Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 93-94
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
I dërguari i Allahut ﷺ gjithashtu na ka lajmëruar se do të ketë njerëz që do të dëbohen nga pellgu (haudi) dhe do të ndalohen të pinë prej tij.
I dërguari ﷺ do të thotë:
“O Zoti im, janë nga umeti im! Janë nga umeti im!”
Dhe Allahu azze ue xhel do t’i thotë: “Ti nuk e di se çfarë kanë shpikur ata pas teje.”
Pastaj ai ﷺ do të thotë: “Largojini ata që ndryshuan dhe ndërruan fenë!” 1
Do të ndalohen prej pellgut (haudit) pasuesit e bidatit, të devijuarit, ata që e kundërshtuan të dërguarin e Allahut ﷺ, ata të cilët mohuan dhe e braktisën fenë, e braktisën sunnetin dhe ndoqën epshet e tyre dhe mendimet e tyre të devijuara. Këta do të privohen nga pellgu i të dërguarit të Allahut ﷺ sepse ata ndryshuan dhe e braktisën fenë.
Vetëm ata që pasuan sunnetin e të dërguarit të Allahut ﷺ në fjalë, vepra dhe besim, vetëm këta do të pinë prej tij.
Disa dijetarë besojnë se pellgu është Keutheri i përmendur në fjalët e Allahut (te ala):
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ
“Ne vërtet të dhuruam ty (O Muhammed) El-Keutherin.” 2
Të tjerë thonë se fjala (الْكَوْثَر) do të thotë, një mirësi e madhe. Sigurisht, pellgu (haudi) përfshihet në këtë mirësi të madhe pasi ai do të jetë mirësi për këtë umet.3 Për këtë arsye, është obligim besimi në pellgun (haudin) e të dërguarit të Allahut ﷺ. Gjithashtu është obligim kapja pas sunnetit në mënyrë që të lejohesh të pish prej tij dhe të mos dëbohesh prej tij në ditën e gjykimit.
1 Bukhari (6589) dhe Muslimi (2292).
2 108:1
3 Transmetohet nga Seid ibn Xhubejri se ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) ka thënë për Keutherin: ”Ai është një nga mirësitë e mëdha që Allahu i ka dhënë të dërguarit të Allahut ﷺ.” Ka thënë Ebu Bishr: ”I thashë Seid ibn Xhubejrit se njerëzit thonë që Keutheri është lumë në xhenet?” Ndërsa Seid ibn Xhubejri tha: ”Lumi që është në xhenet është një nga mirësitë që Allahu i ka dhënë të dërguarit të Allahut ﷺ.” Bukhari (6582, 6584, 7051) dhe Muslimi (2291, 2304).