Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

91.Varri përkujtim për besimtarët

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Duhet ditur se zjarri dhe gjelbërimi që përmenden në lidhje me varrin nuk janë prej zjarrit apo prej gjelbërimit të kësaj bote. Ato të dyja janë nga zjarri dhe gjelbërimi i ahiretit. Ai zjarr është më i ashpër se zjarri në këtë jetë dhe ai gjelbërim është më i gjelbër se në këtë jetë. Kur Allahu e dënon një njeri me ndëshkim, atëherë toka, gurët dhe tullat që janë mbi dhe nën të në varr nxehen në mënyrë që ato bëhen më të nxehta se gaca në këtë jetë. Nëse njerëzit e prekin tokën ata nuk ndjejnë asgjë. Ata nuk shohin diçka tjetër përveç dheut, gurëve dhe tullave.

Mund të ndodhë që dy njerëz të varrosen në të njëjtin varr, ndërsa njëri është në një gropë zjarri e tjetri është në një nga kopshtet e xhenetit. Njëri nuk preket fare nga nxehtësia, ndërsa tjetri nuk përjeton fare lumturinë. Aftësia e Zotit është edhe më e madhe, më e plotë dhe më e mahnitshme se kaq! Të gjitha këto ndodhin që besimtarët të jenë të zellshëm dhe t’ia kenë frikën Allahut -te ala- më shumë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se Allahu i kontrollon ata si në fshehtësi ashtu edhe në publik. Ky është shkak që shpërblimi të dyfishohet. Këtë që ne kemi përmendur i përket besimit në gajbin (të fshehurën). Besimtari duhet ta di se ai ka tmerre dhe pengesa para tij që e presin. E lusim Allahun që të na shpëtoj.

Edhe në qoftë se kjo që kam përmendur i përket dijes së gajbit, Allahu -azze ue xhel- mund të bëjë që disa nga robërit e Tij t’i shohin disa nga ato aftësi të Tij të mahnitshme.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Sikur të mos vdisnit, do ta lusja Allahun që t’ua mundësonte të dëgjonit dënimin e varrit ashtu siç jam duke e dëgjuar tani.”

Transmeton Muslimi (2867).

Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- rrëfeu se profeti ﷺ kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Këta dy po ndëshkohen por jo për diçka të madhe (sipas tyre). Po, vërtet që është diçka e madhe. Njëri prej tyre merrej me thashetheme ndërsa tjetri nuk kujdesej gjatë urinimit. Pastaj mori një fletë palme dhe e ndau në dy pjesë dhe e nguli në secilën varr.

Sahabët i thanë: “O i dërguari i Allahut, pse e bëre këtë?”

Ai ﷺ u përgjigj: “Me shpresë që t’u lehtësohet dënimi përderisa ato janë të njoma.”

Transmeton Bukhari (218) dhe Muslimi (292).

Alameh Ibnul Kajimi -rahimahullah- ka thënë në librin e tij Er-Rruh:

“Kolegu ynë Ebu Abdilah Muhamed bin El-Uezir El-Harrani më tregoi se një ditë doli nga shtëpia pas ikindisë dhe tha: “Kur dielli kishte perënduar qëndrova në mes të varreve. Pashë një varr që ishte gacë zjarri. Në mes varri ishte një i vdekur. I fërkova sytë dhe thashë: “A jam duke ëndërruar apo jam i zgjuar?” U ktheva dhe pashë murin e qytetit. Thashë: ‘Betohem në Allahun se nuk jam duke ëndërruar’. Pastaj shkova në shtëpi te familja ime në një gjendje të hutuar. Ata më dhanë ushqim por nuk isha në gjendje që të ha. Pastaj shkova në qytet dhe pyeta në lidhje me njeriun në atë varr. Ata më treguan se ai ishte një mbledhës i taksave i cili kishte vdekur po atë ditë.”

Shpërndaje: