Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

8.Mëkatet shkurtojnë jetëgjatësinë

Imam Ibn Kajim el-Xheuzijeh (v. 751)

Burimi: “Ed-Dau ued-Deua”, fq. 67
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Mëkatet shkurtojnë jetëgjatësinë dhe shlyejnë në mënyrë të pashmangshme begatitë e saj. Ashtu sikurse devotshmëria zgjatë jetën, mëkatet shkurtojnë jetëgjatësinë. Dijetarët kanë mospajtime për këtë çështje. Disa thanë se kjo do të thotë se begatia e jetës humbet dhe anulohet. Kjo është e vërtetë, dhe është një nga pasojat e mëkateve. Të tjerët thonë se jetëgjatësia vërtetë shkurtohet në të njëjtën mënyrë sikurse zvoglohet furnizimi. Sepse Allahu ka caktuar shkaqe të cilat shtojnë furnizimin, ashtu edhe begatia e jetës ka shkaqe që e zgjasin dhe e shkurtojnë atë.

Kanë thënë: ”Nuk është e pamundur që jeta të zgjatet me shkaqe, dhe të shkurtohet me shkaqe tjera, kështu edhe furnizimi, lumturia dhe hidhërimi, shëndeti dhe sëmundja, pasuria dhe varfëria. Edhe pse këto ndodhin me caktimin e Allahut, Ai cakton shkaqet nëpërmjet të cilave ndodhin ato.

Disa të tjerë thanë: Ndikimi i mëkateve në shkurtimin e jetës është për arsye se realiteti i jetës është jeta e zemrës, dhe për këtë arsye Allahu i ka quajtur pabesimtarët të vdekur:

”Ata janë të vdekur, pa kurrfarë gjallërie.”  16:21

Pra jeta në realitet është jeta e zemrës, jeta e njeriut zgjatë sa jeta e zemrës, dhe jeta e tij është aq sa ka kaluar kohë me Allahun, këto janë çastet e jetës së tij. Prandaj veprat e mira, devotshmëria dhe nënshtrimi e zgjasin këtë kohë e cila është realiteti i jetës së njeriut dhe ai nuk ka jetë tjetër në këtë botë.

Si një e tërë, ditët e mëkatarit zhduken nëse ai ia kthen shpinën Allahut dhe preokupohet me mëkate. Këtë ai vërtetë do ta gjejë në ditën kur do të thotë:

”Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time. 89:24

Shpërndaje: