Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

79.Detajimi i fjalës së përgjithshme të Tahauit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 86
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com 

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

67 – I pastër është Allahu nga të paturit kufij, qëllime, pjesë, gjymtyrë, organe. Atë nuk e përfshijnë të 6 drejtimet sikurse ndodh me krijesat.

SHPJEGIMI

Kjo është një thënie e përgjithësuar. Nëse ai u referohet kufijve të krijesave, atëherë Allahu është i pastër dhe larg nga përfshirja brenda kufijve të krijesave të Tij si dhe është i pastër dhe larg mishërimit (apo shkrirjes) së Tij në to. Dhe nëse ai u referohet kufijve por jo atyre të krijesave por i referohet drejtimit në aspektin që Allahu është lart mbi krijesat e Tij, atëherë është vërtetuar se Allahu (xhela ue ala) është lart mbi krijesat e Tij. Allahut nuk i mohohet fakti që është lart mbi krijesat e Tij pasi kjo është hak (e vërtetë). Dhe pohimi që Ai është lart mbi krijesat e Tij nuk do të thotë që Ai ka kufij apo drejtime sikurse krijesat e Tij.

Edhe për fjalën “qëllim”, kjo është e përgjithshme dhe ka shtjellim pasi mund të përfshihet në të kuptim i vërtetë apo i rremë. Nëse ai me fjalën (الغاية) i referohet urtësisë që ekziston në krijimin e krijesave të Tij dhe se Allahu i ka krijuar krijesat e Tij me urtësi, atëherë kjo është e vërtetë. Por kjo quhet urtësi (الحكمة), jo (الغاية). Allahu (te ala) ka thënë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

”Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” 51:56.

Dhe nëse ai me këtë fjalë (الغاية), i referohet nevojës së Allahut për krijesat e Tij, atëherë mohimi në këtë rast është i saktë. Allahu (azze ue xhel) nuk i ka krijuar krijesat e Tij për shkak se Ai ka nevojë për to sepse Ai nuk ka nevojë për asgjë.

Pjesë, gjymtyrë, organe-gjithashtu dhe thënia për këto është e përgjithshme. Nëse Ai u referohet cilësive të Allahut, atyre qenësore (dhatije) si fytyra dhe duart e Tij, atëherë pohimi i tyre është i vërtetë dhe i saktë, ndërsa mohimi në këtë rast është i kotë. Dhe nëse ai i referohet mohimit të ngjashmërisë të cilësive që përmendëm më sipër, me pjesët e trupit të krijesave atëherë është e vërtetë që Allahu është i pastër dhe larg nga ky përngjasim. Me fjalë të tjera çështja mund të detajohet si më poshtë:

1 – Nëse autori në fjalën e tij ka për qëllim të mohojë cilësitë qenësore (dhatije) të Allahut siç janë fytyra dhe duart të cilat janë të pohuara në argumente, atëherë kjo është gabim.

2 – Nëse autori në fjalën e tij ka për qëllim se Allahu është i pastër dhe larg përngjasimit të cilësive të Tij qenësore (dhatije) me gjymtyrët, pjesët e trupit dhe organet e krijesave, atëherë kjo është e saktë. Allahu është i pastër dhe larg përngjasimit me krijesat e Tij. Asnjë krijesë nuk është si Ai, si për sa i përket qenies së Tij, ashtu dhe për sa i përket emrave dhe cilësive të Tij.

Pra fjala e autorit është e përgjithshme. Sidoqoftë, fjala e tij duhet të interpretohet në mënyrë të saktë sepse ai (rahimehullah) i përket Ehli-us-Sunnetit dhe Xhematit dhe ai është prej imamëve të hadithit. Nuk është e mundur që ai të ketë pasur një qëllim të keq. Ai duhet të ketë pasur një qëllim të saktë. Prandaj, do të ishte e dëshirueshme që ai të sqaronte se çfarë donte të thoshte në vend që të sillte fjalën e tij në aspektin e përgjithshëm.

Shpërndaje: