Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

8.Arsyet që lejojnë mos agjërimin e Ramazanit

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
El-Mufid fi Mexhelis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

O muslimanë! Mëso arsyet e mëposhtme që lejojnë mos agjërimin e Ramazanit:

1 – Sëmundja

Është e ligjësuar për të sëmurin i cili rëndohet nga agjërimi që ta braktis agjërimin. Kur Allahu e shëron atë, ai i kompenson ditët që është i detyruar t’i agjërojnë.

Allahu (subaneh) ka thënë:

”Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” El-Bekare 2:185

Profeti ﷺ ka thënë:

”Allahu do që lehtësimi i Tij të praktikohet në të njëjtën mënyrë siç Ai urren që mëkati i tij të veprohet.” 1

Kushti është që agjërimi ta rëndojë agjëruesin. Nëse ai nuk e mundon atë, nuk i lejohet që ta braktis agjërimin për shkak se ai nuk konsiderohet të jetë i arsyetuar.

Nëse mjekët e besuar i japin pacientit diagnozën se ai vuan nga një sëmundje kronike, ai nuk detyrohet të agjërojë e as ta kompensojë agjërimin. Në vend të kësaj ai është i obliguar që t’i japë rreth 1 ½ kg ushqim një personi të varfër për çdo ditë që ai nuk e agjëron.

Është e lejueshme që të paguajë tërë kompensimin e plotë përnjëherë pavarësisht nëse kjo bëhet në fillim të muajit, në fund të muajit apo gjatë muajit. Ushqimi mund t’i jepet një personi të varfër ose disa personave.

2 – Shtatzënia dhe gjidhënia

Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse kanë të njëjtin gjykim si personi i sëmurë. Nëse ato rëndohen nga agjërimi atëherë është ligjësuar për to që të braktisin agjërimin. Në këtë rast ato janë si personi i sëmurë, janë të obliguara që t’i kompensojnë ditët kur ato munden. Disa dijetarë thonë se është e mjaftueshme që t’i jepet ushqim një personi të varfër për çdo ditë që ato nuk e agjërojnë. Megjithatë, ky mendim është i dobët. Mendimi i saktë është se ato janë të obliguara që t’i kompensojnë ato ditë ashtu sikurse udhëtari dhe i sëmuri.

 Allahu (subhanehu ue te ala) ka thënë:

“Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.El-Bekare 2:185

Kjo dëshmohet po ashtu edhe nga ajo që ka transmetuar Enes bin Malik el-Kabi nga i dërguari i Allahut  i cili ka thënë

“Vërtet, Allahu -te ala- e ka liruar udhëtarin nga agjërimi dhe ia ka hequr gjysmën e namazit, dhe e liroi shtatzënën dhe gjidhënësen nga agjërimi.” 2

Transmetuar në pesë librat.

3 – Udhëtimi

Kjo është në zgjedhjen e udhëtarit, nëse ai dëshiron të agjëroj apo jo. Argumentet e sheriatit siç duket nënkuptojnë se është më mirë që të mos agjërojë edhe në qoftë se agjërimi nuk e rëndon atë.

Allahu (subhanehu ue te ala) ka thënë:

”Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” 2:185

Në mënyrë të ngjashme, profeti ﷺ lejoi shokët e tij që të mos agjëronin kur ata udhëtonin. Megjithatë, është në rregull të agjëruarit gjatë udhëtimit. Profeti ﷺ e kishte zakon të agjëronte dhe të mos agjëronte kur ai udhëtonte. Kur Hamzah bin el-Eslemi e pyeti atë në lidhje me të, ai ﷺ tha:

”Agjëro nëse dëshiron dhe mos agjëro nëse nuk dëshiron.”  Bukhari (1943) dhe Muslimi (1121).

Nuk ka rëndësi nëse udhëtari udhëton me makinë, deve, anije apo aeroplan. Të gjitha përfshihen nga udhëtimi dhe për këtë arsye ata kanë të drejtë të praktikojnë atë që është e lejuar gjatë agjërimit.

Në kohen e profetit ﷺ, Allahu (subhaneh) i ligjësoi dispozitat e robërve të Tij, të cilat kanë të bëjnë me udhëtimin dhe qëndrimin pas vdekjes së profetit ﷺ deri në ditën e gjykimit. Ai (subhaneh) e di se si gjërat do të ndryshojnë dhe se si mjetet e transportit do të ndryshojnë. Në qoftë se gjykimi do të ndryshonte, atëherë Ai (subhaneh) do ta kishte bërë me dije këtë ashtu sikurse veproi në suren ”en-Nahl”.

”E, Na ta kemi dërguar ty librin, – shpjegim për çdo çështje dhe si udhërrëfyes, mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” 16:89

”Ai i ka krijuar edhe kuajt, mushkat, gomarët për ju për t’i ngarë dhe për hijeshi. Ai krijon edhe gjëra të tjera për të cilat ju nuk keni aspak dije.” 16:8

Nëse muslimani e di se do të jetë i vështirë kompensimi i ditës që ka braktisur për arsye të udhëtimit, si rezultat i kësaj ai vendos që ta agjërojë këtë ditë, kjo lejohet dhe ska të keqe në këtë.

Nuk ka lidhje nëse transporti është i përshtatshëm ose i papërshtatshëm pasi që argumenti është i pakufizuar.

Nëse moti është i nxehtë dhe mundimi është i madh, theksohet se agjërimi duhet prishur. Në këtë rast është e urryer të agjërohet. Kur profeti ﷺ e pa një udhëtar agjërues i cili kishte hyrë nën hije për shkak të vapës, ai i tha:

”Nuk është devotshmëri agjërimi gjatë udhëtimit.” Bukhari (1946).

Është konfirmuar gjithqshru se ai ﷺ ka thënë:

”Allahu do që lehtësimet e Tij të veprohen në të njëjtën mënyrë siç Ai urren që mëkatet të veprohen.”

Ahmedi (5866), Bejhaku (5201) dhe të tjerët. Autentik sipas Imam Albanit në  ”Irua-ul-Ghalil” (564).

Në një tjetër formulim thuhet:

”Allahu do që lehtësimet e Tij të praktikohen në të njëjtën mënyrë siç dëshiron që urdhëresat e Tij të praktikohen.”

Ahmedi (5866), Bejhaki (5201) dhe të tjerët. Autentik sipas Imam Albanit në  ”Irua-ul-Ghalil” (564).

VËNI RE!

Nëse udhëtari ka braktisur agjërimin dhe pastaj vendoset në një qytet përgjatë rrugës, ai nuk është i obliguar që të filloj agjërimin në qoftë se ai nuk ka ndërmend të qëndrojë aty katër ditë ose më pak. Megjithatë, ai nuk mund të bëjë veprime që prishin agjërimin në prani të banorëve pasi që ata nuk e dinë gjendjen e tij. Ai është i detyruar të bëjë atë fshehurazi në mënyrë që ai të mos akuzohet për diçka që Allahu e ka ndaluar dhe në mënyrë që askush të mos merr guximin që ta pasojë atë.

Nëse udhëtari jo-agjërues ka ndërmend të qëndrojnë në qytet më gjatë se katër ditë, ai duhet të nisë agjërimin sapo të arrijë në qytet dhe pastaj ta kompensojë këtë ditë. Ai pra duhet ta agjërojë pjesën tjetër të ditës, shumica e dijetarëve besojnë pasi që ai e ka ndërmend të qëndroj aty më gjatë se katër ditë ai ka gjykimin e  banorëve e jo të udhëtarit.

4 – Cikli mujor

Kur gruas i vjen cikli i saj mujor, ajo nuk agjëron dhe nuk falet. Kur ajo pastrohet i kompenson ditët e humbura të Ramazanit por jo edhe namazet. Bukhari dhe të tjerët kanë transmetuar se profeti  ka thënë, kur ai shpjegoi fenë e mangët të gruas:

“A nuk është rasti që ju kur keni ciklin nuk agjëroni dhe nuk faleni?” 7

Për më tepër, transmeton Bukhari dhe Muslimi nga Mu’adheh se ajo e pyeti Aishën (radijAllahu anha) përse gruaja me menstruacione duhet të kompensojë agjërimin e jo namazin.

Aishah u përgjigj: ”A je Harurijjeh (prej Khauarixhëve)?”

Atëherë ajo tha: ”Unë nuk jam Harurijjeh. Unë vetëm po pyes.”

Aishah tha:

“Ne kur kishim ciklet mujore në kohën të dërguarit të Allahut ﷺ, urdhëroheshim për të kompensuar agjërimin e jo namazin.”

Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi dhe të tjerët.

Kjo është prej mëshirës dhe mirësisë së Allahut ndaj gruas. Pasi që namazi përsëritet çdo ditë pesë herë në ditë ndryshe nga cikli mujor i cili në bazë ndodh një herë në muaj. Allahu shfuqizoi që namazi të përsëritet për shkak të vështirësive të mëdha nga e cila përbëhet ky veprim (përsëritja e tyre). Por pasi që agjërimi ndodh vetëm një herë në vit, Allahu e obligoi atë që të përmbahet nga agjërimi gjatë ciklit të saj mujor nga mëshira për të. Pastaj ajo është e detyruar të kompensojë ditët e humbura për të arritur dobinë sheriatike.

5 – Lehonia – Nifasi

Nifasi është gjaku që del për shkak të lindjes. Përderisa gruaja e sheh gjakun dyzet ditë pas lindjes, ajo nuk falet dhe nuk agjëron. Ndërkohë nuk është e lejueshme për burrin e saj që të ketë marrëdhënie seksuale me të derisa ajo të pastrohet ose pasi të kenë kaluar dyzet ditë.

Nëse gjaku zgjatë më shumë se dyzet ditë, ajo duhet të pastrohet pas ditës së dyzetë sepse nifasi nuk zgjat më shumë se dyzet ditë sipas mendimit të saktë. Kështu që ajo duhet të pastrohet dhe të fal namazin. Bëhet gjithashtu e lejueshme për burrin që të ketë marrëdhënie seksuale me të. I lejohet asaj që të përdor pambuk dhe gjëra të tjera për të parandaluar gjakun në mënyrë që gjaku të mos bie në rrobat dhe trupin e saj. Ky gjak është gjakderdhje që nuk e pengon agjërimin, namazin apo marrëdhëniet seksuale. Ajo është e detyruar që të merr abdest para çdo namazi.

Nëse gruas i vinë sekrecione të tejdukshme brenda dyzet ditëve atëherë ajo duhet të lahet, të falet dhe të agjërojë. Gjithashtu bëhet e lejueshme për burrin që të ketë marrëdhënie seksuale me të edhe nëse kanë kaluar vetëm disa ditë. Nëse i kthehet gjaku gruas brenda dyzet ditëve ajo duhet të braktis namazin dhe agjërimin. Nuk lejohet për burrin e saj që të ketë marrëdhënie seksuale me të derisa ajo të pastrohet, ose të kalojnë dyzet ditë.

Vërejtje:

Gjaku që del nga një grua që vuan nga gjakrrjedhjet nuk është as gjak menstrual e as gjak nifasi. Ky gjak është i pastër. Në këtë rast ajo duhet të agjërojë dhe të falet dhe është e lejueshme për burrin që të ketë marrëdhënie seksuale me të kur asaj i vie ky gjak. Ajo duhet të merr abdest para çdo namazi ashtu sikurse personi që vuan nga rrjedhja e urinës. Ajo është e detyruar që të mbrohet nga gjaku duke përdorur pambuk ose diçka tjetër në mënyrë që gjaku të mos bie në trupin e saj apo në rrobat e saj. Kjo praktikë është transmetuar autentikisht prej profetit .

6 – Paaftësia për shkak të moshës së vjetër

Në qoftë se burri dhe gruaja janë aq të moshuar sa që rëndohen nga agjërimi, iu lejohet të braktisin agjërimin dhe në vend të kësaj të japin ushqim të varfërve për çdo ditë që ata nuk agjërojnë. Ose ata e ftojnë të varfërin të ha me ta, ose i japin 1 ½ kg hurme, grurë ose oriz një personi të varfër për çdo ditë që nuk agjërojnë. Pos kësaj nëse ata vuajnë nga plagë të mbushura me qelb apo ndonjë sëmundje tjetër dhe ata me të vërtetë duhet të braktisin agjërimin. Ata gjithashtu nuk janë të detyruar tu japin ushqim të varfërve sepse ata nuk agjërojnë për shkak të sëmundjes dhe e jo për shkak të moshës së vjetër. Nëse shërohen ata duhet t’i kompensojnë ditët e humbura.

Nëse ata nuk janë në gjendje që t’i kompensojnë ditët e humbura për shkak të moshës së vjetër, ata duhet t’u japin ushqim njerëzve të varfër sipas asaj që kemi përmendur. Kështu ka dhëne fetva Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) dhe dijetar të tjerë. Argumentet për këtë janë të njohura. Një prej tyre është fjala e Allahut:

”E kush është i sëmurë ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë le të agjërojë më vonë aq ditë sa ka lënë pa i agjëruar.” 2:185

Plaku i paaftë nuk është në gjendje t’i kompensojë ditët. Prandaj është obligim për të që të japë ushqim në vend të agjërimit. Kur shërbëtori i profetit ﷺ Enes bin Maliku (radijAllahu anhu), u moshua aq shumë sa që rëndohej nga agjërimi, ai braktisi agjërimin dhe u jepte ushqim të varfërve për çdo ditë që nuk agjëronte. Ndërsa nëse personit i ik mendja, ai as nuk obligohet tu japë ushqim të varfërve apo diçka tjetër.

E lusim Allahun (azze ue xhel) që Ai të na lejon ne, ju dhe të gjithë muslimanëve të tjerë të kuptojmë fenë dhe të kapemi për të dhe që Ai të na mbron nga të gjitha të këqijat e shpirtrave tanë dhe veprat e këqija. Ai ka fuqi për këtë dhe Ai është i Aftë të bëj çdo gjë. Allahu e nderoftë dhe i dërgoftë paqen robit të Tij dhe të dërguarit e Tij dhe profetit tonë Muhammed, familjes së tij dhe shokëve të tij.


1 Ahmed (5866), Bejhaki (5201) dhe të tjerët. Autentik sipas Imam Albanit në  ”Irua-ul-Ghalil” (564).

2 Tirmidhi (715), Nesai (2275), Ibn Maxheh (1667) dhe Ahmedi (20341). Autentik sipas Imam Albanit në ”Sahih Ibn Maxheh” (1353).

3 Buhari (1943) dhe Muslimi (1121).

4 Buhari (1946).

5 Ahmedi (5866), Bejhaku (5201) dhe të tjerët. Autentik sipas Imam Albanit në  ”Irua-ul-Ghalil” (564).

6 Ahmedi (5866), Bejhaki (5201) dhe të tjerët. Autentik sipas Imam Albanit në  ”Irua-ul-Ghalil” (564).

7 Bukari (304) dhe Muslimi (80).

8 Buhari (321) dhe Muslimi (335).

Shpërndaje: