Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

8.Kushti pestë i namazit

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe imam Muhamed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

E pesta është heqja e papastërtive nga tre vende; nga trupi, nga rrobat dhe nga vendi ku falemi. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:

Dhe rrobat tua pastroji!El-Muddethir, 74:4

Falësi duhet të jetë i pastër në veshje, në trup dhe në vendin ku falet. Nëse falet me rrobë të papastër, në vend të papastër ose me papastërti në trup, atëherë namazi është i pavlefshëm nëse e ka ditur dhe iu kujtua kjo, por nëse nuk e dinte këtë ose e ka harruar, atëherë namazi i tij është i vlefshëm sipas mendimit të saktë. Argument për këtë është se kur profeti ﷺ u fal me papastërti në sandalet e tij, Xhibrili erdhi tek ai dhe e informoi në lidhje me këtë, ai ﷺ i hoqi sandalet pa e përsëritur namazin.

Transmeton Ebu Daudi (650), Ahmedi (17/242), Ibn Khuzejmeh (2/107), Ibn Hibani (5/560) dhe Hakimi (1/260) i cili e konsideroi atë autentik. Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunen Ebi Daud (657)”.

Një tjetër argument janë fjalët e përgjithshme të Allahut -te ala-:   

“Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim!” El-Bekare, 2:286

Me largimin e papastërtisë nuk është për qëllim vetëm pastrimi, por pastrimi është ibadet që është i kërkuar në vetvete ndërsa papastërtia është diçka që duhet të hiqet vetëm nga rrobat, trupi dhe vendi. Prandaj namazi është i vlefshëm në qoftë se harron apo nuk e di që ke papastërti, për shembull në  rroba ose në trup. E njëjta gjë vlen nëse falesh në një vend të papastër pa e ditur që ka papastërti. Sipas mendimit të saktë namazi është i vlefshëm.

Shpërndaje: