“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

A janë tashmë të krijuara Xheneti dhe Xhehenemi?

Imam Ali bin Ala-id-Din bin Ebil-´Izz el-Hanefi (v. 792)

Burimi: “Sherhul-Akidetit-Tahavijeh”, fq. 420-424

Fusnota: Imam Muhamed Nasirudin el-Albani 

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com”

Imam Ebu Xha’fer et-Tahavi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

“Xheneti dhe Xhehnemi janë krijuar tashmë.”

Imam Ibn Ebil-‘Izz el-Hanefi (Allahu e mëshiroftë!) shpjegoi duke thënë:

“Ehl-us-Sunneti janë të bashkuar se Xheneti dhe Xhehenemi janë krijuar dhe se ato ekzistojnë edhe tani. Rreth këtij mendimi kanë qenë të bashkuar Ehl-us-Sunneti, derisa u shfaqën Mutezilitë dhe Kaderit, të cilët e mohuan këtë gjë. Ata thonë se ato do të krijohen në Ditën e Gjykimit.

Ajo që bëri që ata të kenë këtë mendim, është bazamenti i tyre i prishur. Kështu ata përmes këtij bazamenti, diktojnë ligje se çfarë të veprojë Allahu, duke thënë se duhet vepruar këtë dhe nuk duhet vepruar atë.

Ata i krahasojnë veprimet e Allahut me ato të krijesave. Rrjedhimisht, ata janë Mushebbihe1 në vepra (të Allahut). Pastaj hyri Texhehhumi2 në ta dhe pastaj ata u bën edhe Mu’attileh3! Ata thonë se Krijimi i Xhenetit, para se të jetë nevojë për shpërblim, është e kotë, sepse ai do të mbetet i pa punë (i pashfrytëzuar) për një kohë të gjatë.

Kështu, ata refuzuan argumentet e qarta, të cilat kundërshtojnë këto bazamente të kota që ata i kanë vënë për Zotin (Te’ala). Nuk mjaftuan vetëm me këtë4, por edhe argumentet (ajetet dhe hadithet) i kanë shtrembëruar nga kuptimi i duhur që kanë dhe të gjithë ata të cilët i kanë kundërshtuar bazamentet/rregullat e tyre, i kanë konsideruar bidatçi.

Nga argumentet e Kuranit të cilat dëshmojnë se Xheneti dhe Xhehenemi janë të krijuara, janë Fjalët e Allahut (Te’ala) (në lidhje me Xhenetin):

أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ

“… i përgatitur për të devotshmit.” 5

أُعِدَّتْ لِلَّذِينَ آمَنُوا بِاللَّهِ وَرُسُلِهِ

“… i përgatitur për ata që i besuan Allahut dhe të dërguarve të Tij.” 6

Ndërsa, në lidhje me Xhehenemin thotë:

وَاتَّقُواْ النَّارَ الَّتِي أُعِدَّتْ لِلْكَافِرِينَ

“Dhe ruajuni zjarrit, i cili është përgatitur për jobesimtarët!” 7

Dhe ajete të tjera të shumta në lidhje me Xhenetin dhe Xhehenemin.

Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e pa sidretul-munteha8.

Në hadith e Enesit thuhet:

ثم اطلق بي جبرائيل حتى أتى سدرة المنتهى

“Pastaj, shkoi Xhibrili eci me mua, derisa ai arriti tek fundi i pemës Sidretul-Munteha.” 9

Profeti (salAllahu alejhi ue selem) në lidhje me xhehenemin ka thënë:

و أُريت النار ،‏ فلم أر منْظراً كاليوم قط أَفْظَعَ ،‏ و رأيتُ أكْثر أهلها النساءَ

“Dhe e kam parë Xhehenemin. Unë kurrë nuk kam parë diçka më të frikshme dhe pashë se shumica e banorëve të saj janë gra.” 10

Dyshimi i atyre që thonë se ato nuk janë krijuar ende, është: “Në qoftë se ato janë të krijuar tani, ato duhet të humbin dhe të zhduken në Ditën e Gjykimit, sepse Allahu thotë:

كُلُّ شَيْءٍ هَالِكٌ إِلَّا وَجْهَهُ

“Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës së Tij!” 11

Përgjigja ndaj tyre është: “Nëse mendoni se ato nuk ekzistojnë, në të njëjtën mënyrë siç është fryrja e surit dhe e ringjallja e njerëzve nga varret, të cilat tani nuk ekzistojnë, mendimi i juaj është i gabuar dhe refuzohet nga provat e përmendura më lartë (dhe ato që nuk janë përmendur v.p.). Megjithatë, nëse ju besoni se çdo gjë që e ka krijuar Allahu për njerëzit e Xhenetit, se ende nuk kanë përfunduar plotësisht, se ende krijohen gjëra në qiell dhe se Allahu do të krijojë sende të tjera në të, pasi të kenë hyrë besimtarët në të, kjo konsiderohet të jetë e vërtetë. Provat tuaja sugjerojnë pikërisht në këtë lloj. Sa për argumentin tuaj me Fjalët e Allahut (Te’ala): “Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës së Tij!”, ju e keni keqinterpretuar ajetin. Fakti që ju e përdorni atë për të provuar se Xheneti dhe Xhehenemi nuk ekzistojnë tani, i ngjason provave të “vëllezërve” tuaj që thonë se ata do të pushojnë dhe do të zhduken, dhe se banorët e saj në fund do të vdesin. As ju ​e as “vëllezërit” tuaj nuk keni arritur ta kuptoni ajetin. Të vetmit që e kanë arritur këtë, janë Imamët e këtij umeti. Ata midis të tjerash e kanë interpretuar “gjithçka” me gjithçka që Allahu ka vendosur që të pushojë dhe do të zhduket ajo çfarë Ai ka vendosur të zhduket. Por Xheneti dhe Xhehenemi janë krijuar për të qëndruar, jo për tu zhdukur, e njëjta vlen edhe me Fronin i cili është kulmi i Xhenetit. Gjithashtu, është thënë “përveç fuqisë së Tij” dhe përveç “asaj që veprohet për hir së Fytyrës së Tij.”


1 Sekti që krahason dhe ngjason Allahun me krijesat.

2 Besimi i Xhehmive.

3 Sekti i cili mohon Emrat dhe Cilësitë e Allahut.

4 Duke vënë rregulla të tilla nga mendja e tyre (v.p.).

5 Al-Imran 3:133

6 El-Hadid 57:21

7 Al-Imran 3:131

8 Kjo është një pemë të cilën Allahu e ka përmendur ne Kuran dhe Ai na tregoi se i Derguari yne (salAllahu alejhi ue selem) e pa Xhibrilin tek ajo pemë, në formën siç është krijuar. Tek kjo pemë është Xheneti, dhe se atë e mbuluan gjëra që vetëm Allahu e di se çfarë ishin ato.
“ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha-ja, ku ndodhet Xheneti i Strehimit. Kur Sidrën çfarë nuk e mbulonte?!” 53:14-16
I Derguari (salAllahu alejhi ue selem) na lajmëroi për disa gjera qe i pa tek ajo peme dhe tha: “…Pastaj shkoi Xhibrili, eci me mua, derisa arriti tek fundi i pemës Sidretul-Munteha,. Frytet e saj i ngjanin koshave te Hexhrit dhe gjethet e saj ishin si veshët e elefantit. Tha (Xhibrili): “Kjo është Sidretul-Munteha-ja”. Aty pashë katër lumenj: dy lumenj të fshehtë dhe dy të qartë. Thashë: “Çfarë është kjo, o Xhibril?” Ai tha: “Dy të fshehtët janë lumenj të Xhenetit, kurse dy të qartit janë Nili dhe Eufrati”…” [v.p.]

9 Autentik (shih hadithin në fusnotën paraprake).

10 Autentik.

11 El-Kasas 28:88

Shpërndaje:

Dela på facebook
Dela på whatsapp
Dela på telegram