Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Fataua Ulema el-Beled el-Haram, fq. 523
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Cili është gjykimi që një grua e vetme të udhëtojë me një shofer të huaj për të arritur në një vend të caktuar brenda qytetit? Si dhe cili është gjykimi nëse janë disa gra?
Përgjigje: Nuk lejohet që gruaja të udhëtojë e vetme me një burrë të huaj, sepse kjo bie nën gjykimin e të vetmuarit me gjininë e kundërt. Është transmetuar në mënyrë autentike nga i dërguari i Allahut ﷺ se ai ka thënë:
”Një burrë nuk duhet të vetmohet me një grua nëse mahremi i saj nuk është prezent.” 1
Ai gjithashtu ﷺ tha:
”Nuk vetmohet një burrë me një grua (të huaj) vetëm se shejtani është i treti.” 2
Nëse nga ana tjetër, do të kishte më shumë burra ose gra, nuk ka gjë të keqe pasi nuk konsiderohet më vetmim (apo veçim) nëse janë tre ose më shumë njerëz. Pra kjo vlen kur nuk bëhet fjalë për udhëtime. Sa i përket udhëtimit, gruas i lejohet të udhëtojë vetëm me mahrem.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk i lejohet gruas të udhëtojë përveçse me mahrem.” 3
Nuk ka dallim midis mënyrave të ndryshme të transportit, qoftë ky udhëtim në tokë, në det ose në ajër – dhe Allahu është Ai që jep sukses.
1 Bukhari (5233) dhe Muslimi (1341).
2 Tirmidhi (2165) dhe Ahmedi (1/18).
3 Bukhari (1862) dhe Muslimi (1341).