Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

8.Metodologjia e atyre që janë pasiv (nuk deklarohen rreth Kuranit) se a është fjalë e Allahut apo i krijuar!

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)

Një përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

80 – Në lidhje me njerëzit të cilët thonë se Kurani është fjalë e Allahut (azze ue xhel) pa thënë se ai (Kurani) nuk është i krijuar, shumë dijetarë i konsiderojnë ata të jenë si ata që thonë se ai është i krijuar. Ata i quajnë ata “Uakifah” dhe thonë se ata janë më të këqij se ata që thonë se Kurani është krijuar, për shkak se ata dyshojnë në fenë e tyre. Lusim Allahun të na ruaj nga ata që dyshojnë se fjala e Allahut (te ala) nuk është e krijuar! 

81 – Ebu Daud Es-Sixhistani ka thënë:

“E kam dëgjuar Ahmed bin Hanbelin duke u pyetur: “A është e lejueshme të thuhet se Kurani është fjalë e Allahut dhe pastaj të heshtësh? “Ai u përgjigj: “Pse hesht ai? Ai do të kishte të drejtë të hesht nëse kjo çështje nuk ishte shfaqur. Por pse duhet të hesht ai, pasi që ata thonë atë që thonë?”

82 – Ebu Daudi ka thënë:

“E kam dëgjuar Is’hak bin Rahojën duke thënë: “Ai që thotë: “Unë nuk them se Kurani nuk është krijuar,” është Xhehmi.”

83 – Ebu Daudi ka thënë:

“E kam dëgjuar Uthman bin Ebi Shejben duke thënë: “Ata që thonë se Kurani është fjala e Allahut (azze ue xhel) dhe pastaj mbeten të heshtur, ata janë më të këqij se këta – që do të thotë më të këqij se ata që thonë se Kurani është i krijuar.”

84 – Ebu Daudi ka thënë:

“E pyeta Ahmed bin Salihin në lidhje me atë që thotë se Kurani është fjalë e Allahut (azze ue xhel) pa thënë se ai është i krijuar apo jo. Ai tha: “Ai është një dyshues dhe dyshuesi është kafir.”

85 – Ahmed bin Ibrahim ka thënë:

“E kam dëgjuar Muhammed bin El-Mukatil Abbadani – dhe ai ishte njëri prej muslimanëve më të mirë – duke thënë në lidhje Uakifah: “Unë i konsideroj ata të jenë më të këqij se Xhehmitë.”

86 – Ebu Talib ka thënë:

“E pyeta Ebu Abdil-Lahin në lidhje me atë që nuk deklarohet rreth Kuranit dhe thotë: “Unë nuk them se ai nuk është i krijuar.” Çfarë duhet të bëj në qoftë se unë has në të dhe ai më jep selam? A duhet t’ia kthehej selamin atij?” Ai u përgjigj: “Jo, mos i jep selam atij. Mos fol me të. Si do ta dinë njerëzit se ai është i keq në qoftë se ti i jep selam atij? Si do ta di ai që ti e kritikon atë? Nëse ti nuk i jep selam atij, ai do të ndjehet i poshtëruar. Atëherë ai do ta dijë se ti e kritikon atë dhe njerëzit do ta dinë se si është ai.”

87 – Ibn Ebi Bazzah ka thënë:

“Ai që thotë se Kurani është i krijuar ose që nuk deklarohet, ose është ai që thotë se shqiptimi i tij i Kuranit është i krijuar, apo diçka të ngjashme, nuk është në fenë e Allahut dhe të dërguarit të Tij deri sa ai të pendohet. “

Shpërndaje: