Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A konsiderohet zina nëse depërton pa ejakuluar?

Komisioni i Përhershëm për Kërkime dhe Fetva

Burimi: Fetvaja nr. 8367

Kryetarë: Abdul-Aziz ibn Abdullah bin Baz

Zëvendës: Abdurr-Rrazak Afifi

Anëtar: Abdullah bin Ku’ud

Anëtar: Abdullah el-Gudejjan

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetja 2: Një njeri i martuar ka bërë zina, ai ka depërtuar, por pa ejakuluar. Më vonë ai u pendua. Si mund ta pastrojë ndërgjegjen e tij? Ai ka qenë larg nga gruaja e tij për disa ditë apo disa muaj dhe ka jetuar në një vend tjetër ku ka pasur epshe dhe sprova. A konsiderohet ai muhsan (person që ka shijuar jetën bashkëshortore, qoftë edhe nëse ka fjetur vetëm njëherë me bashkëshorten)?

Përgjigje: Zinaja është e ndaluar sipas teksteve Islame dhe konsensusit të dijetarëve, pavarësisht nëse zinaçari ejakulon ose jo. Largimi nga gruaja nuk është një justifikim, e as prania e tundimit dhe epsheve. Një person duhet të mbajë dëlirësinë e tij dhe të qëndrojë larg shkaqeve që çojnë në zina.

Burri i përmendur duhet të pendohet për këtë mëkat, të largohet nga mëkati dhe të vendosë të mos e bëjë përsëri. Gjithashtu duhet që ai t’i kërkojë falje Allahut dhe të kryejë vepra të mira, duke e mbajtur fshehtësinë e Allahut dhe duke mos i treguar askujt për atë që ka bërë. Allahu (te ala) thotë:

“Dhe vërtet që Unë jam gjithnjë Falës i Madh për atë që pendohet, që beson dhe që punon mirësi e drejtësi dhe pastaj u qëndron këtyre (deri në vdekje).”1

Allahu (xhela ue ala) thotë gjithashtu:

“Edhe ata të cilët nuk lusin ilah (të adhuruar) tjetër me Allahun, që nuk vrasin njeri të atillë që e ka ndaluar Allahu përveç për çështje të drejtë, që nuk kryejnë zina (marrëdhënie të paligjshme imorale) – dhe kushdo që e bën këtë, do të marrë ndëshkimin. Ndëshkimi do t’i dyfishohet atij Ditën e Llogarisë dhe do të banojë në të i turpëruar; Përveç atyre që pendohen dhe besojnë (me Besimin e Pastër Islam) dhe që punojnë mirësi e drejtësi, mu këtyre Allahu do t’ua shndërrojë gjynahet në vepra të mira dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.”2

Nëse një burrë largohet nga gruaja ose ndahet prej saj, ai ende do të konsiderohet muhsan (që ka pasur bashkëshorte, që e ka shijuar jetën bashkëshortore), nëse ai ka fjetur me bashkëshorten.

Allahu na dhëntë sukses. Selamet dhe salavatet qofshin mbi profetin tonë Muhammed, mbi familjen e tij dhe mbi sahabët.


1 20:82

2 25:68-70

Shpërndaje: