Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

8.Parimi i tretë

Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 18-28

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab

Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Parimi i tretë është se profeti ﷺ erdhi tek një popull që adhuronin në mënyra të ndryshme. Disa adhuronin engjëjt, të tjerët adhuronin profetët dhe njerëzit e mirë, disa adhuronin gurët dhe pemët, dhe disa adhuronin diellin dhe hënën. I dërguari i Allahut ﷺ luftoi kundër tyre dhe i konsideroi të gjithë të barabartë. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:

”Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të zbatohet feja vetëm për Allahun.” El-Bekare, 2:193

Shpjegimi – Profeti  iu dërgua idhujtarëve

Parimi i tretë është se profeti ﷺ u dërgua tek një popull idhujtarë. Disa adhuronin engjëjt, disa adhuronin diellin dhe hënën, të tjerë adhuronin idhujt, gurët dhe pemët, dhe disa adhuronin njerëzit e mirë.

Ajo e neveritshmja e idhujtarisë është se pasuesit e saj nuk janë të bashkuar në një gjë të caktuar ndryshe nga monoteistët të cilët e adhurojnë vetëm Allahun -subhanehu ue te ala-:

”O ju dy shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi Ngadhënjimtar? Ata që ju adhuroni përveç Allahut, nuk janë tjetër vetëm se emra të cilët i keni shpikur ju dhe baballarët tuaj.” Jusuf, 12:39-40

Prej gënjeshtrave të idhujtarëve është se ata adhurojnë në mënyra të ndryshme pa ndonjë rregull unifikues (që i bashkon). Kjo është për shkak se ata nuk pasojnë një bazament. Në vend të kësaj ata pasojnë epshet e tyre dhe pohimet e njerëzve të devijuar e cila i bën ata që të ndahen në shumë grupe:

”Allahu solli shembull një njeri rob që e kanë në bashkëpronësi disa pronarë të cilët grinden mes veti, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar të cilit i përkushtohet. A janë këta dy të barabartë në krahasim? Gjitha hamdet dhe lavdërimet i përkasin Allahut! Por shumica e tyre nuk e dinë.” Ez-Zumer, 39:29

Ai që e adhuron vetëm Allahun është si një rob i cili ka vetëm një pronar në praninë e të cilit ai jeton. Ai i di qëllimet dhe dëshirat e tij, dhe jeton në harmoni me të. Nga ana tjetër idhujtarët janë si një rob i cili është në pronësi të disa pronarëve dhe nuk e di kë ta kënaq. Secili prej tyre dëshiron diçka, secili kërkon diçka, secili do diçka, secili dëshiron që robi të shkojë tek ai. Për këtë arsye, Ai -subhaneh- ka thënë:

Allahu solli shembull një njeri rob që e kanë në bashkëpronësi disa pronarë të cilët grinden mes veti…” Ez-Zumer, 32:29

Do të thotë se disa njerëz e posedojnë atë pa e ditur ai së kujt së pari t’ia plotësojë dëshirat:

”…me një rob i cili i përket plotësisht vetëm një pronari…” Ez-Zumer, 32:29

Ky njeri e ka një pronar me të cilin jeton në harmoni. Në këtë mënyrë Allahu e krahason idhujtarin dhe atë që e adhuron vetëm Allahun.

Idhujtarët adhurojnë siç thashë në mënyra të ndryshme. Megjithatë, profeti ﷺ luftoi kundër tyre të gjithëve pa bërë asnjë dallim mes tyre. Ai luftoi kundër idhujtarëve, jehudëve, nasarave (të krishterëve), adhuruesve të zjarrit, adhuruesve të engjëjve dhe adhuruesve të njerëzve të mirë pa bërë dallim mes tyre.

Këtu kemi një kundërshtim ndaj atyre që thonë:

”Adhurimi i statujës nuk është si adhurimi i një njeriu të mirë ose një engjëlli për shkak se të parët adhurojnë gurët, pemët dhe objektet e pa jetë. Sa për atë që e adhuron një njeri të mirë i cili është i afërt me Allahun, ai nuk konsiderohet si një statujë.”

Me këtë ata duan të thonë se ai që adhuron varret dallon nga ai që adhuron statuja dhe se ata mendojnë se ai as nuk del nga feja dhe as nuk bën idhujtari, dhe prandaj nuk është e lejuar për ta luftuar një person të tillë.

Ne themi: I dërguari ﷺ nuk bëri dallim në mes tyre por i konsideroi të gjithë të jenë idhujtarë. Ai e bëri të lejuar vrasjen e tyre dhe lejoi që t’u merret pasuria pa bërë dallim mes tyre. Ai luftoi kundër atyre që e adhuronin Mesiun ﷺ edhe pse Mesiu ﷺ është i dërguari i Allahut. Ai gjithashtu luftoi kundër jehudëve të cilët e adhurojnë Uzejrin ﷺ i cili është një nga profetët e tyre (dhe profeti ynë), dhe njerëzit e mirë. I dërguari i Allahut ﷺ luftoi kundër tyre pa bërë dallim mes tyre. Nuk ka asnjë dallim në shirk pavarësisht nëse e adhuron një njeri të mirë apo një statujë, një gur apo një pemë sepse shirku është që t’i kushtohet adhurimi dikujt tjetër pos Allahut. Prandaj, Allahu -te ala- thotë:

”Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim).” En-Nisa, 4:36

Fjala ”asgjë” është ndalesë e përgjithshme dhe përfshinë çdo gjë që adhurohet karshi Allahut -azze ue xhel-, sikurse engjëjt, të dërguarit, njerëzit e mirë, gurët dhe pemët. Argument për këtë (për t’i luftuar ata) janë fjalët e Tij -te ala-:

”Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të zbatohet feja vetëm për Allahun.” El-Bekare, 2:193

Domethënë argument se duhet luftuar kundër idhujtarëve pa bërë dallim mes tyre për shkak të adhurimeve të tyre të ndryshme, janë fjalët e Tij -te ala-:

”Luftoni ata…”

Kjo është e përgjithshme dhe vlen për të gjithë idhujtarët pa përjashtim. Pastaj Ai -te ala- thotë:

”…derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve…”

Qëllimi është se nuk duhet të ketë shirk fare. Fjalia është e përgjithshme dhe përfshinë të gjitha llojet e shirkut pavarësisht nëse bëhet shirk me njerëzit e mirë, eulijatë, gurët, pemët, diellin apo hënën.

”…dhe derisa të zbatohet feja vetëm për Allahun.”

Do të thotë i gjithë adhurimi duhet t’i kushtohet vetëm Allahut. Prandaj nuk ka dallim nëse shirku bëhet me njerëzit e mirë, eulijatë, gurët, pemët, shejtanët apo diçka tjetër.

Argument për diellin dhe hënën janë fjalët e Tij -te ala-:

”Dhe nga shenjat e Tij janë nata dhe dita, edhe dielli dhe hëna. Mos u bini në sexhde as diellit e as hënës, por bini në sexhde vetëm Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtet që e adhuroni Atë!” Fusilet, 41:37

Shpjegimi – Shenjat e Allahut -te ala-

Kjo tregon se ka njerëz që i bëjnë sexhde diellit dhe hënës. Prandaj i dërguari ﷺ e ka ndaluar faljen e namazit gjatë kohës kur dielli lind dhe perëndon si shkak sigurie sepse ka njerëz që i bëjnë sexhde diellit kur ai lind dhe perëndon. Prandaj ne jemi ndaluar nga namazi gjatë këtyre kohëve edhe nëse ne i falemi vetëm Allahut. Pasi që falja e namazit gjatë këtyre kohëve i ngjason veprimit të idhujtarëve kjo u ndalua për të mbyllur të gjitha rrugët që shpien në shirk. I dërguari ﷺ e ka ndaluar këtë në të njëjtën mënyrë sikurse ka ndaluar çdo gjë që shpie në shirk2.

Argumenti për engjëjt janë fjalët e Tij -te ala-:

”As nuk do t’ju urdhëronte të merrni engjëjt ose profetët për zota.” Ali-Imran, 3:80

Argument për profetët janë fjalët e Tij -te ala-: ”Dhe Allahu do të thotë:

“Dhe kur Allahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti u the njerëzve : “Më adhuroni mua dhe nënën time, dy të adhuruar përveç Allahut!?” Isai tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, Ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, e unë nuk e di ç’ka në Ty. Ti je më i Dijshmi i të fshehtave!” El-Maide, 5:116

Shpjegimi – Vlera e engjëjve dhe profetëve

Fjalët e tij ”Dëshmia për engjëjt…” tregon se ka nga ata që adhurojnë engjëjt dhe profetët, dhe se kjo është shirk. Sot adhuruesit e varreve thonë:

”Ai që adhuron engjëjt, profetët dhe njerëzit e mirë nuk është kafir.”

”Dëshmia për profetët …” është një argument se adhurimi kushtuar profetëve është shirk sikurse adhurimi kushtuar statujave.

Këtu refuzohen këta adhurues të varreve që bëjnë dallime në mes të këtyre dy çështjeve duke thënë:

”Shirk është vetëm adhurimi i statujave.”

Ata nuk e konsiderojnë të barabartë atë që e adhuron një statujë me atë që e adhuron një njeri të mirë apo një eulija. Ata e refuzojnë këtë barazi dhe pohojnë se shirku është i kufizuar në atë që adhuron vetëm statujat. Ky është një gabim i qartë nga dy këndvështrime:

1 – Allahu -xhele ue ala- i refuzon të gjithë idhujtarët në Kuran dhe urdhëron që të luftohet kundër të gjithë idhujtarëve.

2 – Profeti ﷺ nuk bëri dallim në mes të atyre që adhurojnë statuja, engjëj dhe njerëz të mirë.

Dëshmi për njerëzit e mirë janë fjalët e Tij -te ala-:

”Të tillët që këta po lusin (pos Allahut), vetë ata kërkojnë që t’i afrohen Zotit të tyre aq sa të munden.” El-Isra, 17:57

Shpjegimi – njerëz të mirë

Këtu përmendën dëshmi se ka njerëz që adhurojnë njerëz të mirë:

”Të tillët që këta po lusin (pos Allahut), vetë ata kërkojnë që t’i afrohen Zotit të tyre aq sa të munden.” El-Isra, 17:57

Ky ajet është shpallur për ata që e adhurojnë Mesiun ﷺ, nënën e tij dhe Uzejrin ﷺ. Prandaj Allahu -subhaneh- njoftoi se Mesiu ﷺ dhe nëna e tij Merjemja, dhe Uzejri ﷺ të gjithë janë robër të Allahut. Ata përpiqen për t’iu afruar Allahut, shpresojnë në mëshirën e Tij dhe i frikësohen dënimit të Tij sepse ata vetë janë robër të cilët janë në nevojë për Allahun, e adhurojnë Atë dhe përpiqen që t’i afrohen Atij nëpërmjet bindjes:

”Të tillët që këta po lusin (pos Allahut), vetë ata kërkojnë që t’i afrohen Zotit të tyre aq sa të munden.” El-Isra, 17:57

Do të thotë kërkojnë që t’i afrohen Allahut -subhaneh- me anë të bindjes dhe adhurimit ndaj Tij. Kjo do të thotë se ata janë vetëm nevojtarë dhe robër të varfër që i luten Allahut, shpresojnë mëshirën e Tij dhe i frikësohen dënimit të Tij, dhe prandaj nuk e meritojnë të adhurohen karshi Allahut -azze ue xhel-.

Një mendim tjetër thotë se ajeti është shpallur lidhur me një grup të idhujtarëve të cilët e kishin zakon të adhuronin një grup prej xhinëve. Pastaj këta xhinë e pranuan Islamin, pa e ditur këtë adhuruesit e tyre. Xhinët filluan me përulësi të kërkojnë afrim tek Allahu duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Pra edhe ata janë gjithashtu nevojtarë dhe robër të varfër që nuk e meritojnë adhurimin.

Pavarësisht se cili ishte qëllimi me këtë ajet fisnik, ky ajet dëshmon se nuk lejohet që të adhurohen njerëzit e mirë pavarësisht nëse ata janë profetë, njerëz të sinqertë, eulija apo njerëz të mirë. Nuk lejohet që të adhurohen sepse ata të gjithë janë robër të varfër të Allahut, të cilët janë në nevojë për Të. Atëherë si mund të adhurohen karshi Allahut -xhela ue ala-?

Dhe kuptimi i ”uesile” këtu është bindja dhe kërkimi i afrimit (tek Allahu). Në aspektin gjuhësorë do të thotë ”diçka e cila shpie tek qëllimi”. Ajo që shpie në kënaqësinë dhe dashurinë e Allahut është uesile – afrimi tek Ai. Kjo është uesilja e ligjëruar, e përmendur në thënien e Tij -te ala-:

”Dhe kërkoni afrim te Ai.” El-Maide, 5:35

Sa për të devijuarit dhe njerëzit mendjelehtë, ata thonë:

”Uesile” është që ti të vendosësh mes teje dhe Allahut një ndërmjetës prej njerëzve eulija, njerëzve të mirë, ose të vdekurve, të cilët të afrojnë tek Allahu.”

”Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër përveçse që të na afrojnë sa më afër Allahut.” Ez-Zumer, 39:3

Kështu këta njerëz mendjelehtë e interpretojnë fjalën ”uesile”. Ata besojnë se duhet të kesh një ndërmjetës mes teje dhe Allahut, i cili të prezanton ty tek Allahu, ia tregon nevojat tuaja Atij dhe i tregon për ty. Është sikurse Allahu -xhele ue ala- nuk e di apo se Ai është koprrac dhe jep vetëm pasi dikush të ketë ndërhyrë tek Ai, larg është Allahu -xhele ue ala- nga ajo që ata thonë! Ata ngatërrojnë njerëzit dhe thonë se Allahu -xhela ue ala- thotë:

”Të tillët që këta po lusin (pos Allahut), vetë ata kërkojnë që t’i afrohen Zotit të tyre aq sa të munden.” El-Isra, 17:57

Ata thonë se kjo dëshmon se është e ligjësuar për të marrë ndërmjetësues nga krijesat (njerëzit, xhinët, engjëjt) që ndërmjetësojnë tek Allahu sepse Allahu i lavdëron ata që e bëjnë këtë. Pastaj vjen ajeti vijues:

”O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe kërkoni afrim te Ai, luftoni në rrugën e Tij që të gjeni shpëtim.” El-Maide, 5:35

Këtu, ata thonë:

”Allahu na ka urdhëruar që të kërkojmë uesile për tek Ai, dhe kuptimi i uesile është një ndërmjetësues.”

Kështu ata shtrembërojnë fjalët nga kuptimi i saj.

Uesilja e ligjësuar në Kuran dhe sunnet është bindja që të afron tek Allahu duke bërë teuesul përmes emrave dhe cilësive të Tij -subhanehu ue te ala-. Kjo është uesilja e ligjësuar.

Lidhur me bërjen teuesul tek Allahu me anë të krijesave kjo është uesilja e ndaluar që përbën shirk të cilën e përdornin idhujtarët në kohët e më hershme:

”Ata pos Allahut adhurojnë atë që nuk u sjell dëm dhe as dobi dhe thonë: ”Këta janë ndërmjetësuesit tanë te Allahu”.” Jusuf, 10:18

”Dhe ata që zgjedhin për mbrojtës e ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër përveçse që të na afrojnë sa më afër Allahut. Ska dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është gënjeshtar, mohues.” Ez-Zumer, 39:3

Ky është shirku i idhujtarëve të mëhershëm dhe të mëvonshëm. Edhe pse ata e quajnë atë ”uesile” ky nuk është asgjë tjetër përveçse shirk i qartë dhe jo uesilja të cilin e ka ligjësuar Allahu -subhanehu ue te ala-. Allahu kurrë nuk e ka lejuar shirkun të jetë uesile për tek Ai. Përkundrazi shirku është ai që largon nga Allahu -subhanehu ue te ala-:

”Atij që i bën ortak Allahut, Allahu ia ka ndaluar atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.” El-Maide, 5:72

Atëherë si mund të besohet se shirku është një mjet për tek Allahu? Larg është Allahu nga ajo që ata thonë!

Qëllimi i ajetit është se ky dëshmon se ka idhujtarë që adhurojnë njerëz të mirë. Allahu e ka bërë të qartë këtë dhe se ata që i adhurojnë janë vetëm robër nevojtarë dhe se ata:

”…Të tillët që këta po lusin (pos Allahut), vetë ata kërkojnë që t’i afrohen Zotit të tyre aq sa të munden…” El-Isra, 17:57

Është se ata kërkojnë afrim tek Allahu duke iu bindur Atij.

 ”…shpresojnë në mëshirën e Tij…” El-Isra, 17:57

Do të thotë se ata garojnë në adhurim me njëri-tjetrin për hir të Allahut -xhele ue ala- sepse ata janë në nevojë për Allahun:

”…shpresojnë në mëshirën e Tij…” El-Isra, 17:57

Personi gjendja e të cilit është e tillë nuk është me vend që të jetë hyjni të cilit i luten dhe e adhurojnë karshi Allahut -azze ue xhel-.

Dëshmi për gurët dhe pemët janë fjalët e Tij -te ala-:

”A e keni parë el-Lat dhe el-Uzza? Dhe Menat, të tretin, të fundit (të cilët ju i adhuroni)?” En-Nexhm, 53:19-20

Shpjegimi – adhurimi i gurëve dhe pemëve

Ky ajet dëshmon se ka idhujtarë që adhurojnë gurët dhe drurët.

”A e keni parë…”

është një pyetje refuzuese që do të thotë: ”më tregoni”, me anë të një pyetje qortuese dhe poshtëruese.”

”El-Lat…” ishte një statujë në Taif që ishte një gur i gdhendur, një tempull që ngjante me qabën. Ajo ishte e rrethuar nga një oborr me roje të sigurisë. Ata e kishin zakon që ta adhuronin atë karshi Allahut -azze ue xhel-. Lati i përkiste fisit Thekif dhe aleatëve të tyre në mesin e fiseve të ndryshme që e kishin zakon të mburreshin me të. El-Lat kishte qenë një njeri i mirë i cili e kishte zakon t’u përgatiste qull pelegrinëve. Kur ai vdiq, ata ndërtuan një tempull mbi varrin e tij dhe e mbuluan varrin me perde. Si pasojë ata filluan ta adhurojnë atë karshi Allahut -azze ue xhel-.”

”El-Uzza… ” ishin disa pemë në një luginë të palmave në mes Mekës dhe Taifit. Rreth tyre ishte një ndërtesë me perde dhe me roje rreth. Në të kishte shejtanë të cilët u flisnin njerëzve. Njerëzit injorantë mendonin se ishin pemët dhe tempulli të cilët flisnin me ta. Shejtanët ishin ata që flisnin me ta për t’i larguar nga rruga e Allahut. Kjo statujë u përkiste Kurejshëve, banorëve të Mekës dhe fshatrave të afërta.

”Menat…” ishte një gur i madh që ndodhej në afërsi të malit Kudejd në mes Mekës dhe Medinës. Ai i përkiste fisit Khuza’ah, El-Eus dhe El-Khazrexh. Nga aty e kishin zakon të hynin në ihram kur ata ishin rrugës për në haxh dhe e adhuronin atë karshi Allahut.

Këta tre idhuj ishin më të mëdhenjtë tek arabët.

Allahu -te ala- thotë:

”A e keni parë el-Lat dhe el-Uzza? Dhe Menat, të tretin, të fundit (të cilët ju i adhuroni)?” En-Nexhm, 53:19-20

A kanë sjellë dobi ata? A keni përfituar prej tyre? A ju kanë ndihmuar? Mos e kishin zakon të krijonin, të dhuronin furnizim, të jepnin jetë dhe vdekje? Çka keni gjetur në ta? Ky është një qortim që vë mendjen për t’u kthyer në kuptimin e saj të shëndoshë. Këto krijesa nuk janë gjë tjetër veçse gur dhe pemë që as nuk sjellin dobi e as dëm.

Kur Allahu e solli Islamin dhe i dërguari i Allahut ﷺ e pushtoi Mekën, ai e dërgoi el-Mugirah bin Shu’beh dhe Ebu Sufjan bin Harbin tek el-Lati në Taif dhe i urdhëroi ata që ta shkatërrojnë atë. Po ashtu ai e dërgoi Khalid bin Uelidin tek el-Uzza dhe ai e shkatërroi atë, preu pemët dhe vrau gruan shejtane e cila fliste me njerëzit për t’i devijuar ata – dhe hamdet dhe lavdërimet i takojnë Allahut. Përveç kësaj ai e dërgoi Ali ibn Ebi Talibin tek Menati i cili e shkatërroi dhe e asgjësoi atë3.

Nëse këta idhuj nuk qenë në gjendje për të shpëtuar veten e tyre atëherë si munden të shpëtojnë njerëzit dhe shërbëtorët e tyre?

”A e keni parë el-Lat dhe el-Uzza? Dhe Menat, të tretin, të fundit (të cilët ju i adhuroni)?” En-Nexhm, 53:19

A ishin në gjendje që të bënin dobi dhe a ishin në gjendje që të shpëtonin veten e tyre nga ushtarët e Allahut dhe nga ushtria e monoteistëve?

Kjo pra është dëshmi se ka njerëz që adhurojnë pemët dhe gurët. Edhe pse këta tre idhuj ishin idhujt më të mëdhenj, megjithatë, Allahu e shkatërroi ekzistencën e tyre. Ata as nuk mbrojtën veten e tyre e as nuk u sollën dobi adhuruesve të tyre. I dërguari i Allahut ﷺ luftoi kundër idhujtarëve pa u penguar nga statujat e tyre. Kjo është ajo që shejkhu -rahimehullah- përmendi për të argumentuar se ka njerëz që adhurojnë gurët dhe pemët.

I Madh është Allahu në Lavdinë e Tij! Si munden njerëzit e mençur të adhurojnë pemët e pajetë dhe gurët që as nuk kanë mendje, as lëvizje e as jetë. Ku është mendja e njeriut? Larg është Allahu -xhele ue ala- nga ajo që ata thonë.

Ebu Uakid el-Lejthi -radijAllahu anhu- ka thënë:

”Ne u nisëm për në Hunejn së bashku me profetin , ndërsa ne sapo kishim braktisur mosbesimin. Idhujtarët kishin një pemë sidri me emrin ”Dhat Enuat” të cilën e kishin zakon ta madhëronin dhe varnin armët e tyre në të. Ne kaluam pranë një peme sidri dhe thamë:

”O i dërguari i Allahut, na cakto një Dhat Enuat sikurse ata e kanë të tyren.” 

I dërguari i Allahut tha:

”Allahu Ekber! Allahu Ekber! Allahu Ekber!” Kjo është pikërisht ajo që pasuesit e Musait i kërkuan atij:

”Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar”.”

Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im; ju do të pasoni traditat e paraardhësve tuaj.” 4

Shpjegimi – injoranca rreth teuhidit

Ebu Uakid el-Lejthi -radijAllahu anhu- ishte një nga ata që u bë muslimanë në vitin e çlirimit të Mekës, tetë vjet pas hixhretit.

”Enuat” është shumësi i ”naut”, që do të thotë varje. Ata e kishin zakon të varnin armët e tyre në pemë për të kërkuar bekim prej saj. Këtë e thanë disa sahabi që sapo ishin bërë muslimanë dhe prandaj nuk e kuptuan teuhidin si duhet.

”…na cakto një Dhat Enuat sikurse ata e kanë të tyren…”

Ky është problemi i pasimit të verbër dhe imitimit. Kjo është një nga sprovat më të mëdha. Profeti ﷺ u befasua me këtë dhe tha:

”Allahu Ekber! Allahu Ekber! Allahu Ekber!”

Kur profeti ﷺ befasohej apo zemërohej për diçka, ai thoshte në mënyrë të përsëritur: ”Allahu Ekber” ose ”Subhan Allah”.

”…ju do të pasoni traditat e paraardhësve tuaj.”

Do të thotë rrugët të cilat i pasonin njerëzit dhe do të merrni njëri-tjetrin si shëmbëlltyrë. Kjo që ju shtyu të thoni këtë nuk ishte asgjë tjetër përveçse pasimit të paraardhësve dhe ngjasimit me idhujtarët.

”Kjo është pikërisht ajo që pasuesit e Musait i kërkuan atij:

“Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar”. 

”Dhe Ne i sollëm të sigurt bijtë e Israilit përmes detit derisa arritën te një popull i dhënë në adhurimin e idhujve. Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar”. Musai tha: “Ju qenkeni vërtet një popull i paditur!” El-A’raf, 7:138

Ai i refuzoi ata dhe tha:

 “Padyshim që këta njerëz do të shkatërrohen për atë që po veprojnë (adhurimin e idhujve).” El-A’raf, 7:139

Do të thotë nga e keqja dhe e kota e asaj që vepruan.

”dhe e gjitha kjo që po veprojnë është krejt boshe dhe e kotë.” El-A’raf, 7:139

Për shkak se veprimi i tyre ishte shirk.

”Ai (Musai) tha: ”A të kërkoj për ju Ilah (të adhuruar) tjetër përveç Allahut ndërkohë që Ai ju ka zgjedhur ju përmbi gjithë njerëzit?” El-A’raf, 7:140

Musai ﷺ i refuzoi ata në të njëjtën mënyrë sikurse profeti ynë Muhammedi ﷺ i refuzoi këta njerëz. Ndërsa nuk bëri shirk asnjëri prej popujve. Izraelitët nuk bënë shirk kur thanë këtë sepse ata nuk vepruan. E njëjta gjë vlen edhe me sahabët; edhe ata kishin rënë në shirk në qoftë se ata kishin marrë një Dhat Enuat. Por Allahu i mbrojti ata. Kur profeti ﷺ i tyre i ndaloi ata nga kjo, ata u shmangën. Ata e thanë këtë nga injoranca, jo qëllimshëm. Pasi ata e kishin mësuar se veprimi është shirk, ata u ndaluan dhe nuk bënë asgjë.

Qëllimi i ajetit është se ka njerëz që adhurojnë pemët. Idhujtarët morën Dhat Enuatin, dhe gjithashtu u përpoqën këta sahabi për shkak të dijës së tyre të vogël t’i ngjasojnë idhujtarëve por Allahu i mbrojti ata me të dërguarin e Tij ﷺ.

Qëllimi është se disa njerëz kërkojnë bekimin e pemëve dhe i shenjtërojnë ato. T’i shenjtërosh ato do të thotë që të qëndrosh pranë tyre një kohë të gjatë për t’iu afruar atyre. Shenjtërimi pra është të qëndruarit në një vend.

Prandaj kjo sqaron disa çështje të mëdha:

E para: Rreziku i të qenurit injorant lidhur me teuhidin. Ai që është injorant lidhur me teuhidin e ka të lehtë që pa dashje të bjerë në shirk. Prandaj është e detyrueshme për të mësuar teuhidin dhe të kundërtën e tij që është shirku në mënyrë që njeriu të jetë i përqendruar në dituri dhe në të kuptuar. Kjo vlen veçanërisht nëse e sheh dikë duke bërë shirk dhe e konsideron veprimin të jetë i saktë për shkak të injorancës së tij. Pra kjo çështje nxjerr në pah rrezikun e injorancës, veçanërisht në qoftë se çështja ka të bëjë me çështjet e besimit.

E dyta: Hadithi thekson rrezikun nga ngjasimi me kufarët. Ky ngjasim mund të shpie gjithashtu në shirk.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Kush i ngjason një populli, ai është prej tyre.” 5

Pra nuk lejohet t’u ngjasosh idhujtarëve.

E treta: Është shirk që të kërkosh bekimin nga gurët, pemët dhe ndërtesat edhe në qoftë se e emërton veprimin me një emër tjetër. Të kërkuarit bekimin nga diçka tjetër pos Allahut, sikurse nga gurët, pemët, varret dhe vendet e shenjta është shirk.


1 Abdullah ibn Umeri -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Askush nga ju mos ta fal namazin kur dielli është duke lindur ose duke perënduar.”

Bukhari (585) dhe Muslimi (828).

2 Shih: Fet’h-ul-Mexhid li Sherh Kitab-it-Teuhid (2/835 -839).

3 Shih: Zad-ul-Me’ad (4/413 -415).

4 Tirmidhi (2180), Ahmedi (5/218), Ibn Ebi Asim (76) dhe Ibn Hibani (6702). Autentik sipas Ibn Haxherit në El-Isabeh (4/216).

5 Ebu Daudi (4031) dhe Ahmedi (2/50) nga Abdullah bin Umeri -radijAllahu anhuma-. Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh ka thënë: Zinxhiri i transmetimit është i mirë, (Iktidha’ Es-Sirat El-Mustakim (1/236-239)). Hafidh el-Iraki ka thënë: Zinxhiri është autentik, (Takhrixh-ul-Ihja (2/65)). Hafidh Ibn Haxheri ka thënë: Zinxhiri është autentik, (Fet’h-ul-Bari (6/98)).

Shpërndaje: