Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – Kur i mençuri mbaron me korrigjimin e së brendshmes së tij, ai obligohet që vazhdimisht të kërkojë dituri. Nuk është e mundur që të arrish diçka në këtë jetë pa dituri të thellë rreth asaj që kërkon. I mençuri nuk duhet të qëndrojë larg nga dija e cila bën që engjëjt t’i shtrijnë krahët e tyre mbi të.
2 – Nuk është e hijshme që gjatë jetës të kërkojë afërsinë ndaj pushtetarëve apo të ketë motive të tjera të kësaj bote. Ah, sa e shëmtuar është që dijetari t’i nënshtrohet njerëzve të cilët janë të dhënë pas kësaj bote!
3 – Fudejl bin Ijad ka thënë:
”Sa e shëmtuar është të shkosh tek dijetari, ta kërkosh atë dhe të të thuhet se ai është te emiri apo te gjykatësi. Çfarë ka të bëjë dijetari me emirin apo me gjykatësin?! Dijetari duhet të jetë në xhami dhe të lexojë.”
4 – Esh-Sha’bi ka thënë:
“O Nxënës dije! Mos kërko dije me budallallëk e pakujdesi por kërko dije me rehati, qetësi dhe pa nxitim.”
5 – Esh-Sha’bi ka thënë:
“Kjo dije kërkohet vetëm nga personi i cili posedon dy veçori: mençurinë dhe adhurimin. Nëse ka mençuri dhe nuk ka adhurime, thonë: “Kjo dituri arrihet vetëm nga ata që jepen fortë pas adhurimit.” Dhe si rezultat i kësaj njeriu braktis studimet. E nëse ai ka adhurime por nuk është i mençur, thonë: “Kjo dije arrihet vetëm nga ata që janë të mençur.” Dhe si rezultat i kësaj njeriu largohet nga studimet. Kurse në ditët e sotme dija po kërkohet nga njerëz që u mungon edhe mençuria edhe adhurimi.”
6 – Sufjan eth-Theuri ka thënë:
“Dituria fillon me heshtje, pastaj me dëgjim, pastaj duke mësuar përmendësh, pastaj duke vepruar dhe pastaj duke e përhapur atë.”
7 – Ebu-Derda -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Nuk bëhesh dijetar para se të jesh nxënës dije, dhe nuk je dijetar për shkak të dijes që posedon derisa të veprosh me dijen që ke.”
8 – I mençuri nuk kërkon dije përveçse të punojë sipas saj. Ai që kërkon dije për motive të tjera do të bëhet arrogant dhe kryelartë. Përveç kësaj ai as nuk do të veprojë. Kjo gjë i dëmton pasuesit e tij më shumë sesa vetë atë.
9 – Malik bin Dinar:
“Nëse njeriu kërkon dije për të vepruar sipas saj dituria e tij do ta bëjë të lumtur. Por nëse e bën këtë për qëllime të tjera ai bëhet arrogant.”
10 – Sufjan eth-Theuri ka thënë:
“Dijetari është mjeku i fesë ndërsa paraja është helmi i fesë. Nëse mjeku sëmuret, si pritet që ai t’i trajtojë të tjerët?”
11 – Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Përqendrohuni në dije para se ajo të humbet. Ajo humbet me vdekjen e dijetarëve. Do të gjeni njerëz që pretendojnë se iu thërrasin për tek libri i Allahut ndërsa ata vetë e lënë atë pas shpine. Asnjë nga ju nuk e di se kur do të ketë nevojë për dijen ose kur dija do të ketë nevojë për të. Përqendrohuni në dije, largohuni nga bidatet dhe kapuni për fenë e selefëve!”
12 – Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Dituria nuk është në transmetime të shumta por dituria është të kesh frikë Allahun.”
13 – Imam Maliku ka thënë:
“Dituria nuk është në transmetime të shumta por dituria është të kesh frikë Allahun.”
14 – I mençuri i shmanget çdo gjëje të kësaj bote që mund ta njollosë dijen e tij. Ai duhet të veprojë sipas dijes aq sa mundet madje qoftë edhe nëse vepron me 1/20 e haditheve që i di. Në këtë rast zekati i dijes është dhënë. Mirëpo edhe nëse nuk mund të veprojë me dijen që ka kjo nuk do të thotë që duhet ta braktisë të mësuarit e saj.
15 – Uehb bin Munebih ka thënë:
“Kush mëson dije të vërtetë të mbështetur në sunnet, Allahu kurrë nuk do t’ia marrë mendjen atij.”
16 – El-Mu’temir bin Sulejman ka thënë:
“Babai im më shkroi letër kur isha në Kufe, më shkroi: “Bli letra dhe shkruaje dijen ngase pasuria humbet, e dituria mbetet.”
17 – Udhëtimi i shumtë, braktisja e familjes dhe vendlindjes (për kohë të gjatë) për hir të dijes por pa vepruar sipas saj ose për ta mësuar përmendësh nuk i përket cilësive të të mençurve. Gjëja më e mirë që njeriu mund të bëjë në këtë rast është që të priret në të mirë duke e shoqëruar këtë me përkushtim të madh dhe ruajtje nga mëkatet.
18 – El-Uaki’i ka thënë:
“Mësimin përmendësh ndihmoje duke u ruajtur nga mëkatet.”
19 – I mençuri nuk lufton për diçka që nuk sjell përfitim në të dy jetët. Nëse personi arrin dituri nuk duhet të jetë koprrac duke mos ua dhënë të tjerëve atë dije. Mirësia e parë e dijes është mësimdhënia. Nuk kam parë dikë të jetë koprrac në mësimdhënie veçse nuk kanë përfituar nga dituria e tij asgjë. Ashtu siç nuk ka dobi nga uji nën tokë derisa ai të fillon të rrjedhë, po ashtu nuk ka dobi nga dija përderisa ajo nuk përhapet dhe nuk u mësohet të tjerëve.
20 – Ebu Derda -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Njerëzit duhet të jenë ose dijetarë ose kërkues së dijes. Nuk ka asnjë mirësi në të tjerët.”