Paganët i bezdisnin dhe i sprovonin besimtarët gjithnjë e më shumë. Ata i lidhnin me zinxhirë, i nxirrnin në vapën përvëluese dhe vendosnin gurë të mëdhenj mbi gjokset e tyre duke i lënë në agoni të tmerrshme. Kur më në fund liroheshin, dhimbja e madhe nuk u lejonte as të uleshin. Përmes torturave dhe kërcënimeve ata përpiqeshin t’i detyronin muslimanët të pranonin idhullin Lat si të adhuruarin e tyre në vend të Allahut, dhe shpesh i shtynin të pajtoheshin nga presioni. Kur kalonin pranë idhullit El-Xhu’l, paganet i detyronin muslimanët të thoshin se ai ishte i adhuruari i tyre, dhe ata i nënshtroheshin nën presion dhe frikë.
Ebu Xhehl Amr bin Hisham, armiku i urryer i Allahut, kaloi pranë Sumejës, nënës së Amarit, teksa ajo, bashkëshorti dhe djali i saj po torturoheshin rëndë. Me një mizori të pashembullt, ai mori një shtizë dhe ia nguli në mitrën e saj, dhe e mbyti. Allahu qoftë i kënaqur me të, me djalin dhe me bashkëshortin e saj, të cilët gjithashtu i mbytën!
Kur Ebu Bekri Es-Sidiku -radijAllahu anhu- kalonte pranë ndonjë robi që po torturohej, ai e blinte nga pronari dhe e lironte. Ndër ata që liroi ishin Bilali dhe nëna e tij Hamameh, Amr bin Fuhejrah, Umm Abs, Zinirah, En-Nehdijjeh, vajza e saj, si dhe një robëreshë nga fisi Benu Adijj, e cila torturohej nga Umeri para se ai të pranonte Islamin.
Babai i tij, Ebu Kuhafeh, i tha: “O biri im, unë shoh sesi po liron robërit më të dobët. Pse nuk liron ata që janë më të fortë në mënyrë që të mund të iu mbrojnë?”
Ebu Bekri iu përgjigj me butësi: “Unë bëj atë që mendoj të jetë më e saktë.”
Thuhet se për këtë rast u shpallën këto ajete:
“E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet), që e jep pasurinë e tij duke pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit. Dhe ai, me siguri do të jetë i kënaqur!” El-Lejl, 92:17-21
Kur sprovat u bënë gjithnjë e më të rënda, Allahu u lejoi besimtarëve të emigrojnë në Abisini, një vend në perëndim të Mekës. Mes Mekës dhe Abisinisë shtrihej shkretëtira sudaneze dhe Deti i Kuq. I pari që emigroi për të mbrojtur fenë e tij ishte Uthman bin Afani -radijAllahu anhu-, i cili kishte me vete gruan e tij Rukajjen, vajzën e të dërguarit të Allahut ﷺ. Pas tij edhe të tjerë i pasuan në emigrim. Sipas një tjetër mendimi personi i parë që emigroi ishte Ebu Hatib bin Amr bin Abdi-Shems bin Abdi-Ued bin Nasr bin Malik. Më pas në mesin e atyre që iu bashkuan në Abisini ishin Xhafer ibn Ebi Talibi dhe të tjerë -radijAllahu anhum-, duke arritur një numër prej rreth 80 burrash.
Në mesin e emigrantëve që përmendi Muhamed bin Is’haku ishte edhe Ebu Musa Abdullah bin Kajs El-Esh’ari. Megjithatë unë nuk e kuptoj arsyen që e shtyu atë që ta thotë këtë pasi çështja është edhe më e qartë për ata që nuk janë aq të ditur sa ai. Për këtë arsye, El-Uakidi dhe biografë të tjerë e kritikuan atë duke thënë se Ebu Musa emigroi nga Jemeni në Abisini dhe më pas iu bashkua Xhaferit. Ky fakt përmendet në hadithin e transmetuar nga Ebu Musa El-Esh’ari -radijAllahu anhu-, siç e kanë përcjellë Bukhari dhe Muslimi.
Kur emigrantët arritën në mbretërinë e Nexhashiut, mbretit Ashameh, ai u kujdes për ta dhe i trajtoi me nder. Ata gjetën siguri dhe mbrojtje nën kujdesin e tij.
Pas një kohe Kurejshët mësuan për arratisjen e tyre dhe për këtë arsye dërguan Abdullah bin Ebi Rabian dhe Amr bin El-Asin për t’i sjellë ata përsëri në Mekë. Ata morën me vete dhurata nga vendi i tyre për t’ia dhuruar Nexhashiut me shpresën se ai do t’i kthente emigrantët në Mekë. Megjithatë Nexhashiu nuk pranoi t’i dorëzonte. Përpjekjet e tyre për të ndikuar mbi gjeneralët e tij me shpresën se ata do të ndërhynin për ta bindur mbretin, gjithashtu dështuan.
Në fund Kurejshët thanë: “Këta njerëz e fyejnë Isain ﷺ duke thënë se ai ishte thjesht njeri (dhe jo Zot)!”
Muslimanët të udhëhequr nga Xhafer ibn Ebi Talib -radijAllahu anhu-, u thirrën përpara Nexhashiut.
Nexhashiu i pyeti: “Çfarë besoni ju për Isain ﷺ
Xhaferi filloi të lexojë suren “Merjem”. Kur përfundoi leximin, Nexhashiu ngriti një shkop nga toka dhe tha: “Për Zotin, ky nuk ka thënë asgjë më shumë sesa ajo që është shkruar në Teurat apo në këtë shkop.”
Pastaj u tha muslimanëve: “Largohuni të qetë. Ju jeni të sigurt në vendin tim. Kushdo që ju fyen do të mbajë pasojat.”
Pastaj iu drejtua Amrit dhe Abdullahut: “Për Allahun, nuk do t’i dorëzoja ata qoftë edhe sikur të më sillnit një mal me ar.”
Ai urdhëroi gjithashtu që të ktheheshin dhuratat që ata kishin sjellë, ndërsa Amri dhe Abdullahi u kthyen në Meke të poshtëruar dhe pa asnjë shpresë.