“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

7.Qeverisje pa sheriatin fisnik

Imam Muhammed el-Amin esh-Shenkiti (v. 1393)

Burimi: Islami është feja e përsosur

Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com

Kurani ka sqaruar se mosgjykimi me sheriat është kufër i qartë dhe idhujtari. Kur shejtani i bindi paganët e Mekës që të pyesin profetin ﷺ se kush e shkaktoi vdekjen e deles së vdekur, ai tha: ”Allahu.” Pastaj ai i shtyu ata që ta pyesin: ”Ajo që therni ju me duart tuaja është e lejuar, ndërsa ajo që ther Allahu me dorën e Tij është e ndaluar?! Atëherë a jeni ju më të mirë se Allahu?1 Atëherë Allahu shpalli:

Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat. Shejtanët i nxisin miqtë e vet që t’ju polemizojnë juve, e nëse i dëgjoni ata, atëherë jeni si ata (idhujtarë).” 2

Në këtë ajet Allahu (xhela ue ala) betohet se ai që i bindet shejtanit në ligjësimin e tij dhe deklaron shtazën e ngordhur të jetë e lejuar, është idhujtar. Në fakt bëhet fjalë për idhujtari të madhe që e nxjerr praktikuesin e saj prej Islamit. Për këtë ka konsensus. Allahu do t’i poshtërojë këta keqbërës në ditën e gjykimit dhe do t’u thotë:

”A nuk ju urdhërova dhe a nuk jua përcaktova juve, o bij të Ademit, që të mos adhuroni shejtanin? Vërtet që ai ishte për ju armik i qartë.” 3

Ai (te ala) tregoi se Ibrahimi ﷺ tha:

”O babai im, mos e adhuro shejtanin.” 4

Do të thotë duke e pasuar atë në ligjësimin e mosbesimit dhe mëkateve. Ai tha:

”Ata nuk lusin gjë tjetër veçse idhujt  femra në vend të Allahut, por ata nuk i drejtohen kujt tjetër veçse shejtanit, – një kundërshtues i përhershëm.” 5

Do të thotë e vetmja gjë që ata adhurojnë janë shejtanët. Kjo bëhet duke marrë nga ligjësimet e tyre.

Ai (te ala) ka thënë:

”Kështu shumicës së idhujtarëve, idhujt ua kanë bërë t’u duket krejt e ndershme dhe e drejtë vrasja e fëmijëve të tyre, që do t’i çojë ata në shkatërrimin e vetë atyre dhe të shkaktojë pështjellime në fenë e tyre. Dhe sikur të kishte dashur Allahu, ata nuk do të bënin punë të tilla, kështu që lëri ata në të tyren bashkë me atë që ata trillojnë.” 6

Ai i emëroi ata me emrin ”idhuj” sepse ata iu bindën atyre në mëkate kur ata mbytën fëmijët e tyre.

”Ata i konsideruan ahbarët (priftër jehudi) të tyre, ruhbanët (murgjit) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos Allahut ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër pos për adhurimin ndaj Allahut.” 7

Kur Adij bin Hatim (radijAllahu anhu) e pyeti profetin ﷺ në lidhje me këtë ajet, profeti ﷺ tha se që të merren rabinët dhe murgjit si zota do të thotë që të pasohen kur ata shpjegojnë të lejuarën të jetë e ndaluar dhe anasjelltas8. Kjo është një çështje për të cilën nuk ka mosmarrëveshje.

”A nuk i ke parë ata që pohojnë se kanë besuar në atë që të është shpallur ty dhe profetëve të tjerë para teje? Ata kërkojnë gjykimin e taghutit, ndërkohë që janë urdhëruar që ta mohojnë atë. Shejtani dëshiron që t’i nxjerrë ata krejtësisht nga udha e drejtë.” 9

”Dhe kushdo që nuk gjykon me atë që ka shpallur Allahu (me ligjin e Allahut), të këtillët janë kufarë.” 10

(Thuaj, O Muhammed): “A të kërkoj gjykues tjetër përveç Allahut, ndërkohë që është Ai i Cili ju ka zbritur librin (Kuranin), të shtjelluar në imtësi?” Ata, të cilëve Ne u dhamë librat e parë, e dinë se ai është shpallur nga Zoti yt me të vërtetën, kështu që ti mos ji prej atyre që dyshojnë.” 11

”Dhe fjala e Zotit tënd është plotësuar me vërtetësi dhe drejtësi. Askush nuk mund t’i ndryshojë fjalët e Tij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.” 12

E vërteta është kur është fjala për njoftimet dhe drejtësinë kur bëhet fjalë për gjykime.

A mos kërkojnë gjykimin me ligjin e kohës së injorancës (paganizmit paraislamik)?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” 13


1 Ebu Daudi (3/245), Tirmidhi (5/246), Nesai (7/237) dhe Ibn Maxheh (2/1059).

2 6:121.

3 36:60-61.

4 19:44.

5 4:117.

6 6:137.

7 9:31.

8 Tirmidhi (5/259) dhe tha: ”Ky hadith është garib”.

9 4:60.

10 5:44.

11 6:114.

12 6:115.

13 5:50.

Shpërndaje: