Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
I lejohet atij që ta shikojë vajzën që dëshiron ta martojë fshehurazi pa dijeninë e saj. Argument për këtë është hadithi i Xhabirit – radijAllahu anhu- i cili ka thënë:
“Kërkoja një vajzë për martesë. Unë fshihesha dhe e vështroja derisa arrita të shohë prej saj atë që më shtyri të martohem me të, dhe u martova me të.”
Transmeton Ebu Daudi 2082, El-Hakim dhe Bejhaki. Hadithi është i saktë sipas imam Albanit në “es-Sahiha 99” dhe “Iruaul Galil 1791”.
Transmetohet nga Muhammed Ibn Meslemeh -radijAllahu anhu- se ka thënë:
”Kërkoja një grua për martesë. Unë fshihesha në kopshtin e saj të hurmave derisa arrita ta shohë.”
I thanë atij: ”E vepron këtë ndërsa ti je shok i të dërguarit të Allahut ﷺ, u fshihje prej një gruaje dhe ajo nuk dinte gjë për ty, ndërsa ti je shok i të dërguarit të Allahu ﷺ?!
Ai tha: ”E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: ”Nëse Allahu vendos në zemrën e një njeriu dëshirën që të kërkojë martesë me një grua, atëherë nuk ka të keqe që ta shikojë atë.”
Transmeton Ibn Maxheh (1864) dhe Ahmedi (3/493). Hadithi është i saktë sipas imam Albanit në “es-Sahihah (98)”.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Nëse ndonjëri prej jush kërkon për martesë një grua, nuk ka mëkat që ta shikojë atë pa dijeninë e saj, nëse e shikon atë me qëllim për t’u martuar me të.”
Transmeton Ahmedi (5/424) dhe Tahaui në “Sherh el-Ma’ani Ether (3/3959)”. Hadithi është i saktë sipas imam Albanit në “es-Sahihah (97)”.
O vëllezër, ky është një kriter i rëndësishëm! Ashtu sikurse edhe profeti ﷺ tha:
”nëse e shikon atë me qëllim për t’u martuar me të.”
Pra nuk duhet ta shikojë atë për t’u dëfryer, që të fitojë përvojë apo për t’u joshur, por duhet të jetë i sinqertë në fjalët e tij dhe i vendosur për martesën, përndryshe shikimi i tij është i ndaluar edhe nëse thotë se dëshiron të martohem me të.
O musliman, që ta shikosh atë grua është kusht që të jesh i sinqertë në dëshirën për martesë me atë grua sepse Allahu sheh çdo gjë, Ai e di çfarë shikojnë sytë e njeriut dhe çfarë fshehin zemrat.