Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

9.Parimi i katërt (fundi i librit)

Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 29-31

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab

Shpjegon: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Parimi i katërt dhe i fundit

Sot idhujtarët bëjnë shirk më të rëndë sesa në kohën e lashtë. Ata në kohën e lashtë e kishin zakon të bënin shirk (idhujtari) në kohë të rehatshme, ndërsa ishin të sinqertë në adhurim ndaj Allahut në kohë të vështira. Ndërsa idhujtarët e sotëm bëjnë shirk gjatë tërë kohës pavarësisht nëse bëhet fjalë për kohë të lehta apo të vështira.

Shpjegimi – shirku i sotëm

Parimi i katërt dhe i fundit është se idhujtarët bëjnë shirk më të rëndë sesa ata të cilëve iu dërgua i dërguari i Allahut ﷺ.

Arsyeja është e qartë sepse Allahu -xhele ue ala- tregon se idhujtarët e lashtë nëse goditeshin nga ndonjë vështirësi, ata e kishin zakon që sinqerisht ta adhuronin Allahun. Ata nuk i luteshin askujt tjetër pos Allahut -azze ue xhel- sepse ata e dinin se vetëm Allahu mund ta shpëtojë personin nga vështirësitë.

Ai -te ala- ka thënë:

“Ndërsa kur ju kap e keqja në det, ata të cilët ju i thërrisni përveç Atij, shuhen e zhduken prej jush përveç Atij, por kur Ai ju sjell ju shëndoshë e mirë në tokë, ju i ktheni shpinën (Atij) dhe njeriu gjithnjë është tepër mosmirënjohës.” El-Isra 17:67

“Dhe kur ata i mbulon vala si hije (si re ose malet e ujit që ngrihen mbi ta), ata lusin Allahun, duke iu lutur tërësisht me gjithë përkushtimin vetëm Atij.” Llukman 31:32

Do të thotë iu luten vetëm Atij.

”Por kur Ai i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, ç’të shohësh! Ata u japin një pjesë të adhurimit të tyre të tjerëve (veç Allahut).” El-Ankebut 29:65

Vërtetë idhujtarët e lashtë bënin shirk dhe adhuronin statujat, shkëmbinjtë dhe pemët kur ishin në rehati. Ndërsa nëse hasnin në vështirësi dhe e shihnin vdekjen duke iu afruar, ata i luteshin vetëm Allahut -subhanehu ue te ala- dhe i harronin statujat, pemët, gurët dhe të gjitha krijesat e tjera. Atëherë si mund të adhurohet dikush tjetër pos Allahut në kohë rehatie kur vetëm Allahu -xhele ue ala- mund të shpëtojë nga vështirësitë?

“Ne do t’ju shpëtojmë nga detet. Nëse hasni në diçka ju vetëm thërrisni emrat tanë dhe ne ju shpëtojmë.”

Kjo thënie është transmetuar nga teologët e sekteve të sufive. Nëse dëshironi, mund të lexoni “Tabakat esh-Sha’rani” sepse ai përmban atë që e bën lëkurën të rrëqethet kur lexon në lidhje me mrekullitë e njerëzve eulija; ata i shpëtojnë njerëzit nga stuhitë dhe nxjerrin duart e tyre nga deti dhe e mbartin tërë anijen deri sa ta lëshojnë në tokë pa ju lagur mangët e tyre. Këto janë vetëm disa nga gënjeshtrat dhe mitet e tyre. Pasi që shirku i tyre ndodh gjatë tërë kohës, ata konsiderohen më të këqij se idhujtarët e lashtë.

Pos kësaj shejkhu ka thënë në librin “Keshf-ush-Shubuhat”:

“Njerëzit e lashtë e kishin zakon që të adhuronin të mirët në mesin e engjëjve, profetëve dhe besimtarëve dhe njerëzve të devotshëm ndërsa këta (sufitë) adhurojnë njerëzit më të këqij, gjë të cilën ata vetë e pranojnë. Ata të cilët i quajnë zotërinj dhe ndihmës nuk e falin namazin, nuk agjërojnë dhe nuk largohen nga imoraliteti, homoseksualiteti apo ndonjë mëkat tjetër. Ata nuk e konsiderojnë veten të jenë më përgjegjës për atë që bëjnë. Hallalli dhe harami nuk vlen më për ta por vetëm për njerëzit e zakonshëm. Ata e pranojnë vet se zotërinjtë e tyre nuk e falin namazin, nuk agjërojnë dhe nuk u shmangen mëkateve. Megjithatë, i adhurojnë ata të cilët i përkasin njerëzve më mëkatarë. Shembuj të tyre janë el-Hallaxhi, Ibn Arabi, es-Rifa’i, el-Bedeui dhe të tjerët.”

Dëshmi për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

”Por kur Ai i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, ç’të shohësh! Ata u japin një pjesë të adhurimit të tyre të tjerëve (veç Allahut).” El-Ankebut 29:65

Shpjegimi – për shirkun e sotëm

Shejkhu përmendi argumente se idhujtarët e mëvonshëm bëjnë shirk më të rëndë dhe më të keq se ata të lashtit sepse ata të lashtit e kishin zakon që ta adhuronin Allahun me sinqeritet kur haseshin në vështirësi ndryshe nga kohët e rehatshme.

Ai -te ala- ka thënë:

”Dhe kur hipin në anije, ata lusin Allahun duke e bërë besimin e tyre të pastër vetëm për të.” El-Ankebut 29:65

Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhammed, mbi familjen e tij dhe mbi gjithë shokët e tij.

Shpërndaje: