“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

84.Tre qëndrimet në lidhje me ndërmjetësimin (esh shefa’ah) në ditën e gjykimit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 94-95
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com 

Ebu Xha’fer el-Uarrak et-Tahaui (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

1-Ndërmjetësimi të cilin Ai e ka rezervuar për umetin është i vërtetë, siç kanë ardhur transmetimet për këtë.

SHPJEGIMI

Ndërmjetësimi (es shefa’ah) gjithashtu është një çështje e rëndësishme e besimit.1 Disa njerëz kanë devijuar dhe e kanë ekzagjeruar në lidhje me ndërmjetësimin, ndërsa disa njerëz të tjerë kanë devijuar duke e mohuar atë, dhe disa të tjerë kanë qëndrim mesatar në lidhje me ndërmjetësimin. Me fjalë të tjera, ka tre qëndrime në lidhje me ndërmjetësimin në ditën e gjykimit:

1-Disa e konfirmojnë atë (ndërmjetësimin) aq shumë sa që madje u luten të vdekurve, varreve, statujave, pemëve dhe gurëve duke kërkuar prej tyre ndërmjetësim:

وَيَعْبُدُونَ مِن دُونِ اللّهِ مَا لاَ يَضُرُّهُمْ وَلاَ يَنفَعُهُمْ وَيَقُولُونَ هَؤُلاء شُفَعَاؤُنَا عِندَ اللّهِ

“Ata pos Allahut adhurojnë atë që nuk u sjell dëm dhe as dobi dhe thonë: ”Këta janë ndërmjetësuesit tanë te Allahu”.” 2

وَالَّذِينَ اتَّخَذُوا مِن دُونِهِ أَوْلِيَاء مَا نَعْبُدُهُمْ إِلَّا لِيُقَرِّبُونَا إِلَى اللَّهِ زُلْفَى

“Dhe ata që zgjedhin për mbrojtës e ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): “Ne i adhurojmë ata vetëm që ata të mund të na afrojnë tek Allahu.” 3

2-Disa të tjerë e mohojnë ndërmjetësimin, prej tyre janë Mutezilitë dhe Khauarixhët. Sipas tyre nuk do të ketë ndërmjetësim për ata muslimanë që kanë bërë mëkate të mëdha. Në këtë mënyrë ata kanë kundërshtuar transmetimet e shumta nga Kurani dhe sunneti që e konfirmojnë ndërmjetësimin.

3-Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati ka një qëndrim mesatar në lidhje me ndërmjetësimin. Ata e pohojnë atë në përputhje me Kuranin dhe sunnetin dhe e besojnë atë pa kaluar në ekstrem në lidhje me të dhe pa e mohuar atë.


1 Hadithin e shefatit (të ndërmjetësimit) e kanë transmetuar Bukhari ( 3340, 4712, 7510) dhe Muslimi (193, 194) ku i dërguari i Allahut thotë:

”…unë do të bëj sexhde poshtë arshit të Allahut dhe do të më thuhet: O Muhammed ngrije kokën, ndërmjetëso se do të pranohet, kërko se do të jepet.”

2 10:18

3 39:3

Shpërndaje: