Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

7.Parimi i dytë

Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 14-17

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab

Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Parimi i dytë është se ata thonë:

”Medoemos se adhurim i sinqertë është vetëm ai që veprohet për Allahun. Dhe ata që zgjedhin për mbrojtës e ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): “Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër përveçse që të na afrojnë sa më afër Allahut”. Nuk ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është gënjeshtar, mohues.” Ez-Zumer, 39:3

Shpjegimi

Idhujtarët të cilët Allahu i ka quajtur “idhujtarë” dhe i ka dënuar me qëndrim të përjetshëm në zjarr, kurrë nuk kanë bërë shirk (idhujtari) në Teuhidin Rububijeh, nuk kanë vendosur ndihmës karshi veprimeve të Allahut, por ata bënë shirk në Teuhidin Uluhijeh (në adhurim). Ata nuk thonë se idhujt e tyre krijojnë, furnizojnë, dëmtojnë dhe kontrollojnë rendin e krijesave karshi Allahut. Roli i vetëm që ata kanë sipas tyre është se ata janë ndërmjetësues.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Ata pos Allahut adhurojnë atë që nuk u sjell dëm dhe as dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë te Allahu”.” Junus,10:18

Ata pranojnë se idhujt nuk janë në gjendje të sjellin dobi apo dëm dhe se ata janë vetëm ndërmjetës të cilët informojnë Allahun për nevojat e tyre. Ata u therin kurban atyre dhe zotohen në emrat e tyre. Ata nuk besojnë se ata krijojnë, furnizojnë, sjellin dobi apo dëm. E vetmja gjë që ata bëjnë sipas tyre është se ata ndërmjetësojnë tek Allahu dhe kjo është feja e idhujtarëve.

Tani në qoftë se debaton me një adhurues të varreve, ai do të thotë të njëjtën gjë:

“Unë e di se ky njeri i mirë as nuk sjell dobi dhe as dëm por ai është njeri i mirë, ndërsa unë vetëm dua që ai të ndërmjetësojë për mua tek Allahu.”

Ka ndërmjetësim të vërtetë dhe të kotë. Lloji i vërtetë dhe i saktë i ndërmjetësimit është ai që plotëson kushtet e mëposhtme:

1 – Që ai të bëhet me lejen e Allahut.

2 – Personi për të cilin ndërmjetësohet të jetë prej pasuesve të teuhidit, d.m.th. pasues i teuhidit por mëkatarë.

Nëse njëri prej këtyre dy kushteve nuk plotësohet, ndërmjetësimi është i pavlefshëm.

Ai -te ala- ka thënë:

”E kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveç se me lejen e Tij?” El-Bekare, 2:255

”Dhe ata nuk mund të ndërmjetësojnë përveç për ata me të cilët Ai është i kënaqur.” El-Enbija, 21:28

Këta për të cilët ndërmjetësohet janë pikërisht pasues të teuhidit por që kanë mëkate. Ndërsa lidhur me kufarët dhe idhujtarët, ata nuk do të përfitojnë nga ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve:

“Për njerëzit e këqij nuk ka asnjë mik të afërt dhe as ndërmjetësues të pranueshëm.Gafir, 40:18

Këta kanë dëgjuar për ndërmjetësimin por pa e kuptuar domethënien e tij. Si pasojë ata filluan të kërkojnë ndërmjetësimin e të vdekurve pa lejen e Allahut -azze ue xhel-. Ata gjithashtu kërkuan ndërmjetësim nga idhujtarët të cilët vet nuk përfitojnë nga ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve. Këta njerëz janë injorantë lidhur me kuptimin e ndërmjetësimit të saktë si dhe të kotë. Prandaj, ndërmjetësimi ka kushte dhe nuk është në mënyrë të përgjithshme.

Argumenti për ndërmjetësimin janë fjalët e Allahut -te ala-:

“Ata pos Allahut adhurojnë atë që nuk u sjell dëm dhe as dobi dhe thonë: ”Këta janë ndërmjetësuesit tanë te Allahu”. Junus, 10:18

Ka dy lloje të ndërmjetësimit; Ndërmjetësimi i mohuar dhe ndërmjetësimi i pohuar. Lloji i mohuar i ndërmjetësimit është ai që kërkohet nga dikush tjetër përveç Allahut në atë që vetëm Allahu mund ta bëjë. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:

“O ju që keni besuar! Jepni nga ajo me të cilën Ne ju kemi furnizuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim. Kufarët janë dhalimun (keqbërës).” 2:254

Shpjegimi

Ka dy lloje të ndërmjetësimit.

1) Njërin lloj Allahu -xhele ue ala- e ka mohuar, e ky është ndërmjetësimi pa lejen e Tij -subhanehu ue te ala-. Askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Allahu pa lejen e Tij. Kur krijesa më e mirë dhe i dërguari i fundit Muhammedi ﷺ ndërmjetëson për njerëzit në ditën e gjykimit, ai do të bjerë në sexhde para Zotit të vet duke iu lutur Atij, duke e bërë hamd Atë dhe duke e madhëruar Atë, derisa t’i thuhet atij:

“Ngrije kokën. Flit dhe do të dëgjohesh. Kërko dhe do të jepet. Ndërmjetëso dhe do të pranohet ndërmjetësimi.” 1

Prandaj, ai do të ndërmjetësoj vetëm pasi që t’i jepet leje.

2) Lloji i dytë është ndërmjetësimi i pohuar dhe ai është për ata që e adhurojnë vetëm Allahun. Idhujtarët nuk përfitojnë nga ky ndërmjetësim. Ai që ther kurban për varre dhe zotohet në emrat e tyre është idhujtar i cili nuk do të përfitojë nga ndërmjetësimi.

Si përmbledhje, lloji i ndërmjetësimit i cili refuzohet është ai që kërkohet pa lejen e Allahut ose nëse kërkohet të bëhet ndërmjetësim për një idhujtar. Ndërsa lidhur me ndërmjetësimin e pohuar, ai ndodh vetëm pasi që Allahu të japë leje për të dhe është vetëm për ata që e adhurojnë vetëm Allahun.


1 Transmetuar nga Bukhari (7510) dhe Muslimi (193) nga Enes bin Maliku -radijAllahu anhu-.

Shpërndaje: