Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A është konfirmuar dënimi i varrit në argumentet e sheriatit islam?

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (vdiq. 1421)

Burimi: Fetaua Erkanul-Islam, fq.108-109

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “A është konfirmuar dënimi i varrit përmes argumenteve të sheriatit?”

Përgjigje: “Dënimi i varrit është konfirmuar qartësisht në Sunnet, në aspektin sipërfaqësorë në Kur´an dhe me konsensus të muslimanëve. Këto janë tre rrugë argumentuese për këtë çështje.

Sa i përket tekstit të qartë në Sunnet, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

تعوذوا بالله من عذاب القبر، تعوذوا بالله من عذاب القبر، تعوذوا بالله من عذاب القبر . 

“Kërkoni mbrojtjen e Allahut nga dënimi i varrit, kërkoni mbrojtjen e Allahut nga dënimi i varrit, kërkoni mbrojtjen e Allahut nga dënimi i varrit.” 1

Sa i takon konsensusit të muslimanëve, të gjithë muslimanët sot thonë në namazin e tyre:

أعوذ بالله من عذاب جهنم و من عذاب القبر

“Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga dënimi i Xhehenemit dhe dënimi i varrit!” 

Kjo thuhet edhe nga muslimanët e thjeshtë të cilët nuk i takojnë konsensusit e as njerëzve të dijes.

Lidhur me aspektin sipërfaqësorë të Kuranit, Allahu (Te’ala) në suren Al-Imran rreth pasuesve të Faraonit, thotë:

النَّارُ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا غُدُوًّا وَعَشِيًّا وَيَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ أَدْخِلُوا آلَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ الْعَذَابِ

“Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e kur të arrijë çasti (i Kiametit), do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” 2

Nuk ka asnjë dyshim se ata nuk do të dërgohen tek zjarri vetëm për ta shikuar atë, por sepse do të dënohen me të. Allahu (Subhanehu ue Te’ala) ka thënë:

وَلَوْ تَرَى إِذِ الظَّالِمُونَ فِي غَمَرَاتِ الْمَوْتِ وَالْمَلآئِكَةُ بَاسِطُواْ أَيْدِيهِمْ أَخْرِجُواْ أَنفُسَكُمُ

“Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Nxirrni shpirtrat tuaj!” 3

Allahu Ekber. Ata janë të dobët dhe nuk duan t’u dalin shpirtrat. Pastaj ajeti në vazhdim thotë:

الْيَوْمَ تُجْزَوْنَ عَذَابَ الْهُونِ بِمَا كُنتُمْ تَقُولُونَ عَلَى اللّهِ غَيْرَ الْحَقِّ وَكُنتُمْ عَنْ آيَاتِهِ تَسْتَكْبِرُونَ

“Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij.” 4

Fjala “sot” në këtë ajet, është në trajtë të shquar (el-jeum). Në arabisht kjo nënkupton të kufizuarit dhe të emërtuarit e një dite të caktuar, pra ditën tashme, ditën e vdekjes së tyre:

تُجْزَوْنَ عَذَابَ الْهُونِ بِمَا كُنتُمْ تَقُولُونَ عَلَى اللّهِ غَيْرَ الْحَقِّ وَكُنتُمْ عَنْ آيَاتِهِ تَسْتَكْبِرُونَ

“Ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij.” 5

Kështu pra, dënimi i varrit është konfirmuar në Sunnet, në Kur´an dhe sipas konsensusit të muslimanëve. Aspekti sipërfaqësor i përmendjes së dënimit të varrit në Kur´an, është pothuajse i kategorisë së qartë dhe të drejtpërdrejtë të argumenteve, siç edhe e kuptuam në dy ajetet e lartpërmendura.”


1 Muslimi 2867

2 Gafir 40:46

3 En-Aam 6:93

4 En-Aam 6:93

5 En-Aam 6:93

Shpërndaje: