Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A i besoi Profeti Ibrahim yjeve, hënës dhe diellit?

Imam El-Husejn Ibn Mesud El-Bagauij 

Burimi: Ma´alim-ut-Tanzil 2/108-110

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَكَذَلِكَ نُرِي إِبْرَاهِيمَ مَلَكُوتَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَلِيَكُونَ مِنَ الْمُوقِنِينَ فَلَمَّا جَنَّ عَلَيْهِ اللَّيْلُ رَأَى كَوْكَبًا قَالَ هَـذَا رَبِّي فَلَمَّا أَفَلَ قَالَ لا أُحِبُّ الآفِلِينَ

”Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht. Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: ”Ky është Zoti im!” Por, kur perëndoi ylli, ai tha: ”Nuk i dua ata që perëndojnë.” 1

”Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit” ashtu sikurse i treguam atij të kuptuarit e fesë dhe të kotën në të cilën gjendej populli i tij.

Ia treguam ”mbretërinë e qiejve dhe të tokës” Ibn Abasi ka thënë: ”Krijimin e qiejve dhe të tokës.” Ndërsa Muxhahidi dhe Seijd Ibn Xhubejr kanë thënë ”Argumentet e qiejve dhe të tokës.”

Ai hipi mbi një shkëmb dhe iu shfaqën atij mbretëritë e qiejve dhe të tokës, ai madje pa edhe Arshin, pa gjithashtu tokën (e fundit nga shtatë tokat) më të ulët dhe vendin e tij në xhenet. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar ku ka thënë: ”Ne i dhamë atij shpërblimin në këtë botë,” 2 që do të thotë; Ia mundësuam që të shikoj vendin e tij në Xhenet.

Katade ka thënë: ”Mbretëria e qiejve janë: Dielli, hëna dhe yjjet. Ndërsa mbretëria e tokës janë: Malet, pemët dhe detet.”

”që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.” Ne ia treguam atij mbretëritë e qiejve dhe të tokës në mënyrë që ai t`i përdorë ato si argumente dhe që të behet prej atyre që besojnë vendosmërisht.

Kur ra nata, ai pa një yll Kanë thënë dijetarët e tefsirit: Ka lindur Ibrahimi (alejhis-selam) në kohën e Nemrud Ibn Ken`an. Nemrudi ishte i pari që vendosi kurorë mbi kokën e tij dhe i ftoi njerëzit që ta adhurojnë atë. Ai kishte magjistarë dhe astrologë të cilët i thanë atij: Në qytetin tënd këtë vit do të lind një djalë i cili do ta ndryshojë fenë e banorëve të tokës, ai do ta shkatarrojë dhe do ta marrë mbretërinë tënde. Është thënë se ata këto lajme i kanë gjetur në librat e Profetëve (alejhimus-selam).

Es-Sudij ka thënë: ”Nemrudi pa në ëndërr sikur lindi një yll i cili ia mori të gjithë dritën e diellit dhe të hënës dhe nuk i ngeli atyre aspak dritë. Ai u tmerrua me një tmerr të madh, dhe i thirri magjistarët dhe fallxhorët dhe i pyeti për këtë gjë, dhe ata i thanë: Ai (ylli) është një fëmijë i cili do të lind këtë vit në këtë vend. Ai do të shkatarrojë ty, mbretërinë tënde dhe familjen tënde.

Thanë: Ai urdhëroi që të vritet çdo djalë i cili do të lind këtë vit në vendin e tij.”

Muhammed Ibn Is`hak ka thënë: ”Nemrudi urdhëroi që çdo grua shtatzënë e një fshati të burgosen tek ai. Prej tij shpëtoi vetëm nëna e Ibrahimit (alejhis-selam), ai nuk arriti që ta dijë se ajo ishte shtatëzënë, sepse ajo ishte robëreshë dhe me moshë të re dhe nuk iu dukte shtatzania në barkun e saj.”

Ibn Abbasi ka thënë: ”Kur nëna e Ibrahimit (alejhis-selam) lindi, magjistarët i thanë Nemrudit: Djali për të cilin ne të kishim lajmëruar ka lindur sonte. Nemrudi urdhëroi që të vriten të gjithë fëmijët (meshkuj).”

Muhammed Ibn Is`hak ka thënë: ”Azari e pyeti nënën e Ibrahimit se çfarë bëri me fëmijën e saj? Ajo u përgjigj duke i thënë: E linda djalin porse vdiq. Ai e besoi atë dhe nuk foli.

Dita në rininë e Ibrahimit ka qenë sa një muaj, ndërsa muaji ka qenë sa një vit. Nuk ka ndejtur Ibrahimi në shpellë vetëm se pesëmbëdhjetë muaj, derisa i tha nënës së tij, më nxirr, dhe ajo e nxorri atë në darkë, filloi të shikojë dhe të mendojë për krijimin e qiejve dhe të tokës dhe tha: Ai i cili më krijoi, më furnizoi, më ushqeu dhe më dha të pijë, ky është Zoti im, përveç Tij nuk kam Zot tjetër.

Më pas shikoi në qiell dhe pa një yll dhe tha: Ky është Zoti im, më pas shikoi në të derisa ai (ylli) u zhduk, dhe kur u zhduk ai tha: Unë nuk i dua ata që zhduken.

Më pas shikoi hënën e cila ishte e shndriçme dhe tha: Ajo është Zoti im dhe e ndoqi me sy derisa ajo u zhduk dhe më pas lindi dielli, e kështu deri në fund.

Më pas u kthye tek babai i tij Azar, dhe gjatë kësaj kohe ai e kishte njohur Zotin e tij të vërtetë dhe e kishte pastruar veten nga feja e popullit të tij, vetëm se ai nuk i kishte thërritur akoma ato në këtë gjë (në fenë e pastër).

Ai e lajmëroi babin e tij se ai (Ibrahimi) është djali i tij, të njëjtën bëri edhe nëna e Ibrahimit duke i thënë se ai është djali i tij, dhe i tregoi atij se çfarë ajo kishte bërë me të. Azari kur e dëgjoi lajmin u gëzua me një gëzim shumë të madh.”

Është thënë: ”Ai (Ibrahimi) ka ndejtur në shpellë shtatë vjet. Është thënë se ka ndejtur trembëdhejtë vjet. Është thënë se ka ndejtur shtatëmbëdhejtë vjet.”

Kanë thënë: ”Kur Ibrahimi (alejhis-selam) arriti moshën e pjekurisë dhe ishte akoma në shpellë, e pyeti nënën e tij: Kush është Zoti im? Ajo i tha: Unë. Ai i tha: Kush është Zoti jot? Ajo i tha: Babai jot. Ai i tha: Kush është Zoti i babait tim? Ajo i tha: Nemrudi. Ai i tha: Kush është Zoti i tij? Ajo i tha: Hesht dhe ai heshti.

Më pas ajo u kthye tek burri i saj dhe i tha: A e mban mend atë djalin për të cilin ne flisnim se do të ndryshonte fenë e njerëzve në tokë, ai është djali ytë. Më pas ajo i tregoi atij për çfarë ai (Ibrahimi) kishte thënë.

Më pas babai i tij shkoi tek ai dhe Ibrahimi (alejhis-selam) i tha atij: O babai im, kush është Zoti im? Ai i tha: Nëna jote. Ibrahimi e pyeti: Kush është Zoti i nënës time? Ai u përgjigj: Unë. Ibrahimi e pyeti: Kush është Zoti jot? Ai i tha: Nemrudi. Ibrahimi e pyeti: Kush është Zoti i Nemrudit? Ai e goditi me shpullë dhe i tha: hesht.”

Është thënë: ”Ai (Ibrahimi) i tha prindërve të tij që ta nxjerrin dhe ata e nxorrën nga shpella dhe hecën me të derisa perëndoi dielli. Ibrahimi shikoi një deve, një kalë dhe një dele dhe e pyeti babin e tij për këto dhe ai i tha: Këto janë një deve, një kalë dhe një dele. Atëherë Ibrahimi tha: Këto gjëra duhet të kenë patjetër një Zot dhe një Krijues.

Ajo natë ishte nata e fundit e muajit dhe për këtë arsye voni që të dali hëna e re, kështu që ai (Ibrahimi) shikoi yllin para hënës dhe prandaj Allahu i Lartësuar ka thënë: Kur ra nata, që don të thotë, hyri nata, ai tha: Ky është Zoti im!”.

Dijetarët kanë rënë në mospajtim në lidhje me fjalën e tij (të fundit). Disa kanë thënë se ajo duhet të kuptohet fjalë për fjalë (ashtu sikurse është thënë) dhe thanë: Ibrahimi ishte i drejtuar duke kërkuar teuhidin derisa Allahu i Lartësuar e udhëzoi atë dhe ia mundësoi atij të kuptuarit e saktë dhe kjo gjë nuk e lëndoi atë. Gjithashtu kjo gjë ka ndodhur kur ai ka qënë akoma fëmijë, para se ai të hynte në moshë dhe tju ngriheshin atij argumentet, kështu që ajo gjë nuk ishte kufër nga ana e tij.

Disa të tjerë nuk e kanë pranuar këtë mendim dhe kanë thënë: Nuk është e lejuar që ndonjë nga të Dërguarit e Allahut në një moment prej momenteve të vij vetëm se ai është njësues i Allahut dhe njohës i Tij dhe se është i pastër nga çdo gjë që adhurohet përveç Tij. Si mund t`i shkoj në mendje kjo dikujt të cilin Allahu e ka ruajtur, e ka pastruar, i ka dhënë të kuptuarit e shëndoshë dhe ka treguar duke thënë për të: ”Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër,” dhe gjithashtu ka thënë Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës.”

A mund të mendohet se Allahu ia mundësoi atij që të shikojë mbretëritë/madhështitë që të besoi me vendoshmëri dhe kur besoi me vendoshmëri ai shikoi yllin dhe tha: Ky është Zoti im duke e besuar (çfarë tha)? Kjo gjë nuk mund të ndodhë kurrë.

Më pas kanë thënë: Shpjegimi mund të bëhet në katër mënyra.

E para: Ibrahimi (alejhis-selam) donte që t`i tregonte popullit të tij me këtë fjalë gabimin dhe injorancën e tyre rreth gjërave që ata nderonin, pasi ata i nderonin dhe i adhuronin yjet dhe besonin se çdo gjë është në duart e tyre (yjeve). Kur ylli u zhduk, ai u tregoi atyre mangësinë që gjendet tek ylli për të vërtetuar gabimin e asaj gjëje që ata pretendonin.

E dyta: Ai ua tha atyre atë gjë në mënyrë pyetësore. ”A ky është Zoti im?” Kjo është e njëjtë me fjalën e Allahut të Lartësuar ”Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?”që don të thotë: A do të jetojnë ata përgjithmonë?

E treta: Ai e tha të në një mënyrë kundërshtuese ndaj tyre, duke u thënë: Ju pretendoni se ky është Zoti im? dhe kur ylli u zhduk, ai tha: Nëse do të ishte Zot, nuk do të zhdukej.

Sikurse na ka lajmëruar edhe për Musain se ka thënë ”Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht. Ne do ta djegim atë…” do të thotë: zoti jot të cilin e pretendon si zot.

E katërta: Domethënie e nënkuptuar në të cilën thuhet: Ata thonë se ky është Zoti im.


1 An-Nisa’ 6:74-76

2 El-Ankebut 29:27

Shpërndaje: