Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

72.Nënshtrimi i vërtetë

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 80-81
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com 

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

60 – I vetmi që e ruan fenë e tij është ai që i nënshtrohet Allahut (azze ue xhel) dhe të dërguarit të Tij dhe të gjitha ato që ai i sheh të paqarta i referon tek i Gjithëdituri.

SHPJEGIMI

Kjo do të thotë se besimtari pranon gjithçka që është shpallur nga Allahu (azze ue xhel) dhe nga i dërguari i Tij dhe i beson ato fjalë për fjalë pa ua shtrembëruar kuptimin dhe pa bërë interpretim të kotë. Ky është kuptimi i nënshtrimit.

Imam esh-Shafi’i (rahimehullah) ka thënë:

“Unë besoj në atë që ka ardhur nga Allahu në përputhje me atë që Allahu ka patur për qëllim dhe besoj në atë që ka ardhur nga i dërguari i Allahut ﷺ në përputhje me atë që ai ka patur për qëllim.”

Pra nuk i kupton ato duke u bazuar në epshin dhe dëshirat e tij, as duke i shtrembëruar tekstet sheriatike dhe as nuk bazohet në atë që thonë njerëzit.

Ai që nënshtrohet, thellohet dhe gjen diçka të paqartë që nuk ia di kuptimin ose nuk e di natyrën e saj të vërtetë, duhet t’ia lërë çështjen Allahut (subhanehu ue te ala). Atij që i duket problematike një çështje fetare, duhet t’u referohet dijetarëve dhe mbi çdo posedues të diturisë ka një akoma më të ditur se ai. Nëse as dijetarët nuk kanë përgjigje është e detyrueshme t’ia lëmë çështjen Allahut (xhela ue ala).

Shpërndaje: