Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

9.Besimi i saktë lidhur me kaderin

Shejkh Abdus-Selam bin Berxhas

Burimi: el-Mu’takad es-Sahih

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Besimi në kaderin

Për sa i përket besimit në kaderin, të mirën dhe të keqen e tij, duhet besuar me vendomëri se Allahu ka paracaktuar fatin e krijesave dhe se çdo gjë që ka ndodhur, Allahu ka dashur që ajo të ndodh, dhe se çdo gjë që nuk ka ndodhur, Allahu nuk ka dashur që ajo të ndodhë. Allahu (te ala) ka thënë:

”Çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” 54:49

”E urdhri i Allahut është vendim i kryer.” 33:49

Kaderi ka katër shkallë:

E para: Ne besojmë se Allahu (te ala) i di të gjitha. Ai është i dijshëm për atë që ka ndodhur, atë që do të ndodh dhe se si do të ndodh. Dituria e Tij nuk përtërihet pas injorancës, ajo nuk plotësohet dhe se Allahut nuk i vjen ndonjë dituri e re të cilën nuk e ka ditur, e as nuk harron atë që di.

E dyta: Ne besojmë se Allahu e shkroi në Leuh el-Mahfudh (pllakën e ruajtur) çdo gjë që do të ndodh deri në ditën e gjykimit. Ai (te ala) ka thënë:

”A nuk e ke ditur se Allahu di çka ekziston në qiell e në tokë, e tërë ajo është e shënuar në libër, ajo për Allahun është shumë lehtë.” 22:70

“Ai tha: ”Si është gjendja e popujve të mëparshëm?” (Musai) Tha: ”Dija për ata është te Zoti im, e shënuar në një libër. Zoti im nuk gabon e as nuk harron.” 20:51-52

”Po, çdo gjë kemi regjistruar në librin e ruajtur (Leuh el-Mahfudh).” 36:12

Nën këtë pikë hynë kaderi i përjetshëm para se të krijoheshin qiejt dhe toka. Ai (te ala) ka thënë:

”Thuaj: ”Do të na godasë vetëm ajo që na ka paracaktuar Allahu.” 9:51

Shkrimi i besëlidhjes me pasardhësit e Ademit. Allahu thotë:

”Përkujto kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po.” 7:172

Sa i përkët kaderit të jetëgjatësisë, kjo ndodh kur një pikë sperme bie në mitër. Pastaj dërgohet një engjëll që fryen shpirtin në grumbullin e gjakut dhe pastaj ai urdhërohet që t’ia shkruaj katër gjëra: rrizkun e tij, sa do të jetojë, veprat e tij dhe se a do të ketë përfundim të mirë apo të keq.

Lidhur me kaderin vjetor, ai ndodh në natën e kadrit. Ai (te ala) ka thënë:

”Në atë (natë të zbritjes së Kuranit, natën e kadrit) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.” 44:4

Ibn Abbasi ka thënë në lidhje me kuptimin e këtij ajeti:

”Gjatë natës së kadrit shkruhet ç’do të ndodhë atë vit, vdekjet, lindjet, rrizku, shiu, saqë dhe haxhinjët që do të jenë gjatë atij viti. Do të thuhet: ”Ai dhe ai do të shkojë në haxh dhe ai dhe ai do të shkojë në haxh.”

Lidhur me kaderin e përditshëm, Ai (te ala) tha:

”Ai në çdo moment është i angazhuar në ndonjë çështje.” 55:29

Kaderi i përditshëm është pra një detajim i kaderit vjetor, kaderi vjetor është një detajim i kaderit të jetës kur embrioni krijohet, kaderi i jetës është një detajim i fillimit të kaderit të jetës që ndodhi në ditën e dhënies së besës i cili është një detajim i kaderit të përjetshëm të cilin lapsi e shkroi në librin e qartë. Libri i qartë pra është nga dituria e Allahut (azze ue xhel). Në mënyrë të ngjashme përfundimi i dispozitave i përket diturisë së Allahut (azze ue xhel).

Gjithashtu edhe fundi i ndodhive (zbatimi praktik i kaderit) i përket diturisë së Allahut të Madhëruar. Kështu, fillimi dhe nisja e çdo gjëje buron nga dituria e Allahut dhe nga amshueshmëria e Tij e përhershme pa fillim; si dhe mbarimi i çdo gjëje kthehet te dituria e Allahut dhe amshueshmëria e Tij e përhershme pa mbarim. Allahu thotë:

”Dhe se kthimi i fundit do të jetë te Zoti yt.” 53:42

E treta: Dëshira. Ne besojmë se gjithçka që është në qiej dhe në tokë është aty sepese Allahu (te ala) e dëshiroi këtë. Asgjë nuk mund të ndodh pa dëshirën e Tij. Atë që Ai dëshiron ajo ndodh dhe atë që Ai nuk dëshiron ajo nuk do të ndodh. Ai (te ala) ka thënë:

”Kur Ai dëshiron diçka, është vetëm se Ai t’i thotë asaj: ”Bëhu!” Ajo menjëherë bëhet.” 36:82

”Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vet.” 2:253

”Sikur Allahu të donte, do t’i kishte mbledhur ata në rrugë të mbarë.” 6:35

”Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje.” 11:118

”Dhe sikur të kishim dashur Ne, sigurisht që Ne do t’i kishim dhënë çdo njeriu udhëzimin e tij, por u vendos dhe do të vërtetohet fjala Ime.” 32:13

”Dhe Allahu nuk është i tillë që Atij t’i shpëtojë ndonjë gjë në qiej ose në tokë.” 35:44

E katërta: Krijimi. Ai (te ala) ka krijuar çdo krijesë dhe veprimet e tyre, çdo gjë që lëviz dhe lëvizjet e saj dhe çdo gjë që nuk lëviz dhe qetësin e saj. Ai (te ala) ka thënë:

”E Allahu ju krijoi juve dhe gjithçka që e veproni.” 37:96

”Allahu është Krijues i çdo çdo gjëje.” 39:62

Ne besojmë se robërit kanë forcë, dëshirë dhe zgjedhje për të kryer veprimet e tyre. Allahu (te ala) i krijoi ata dhe dëshirat, forcat, fjalët dhe veprat e tyre. Fjalët dhe veprat që rrjedhin prej tyre i dedikohen atyre në mënyrë reale dhe si pasojë ata do të shpërblehen apo do të dënohen në bazë të tyre. Megjithatë, ata kanë vetëm forcën për të kryer atë që Allahu (te ala) ua ka lejuar që të kenë forcë për të vepruar dhe ata duan vetëm në atë masë që Allahu dëshiron. Ai (te ala) ka thënë:

”Vërtet që këto vargje të Kuranit janë këshillë përkujtuese, kështu që kushdo që të dojë, le të marrë udhë drejt Zotit të tij! Por ju nuk mund të dëshironi, pos nëse do Allahu. Vërtet që Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti Gjithëgjykues.” 76:29-30

”Ai (Kurani) s’është tjetër pos këshillë për njerëzit! Për atë që dëshiron të gjendet në të vërtetën, e ju nuk mund të dëshironi (të drejtën), përveç atëherë kur dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” 81:27-29

”Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij, njeriut i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo e keqe që e meritoi.” 2:286

”E ky është xheneti që u është dhënë për atë që keni punuar.” 43:72.

D.m.th.: si rezultat i veprave tuaja.

”Për shkak të asaj që keni vepruar, shijoni dënimin e përjetshëm.” 33:14

”E kush punoi ndonjë të mirë që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” 99:7-8

Ne besojmë se kaderi nuk ndalon veprimet, në të njëjtën mënyrë sikurse ai nuk kërkon të mbështetemi në to. Kur profeti ﷺ u tregoi shokëve të tij për kaderin dhe se ai është caktuar, dhe se boja është tharë, ata i thanë: ”A të mos mbështetemi në atë që është vendosur për ne dhe të mos veprojnë?”

Atëherë ai tha:

”Jo. Veproni, sepse çdo gjë është lehtësuar.”

Pastaj ai lexoi:

”Sa i përket atij që jep dhe plotëson detyrimin ndaj Allahut, edhe i frikësohet Atij, dhe vërteton bindshëm për më të mirën, Ne do t’ia lehtësojmë rrugën e lumturisë (xhenetit). E sa i përket atij, që bën koprraci dhe e ndien veten të pavarur nga Zoti, dhe që përgënjeshtron besimin, Ne do t’ia lehtësojmë rrugën e rëndë (skëterrës).” 92:5-10

Kaderi pra ka shkaqe që duhen marrë për arritjen e tyre. Në të njëjtën mënyrë sikurse martesa është një mjet për pasardhës dhe bujqësia është një mjet për korrje, edhe vepra e mirë është mjet për të hyrë në xhenet, ndërsa vepra e keqe është mjet për të hyrë në zjarr.

Shpërndaje: