Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

91.Lëvizja e gishtit në namaz

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 137-139

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Profeti ﷺ vendoste dorën e majtë të hapur mbi gju të majtë, e mbyllte dorën e djathtë, ndërsa gishtin tregues e mbante në drejtim të kiblës dhe shikonte në të.1

Kur e mbante (drejt) gishtin tregues, ai e vendoste gishtin e madh mbi gishtin e mesëm2. Dhe nganjëherë ai e formonte një rreth me të dy gishtat.3

Ai ﷺ e ngriste gishtin tregues dhe e lëvizte atë ndërsa falej.4

Dhe tha:

”Ky (d.m.th. gishti tregues) është më i rëndë për shejtanin se sa hekuri.” 5

Sahabët e profetit e kishin zakon që të përkujtonin njëri-tjetrin që të tregojnë me gisht në namaz6.

Ai ﷺ veproi kështu në dy teshehudet.7

Ai e pa një njeri duke lëvizur dy gishtat kur falej dhe i tha:

”Një! Një! ”

dhe tregoi gishtin tregues.8


1 Muslimi, Ebu Auenah dhe Ibn Khuzejmeh. El-Humejdi e shtoi këtë në “Musnedin (1/131)” e tij, dhe kështu bëri Ebu Ja’la me një zinxhir të saktë transmetimi nga Ibn Umeri:

”Kjo e zemëron shejtanin. Askush nuk duhet të harrojë që të veprojë këtë.”

El-Humejdi ngriti gishtin e tij.

El-Humejdi ka thënë:

Muslim bin Ebi Merjem ka thënë: ”Një burrë më tregoi se ai pa një foto të profetëve në një kishë në Sham”, dhe ata profetët bënin kështu dhe e ngriti gishtin e tij.”

Kjo kureshtje është e rrallë dhe unike. Zinxhir i transmetimit deri tek ky burrë është autentik.

2 Muslimi dhe Ebu Auaneh.

3 Ebu Daudi, Nesai, Ibn-ul-Xherud në “El-Muntaka (208)”, Ibn Khuzejmeh (1/86/1-2) dhe Ibn Hibani në “Es-Sahih (485)”. Zinxhiri i transmetimit është autentik. Ibn-ul-Mulakin e ka vërtetuar atë (2/28). Ibn Adij (1/287) transmetoi një hadith dëshmues në lidhje me lëvizjen e gishtit tregues. Ai tha se në lidhje me transmetuesin e tij Uthman Muksim:

”Ai është i dobët, por hadithet e tij ende mund të shkruhen.”

Lidhur me hadithin ”Ai e ngriti gishtin tregues të tij dhe e lëvizte ndërsa ishte duke u falur”, ka thënë Tahaui:

”Kjo dëshmon se kjo ishte kah fundi i namazit.”

Kjo dëshmon se është sunnet që gishti tregues të ngrihet dhe të lëvizet deri në teslim sepse duatë lexohen para teslimit (dhënies selam). Ky është mendimi i Malikut dhe të tjerëve. Ahmedi u pyet nëse gishti duhet të ngrihet gjatë namazit dhe u përgjigj:

”Po, duke qenë i përqendruar.” (Mesail-ul-Imam Ahmed, fq. 80, Ibn Hani).

Kjo dëshmon se lëvizja e gishtit tregues në teshehud është një sunnet i konfirmuar i profetit . Ahmedi dhe imamët e tjerë të Ehl-us-Sunnetit e praktikonin këtë. Le ta kenë frikën Allahun ata të cilët thonë se ky veprim është i pakuptimtë dhe nuk i përket namazit. Prandaj ata braktisin lëvizjen e gishtit edhe pse e dinë se kjo është konfirmuar. Ata përpiqen ta shtrembërojnë atë në një mënyrë që nuk përputhet aspak me gjuhën arabe dhe me të kuptuarit e imamëve.

Është për tu habitur se si disa prej tyre e mbrojnë imamin në çështje të tjera – edhe pse mendimi i tij është në kundërshtim me sunnetin – sepse ata e konsiderojnë të jetë mos respekt për të thënë se ai ka gabuar. Pastaj ata e harrojnë këtë dhe mohojnë këtë sunnet të konfirmuar dhe i nënçmojnë ata që e praktikojnë këtë veprim. Ata e dinë shumë mirë – ose ndoshta nuk e dinë – se nënçmimi i tyre përfshin edhe ata imamë që ata zakonisht i mbrojnë në mënyrë të kotë. Në këtë çështje ata (imamët) e praktikojnë sunnetin. Në fakt, nënçmimi i tyre përfshin edhe profetin . Nënçmimi i tyre është nënçmim i tij:

”Atëherë, cili është shpërblimi për ata nga mesi juaj që veprojnë kështu, përveç turpërimit në jetën e kësaj bote, ndërsa në ditën e kijametit t’i dorëzohen ndëshkimit më të tmerrshëm? Dhe Allahu nuk është i pavetëdijshëm për çfarë ju veproni.” 2:85

Zbritja e gishtit tregues pas një kohe ose të kufizuarit e ngritjes dhe zbritjes nuk ka bazë në sunnet. Sipas dëshmive të hadithit kjo bie në kundërshtim me sunnetin.

Lidhur me hadithin ”Ai nuk e lëvizi atë”, zinxhiri i këtij transmetimi është i pakonfirmuar, siç e kam bërë të qartë në “Da’if Ebi Daud (175)”. Edhe nëse do të ishte i konfirmuar ai është në formën mohues, ndërsa hadithi i kapitullit është në formën pohues. Forma pohuese shkon përpara asaj mohuese, e cila është e njohur tek dijetarët. Pra nuk ka dëshmi për ata që mohojnë lëvizjen e gishtit.

4 Shih shënimin e mëparshëm.

5 Ahmedi, El-Bezar, Ebu Xhafar, El-Bakhtari në “El-Ameli (1/60)”, Tabarani në “Ed-Du’a (1/73)’, Abdul-Ghani El-Makdisi në “Es-Sunnen (2/12)” me një zinxhir të mirë transmetimi, Er-Rauajani në “El-Musned (2/249)” dhe Bejhaki.

6 Ibn Ebi Shejbeh (2/123/2) me një zinxhir të mirë transmetimi.

7 Nesai dhe Bejhaki me një zinxhir të mirë transmetimi.

8 Ibn Ebi Shejbeh (1/40/12) dhe (2/123/2), dhe Nesai. Hakimi e konsideroi hadithin autentik dhe Dhehebi u pajtua me të. Hadithi e ka një transmetim dëshmues tek Ibn Eni Shejbeh.

Shpërndaje: