençuria ka degë të urdhëresave dhe të ndalesave, të cilat ai duhet t’i dijë, t’i aplikojë ato në kohën kur kërkohet që të dallohet nga njerëzit e thjeshtë.
2 – Dega e parë e mençurisë është frika e vazhdueshme ndaj Allahut dhe përmirësimi i anës së brendshme. Ai që korrigjon anën e brendshme të tij, Allahu do t’ia korrigjojë anën e jashtme të tij. Ai që shkatërron të brendshmen e tij, Allahu do t’ia shkatërrojë anën e jashtme të tij.
3 – Malik bin Dinar ka thënë:
“Bë tregti me bindjen ndaj Allahut dhe do të fitosh pa dhuruar ndonjë mall tregtie.”
4 – Shtylla e bindjes në jetën e kësaj bote është që ta përmirësosh anën e brendshme dhe t’i shmangesh asaj që e shkatërron atë.
5 – Njeriu i mençur është i obliguar të kujdeset për anën e brendshme të tij dhe ta ruajë zemrën në çdo rast. Zemra shkatërrohet kur kohët përkeqësohen dhe humbasin kënaqësitë.
6 – Malik bin Dinar ka thënë:
“Zemra pa dhimbje demolohet si shtëpia pa banorë. Zemrat e të devotshmëve vlojnë nga veprat e mira. Zemrat e mëkatarëve vlojnë nga mëkatet. Allahu sheh brengat tona, prandaj shikoni se me çfarë preokupoheni – Allahu pastë mëshirë mbi ju!”
7 – Hasan el-Basri ka thënë:
“Jeni duke qëndruar këtu dhe prisni që t’ju vijë momenti i vdekjes. Kur të vdisni do ta merrni mesazhin. Prandaj merrni nga ajo që keni për atë që ju pret!”
8 – I mençuri e ka obligim që të shfrytëzojë devotshmërinë që ka në përmirësimin e të ardhmes së vet duke korrigjuar anën e brendshme të tij, duke përmirësuar veprat e tij dhe duke refuzuar çdo gjë që ia shkatërron bindjen.
9 – Khalid er-Ribij ka thënë:
“Lukmani ishte një rob nga Abisinia dhe ishte zdrukthëtar. Një ditë zotëria i tij e urdhëroi që ta therë një dele dhe i tha: “Mi sjellë dy pjesët më të mira të saj!”
Lukmani ia solli gjuhën dhe zemrën. Pas disa ditësh zotëria i tij e urdhëroi përsëri që ta therë një dele dhe i tha: “Mi sjellë dy pjesët më të këqija të saj!”
Ai ia solli gjuhën dhe zemrën.
Zotëria i tha: “Të urdhërova që të mi sjellësh dy pjesët më të mira të deles dhe ti solle zemrën dhe gjuhën. Të urdhërova që të mi sjellësh dy pjesët më të këqija të deles dhe ti përsëri mi solle zemrën dhe gjuhën.”
Lukmani iu përgjigj: “Nuk ka gjë më të mirë (bukur) sesa gjuha dhe zemra kur janë në rregull dhe nuk ka gjë më të keqe se ato të dyja kur janë të prishura.”
Salih bin Hasan ka thënë:
“Hyra tek Umer bin Abdil-Azizi dhe e dëgjova duke thënë: “Robi nuk e ka frikë Allahun derisa ta shijojë poshtërimin.”
10 – I mençuri e shqyrton zemrën e tij me kalimin e kohës, qëndron larg çdo ndalese, kryen lloje të ndryshme të urdhëresave dhe është i gatshëm të përmirësohet kur bie në gabime. Njeriu nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë të gjitha këto nëse fillimisht nuk sigurohet për atë që është duke vepruar.
11 – Muhammed bin Ali bin Husein ka thënë:
“Kur njeriu t’i mbush dyzet vite, një thirrës thërret në qiell: “Udhëtimi gati po fillon, përgatite ushqimin tënd!”
12 – I mençuri e ka obligim të kujdeset që të mos i ngurtësohet zemra. Nëse mbreti është i mirë edhe ushtarët janë të mirë, e nëse mbreti është i shkatërruar edhe ushtarët janë të shkatërruar.
13 – Umer bin Khatabi -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Ulu me ata që shpesh pendohen sepse zemrat e tyre janë më të butat.”
14 – Një njeri i tha Hasan el-Basriut: “Si je? Si e ke gjendjen?”
Ai u përgjigj: “Si të jetë gjendja nëse njeriu përjeton mëngjesin dhe mbrëmjen duke pritur që vdekja ta marrë dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me të?”
15 – Hasan el-Basri ka thënë:
“Vepra më e mirë është frika ndaj Allahut dhe meditimi.”