Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

9.Kushti i gjashtë i namazit, mbulimi i auretit

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe imam Muhamed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

Kushti i gjashtë është mbulimi i pjesëve private. Dijetarët janë të bashkuar se namazi i personit lakuriq është i pavlefshëm në qoftë se ai është në gjendje ta mbulojë veten e tij. Aureti i burrit dhe i gruas robëreshë janë nga kërthiza deri tek gjunjët. E tërë gruaja e lirë është auret pos fytyrës së saj. Dëshmi për këtë janë fjalët e Tij -te ala-: 

”O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni!El-A’raf, 7:31

Shpjegimi:

Falësi (mashkull) duhet të mbulojë pjesët e tij private nga kërthiza deri tek gjunjët. Mendimi i saktë është se ai duhet t’i mbulojë gjunjët.

E tërë gruaja është auret përveç fytyrës së saj.

Profeti ka thënë:

“Gruaja është auret.” 2

Transmeton Tirmidhi (1173), Ibn Hibani (5599) dhe Ibn Khuzejmeh (1685). Saktësuar nga Albani në “Sahih-ul-Xhami (6690)”.

Vetëm fytyra nuk është auret. Nëse nuk ka njerëz të huaj në praninë e saj kur ajo falet ajo duhet të zbulojë fytyrën e saj. Në këtë rast është sunnet zbulimi i fytyrës.

Dijetarët kanë mospajtime lidhur me duart e saj. Disa dijetarë lejojnë zbulimin e duarve të saj. Të tjerët e obligojnë atë që t’i mbulojë ato kur ajo falet. Është më e sigurt që të mbulohen ato, gjë të cilën autori e tha. Kur ajo falet pjesa tjetër e trupit duhet të mbulohet duke përfshirë edhe këmbët. Nëse ka njerëz të huaj në praninë e saj ajo duhet të mbulojë edhe fytyrën e saj.

Ndërsa lidhur me robëreshën, dijetarët kanë mospajtime lidhur me të. Disa dijetarë i japin asaj të njëjtin gjykim sikurse burrave sepse ajo është arrë, ajo shitet dhe blihet. Kështu pjesët e saj private janë si të burrave. Dijetarë të tjerë mendojnë se ajo ka të njëjtin gjykim si gruaja e lirë sepse dëshmitë janë të përgjithshme. Për t’iu shmangur mospajtimeve është më e sigurt për të që të mbulojë veten sikurse një grua e lirë. Po kështu dëshmitë lidhur me pjesët private të gruas janë të përgjithshme:

“Gruaja është auret.”

Vetëm për shkak se blerësi shikon në trupin e saj dhe jep një çmim për të kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet të mbulohet kur ajo falet dhe kur është në pranin e burrave të huaj në mënyrë që ata të mos sprovohen prej saj. Kjo vlen veçanërisht nëse ajo është e bukur. Në këtë rast ajo duhet kujdesur edhe më shumë për të mbuluar veten e saj dhe për t’iu shmangur çdo gjëje që shpie drejt së keqes. Është e njohur përgjithësisht se mospajtimet i përkasin çështjeve të paqarta që lindin kur dëshmitë janë të paqarta.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Braktise atë që të duket e dyshimtë dhe vepro atë që nuk të duket e dyshimtë.” 

Transmeton Tirmidhi (2518), Nesai (5711) dhe Ahmedi (1723). Saktësuar nga Albani në “Sahih-ut-Terghib uet Terhib (2930)”.

“Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij.” 

Transmeton Bukhari (52) dhe Muslimi (1599).

Pra kjo është një çështje e paqartë. Prandaj është më mirë që ajo sikurse gruaja e lirë të mbulojë tërë trupin kur ajo falet.

Shpërndaje: