Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: et-Ta’likat el-Mukhtasarah alal-Akideh et-Tahauijjeh, fq. 95-96
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nga ana gjuhësore ndërmjetësimi vjen nga fjala: الشفع, që do të thotë i kundërti i numrit tek, pra është dyshi, katra, gjashta, pra ai që quhet ndryshe dhe si numri çift.
Ndërmjetësimi nga ana sheriatike, është ndërmjetësimi në rastin e një halli apo problemi të caktuar duke ndërmjetësuar tek ai që e ka në dorë ta zgjidhë këtë hall apo problem të caktuar.
Ky ndërmjetësim është dy llojesh, ndërmjetësim që i kërkohet Allahut, si dhe ndërmjetësim që bëhet tek njerëzit.
Ndërmjetësimi që bëhet tek njerëzit ndahet në dy lloje:
1-Ndërmjetësimi i mirë, për qëllime të mira, të dobishme dhe të lejuara nga ana fetare.
Allahu (subhaneh) ka thënë:
مَّن يَشْفَعْ شَفَاعَةً حَسَنَةً يَكُن لَّهُ نَصِيبٌ مِّنْهَا
”Kushdo që ndërmjetëson (ndërhyn) për një çështje të mirë, do të ketë shpërblimin për të.” 1
Profeti ﷺ ka thënë:
“Ndërmjetësoni dhe do të shpërbleheni. Allahu vendos përmes gjuhës së të dërguarit të Tij atë çfarë Ai dëshiron.” 2
Ky është ndërmjetësimi i mirë dhe për të ka shpërblim pasi ky lloj ndërmjetësimi u sjell dobi muslimanëve të cilëve iu përmbushen çështjet e tyre dhe arrijnë qëllimet e tyre dhe në këtë lloj ndërmjetësimi nuk ka tejkalim të kufijve dhe askujt nuk i bëhet padrejtësi.
2-Ndërmjetësimi i keq, për qëllime të ndaluara. Prej këtij lloji është ndërmjetësimi që të mos zbatohen ndëshkimet sheriatike kur janë plotësuar kushtet për zbatimin e tyre. Këtu hyn ai të cilin profeti ﷺ e mallkoi duke thënë:
“Mallkimi i Allahut qoftë mbi atë që strehon dhe i jep mbrojtje një bidatçiu.” 3
Prej llojit të ndërmjetësimit të keq është gjithashtu dhe ai që nuk u jep të drejtat atyre që u takon, por ua jep këto të drejta atyre që nuk u takon.
Allahu (te ala) ka thënë:
وَمَن يَشْفَعْ شَفَاعَةً سَيِّئَةً يَكُن لَّهُ كِفْلٌ مِّنْهَا
”Kushdo që ndërmjetëson (ndërhyn) për një çështje të ndaluar, do të ketë pjesën e tij të përgjegjësisë për mëkatin e bërë.”4
1 4:85
2 Bukhari (1432) dhe Muslimi (2627).
3 Nga Aliu (radijAllahu anhu): ”Ne nuk kemi tjetër vetëm se librin e Allahut dhe këto fletushka nga i dërguari i Allahut (ﷺ) ku është shkruajtur: ”Medina është e shenjtë nga ky vend, mali Air, deri në këtë e atë vend. Kush shpik në të një bidat ose kush strehon dhe i jep mbrojtje një bidatçiu, mbi të është mallkimi i Allahut, i melaikeve dhe i gjithë njerëzve bashkë. Atij nuk do t’i pranohet asnjë vepër e mirë.” Bukhari (1870) dhe Muslimi (1370)
4 4:85