Komisioni i Përhershëm për Kërkime dhe Fetva
Fetvaja nr: 2036
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Kur është Bajram apo ndonjë fest tjetër fetare, disa xhami dekorohen dhe zbukurohen me drita, me pajisje të vogla elektronike dhe lule. A i lejon Islami këto?
Përgjigje: Xhamitë janë shtëpitë e Allahut dhe ato janë vendet më të mira. Allahu -te ala- ka caktuar që ato të ndërtohen dhe të nderohen duke e adhuruar vetëm Allahun, duke falur namazin, duke kujtuar Allahun në to, duke ua mësuar njerëzve fenë, për t’i udhëzuar njerëzit në lumturitë e dy jetëve dhe për t’i pastruar ata nga idhujtaria, veprimet politeiste, risitë dhe mitet. Pos kësaj xhamitë duhet të ruhen nga pakujdesitë e ndryshme, që të përdoren si humbje kohe apo nga ngritja e zërit.
Gjithashtu duhet pasur kujdes nga fotot në mure të cilat shpien në idhujtari dhe janë shkak që njerëzit gjatë adhurimit të merren me to. Kjo bie në kundërshtim me qëllimin për të cilin janë ndërtuar xhamitë. Këtë gjë e kishte parasysh profeti ﷺ, që dihet nga jeta dhe vepra e tij. Ai ua bëri të qartë popullit të tij që ta pasojnë atë dhe të përmirësohen në përputhje me udhëzimin e tij edhe në lidhje me respektimin e xhamive.
Dekorimi i xhamive me drita apo lule gjatë festave Islame nuk është prej veprave të tij ﷺ. As nuk është e njohur se kalifët e drejtë dhe të udhëzuar ta kenë bërë këtë. Për këto gjeneratat e para i dërguari i Allahut ﷺ ka deklaruar se janë më të mirat. Edhe pse ata ishin njerëzit më të mirë të cilët ishin të pasur, të civilizuar dhe posedonin të gjitha llojet e dekoratave dhe ngjyrave ata nuk e bënë këtë. Çdo e mirë është në pasimin e tij ﷺ, kalifëve të tij të drejtë dhe të udhëzuar dhe udhëzimin e tyre.
Veprimet si varja e dritave mbi xhami, varja e fenerëve mbi to apo rreth tyre, mbi minare, ngritja e flamujve, varja e tabelave mbi to apo vënia e luleve mbi to janë prej veprave të kufarëve.
Kjo është pikërisht ajo që ata bëjnë me sinagogat dhe kishat e tyre. Profeti ﷺ ka ndaluar që t’i ngjasosh atyre në festimet dhe adhurimet e tyre.
Tek Allahu është suksesi dhe paqja dhe shpëtimi qoftë mbi profetin tonë Muhammed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.